Kërko

Vatican News
 Papa Françesku Papa Françesku  (ANSA)

Françesku: nuk mund të përdoret emri i Zotit, për t’i tmerruar njerëzit

Në një tweet Papa flet për Ditën e OKB-së kushtuar njerëzve të dënuar për shkak të fesë së tyre dhe kërkon “t’i jepet fund përdorimit të feve për të nxitur mllefin e dhunën, ekstremizmin e fanatizmin e verbër”.

R. SH. - Vatikan

Hashtagu#VëllazërimiNjerëzor e mbyll tweet-in e Papës Françesku e kujtimi shkon menjëherë tek mbrëmja e shkurtit 2019, në Abu Dabi, tek firma dhe shtrëngimi i ngrohtë i duarve, që nënshkruan faqen e parë të “Vëllazërimit njerëzor”. Vlerë, të cilën Papa dhe Imami i Madh ia ofruan njerëzimit, si frymëzim universal për t’u afruar, për t’u kuptuar, për të besuar, për t’u kulturuar e për të punuar së bashku.

Feja nuk duhet manipuluar

Nëse jetohet vërtet, vëllazërimi e përjashton plotësisht dhunën dhe e shndërron ndjenjën fetare në qëllim. Ashtu si bëjnë në mbarë botën më se 300 milionë njerëz, duke llogaritur vetëm të krishterët.

E kjo temë është e shumëdashur nga Papa që, në tweet-in e tij për Ditën e OKB-së kushtuar përkujtimit të “viktimave të dhunës bazuar mbi fenë a besojmën”, përsërit me qartësi, duke përdorur fjalët e dokumentit të Abu Dabit: “Zoti nuk ka nevojë ta mbrojë askush e nuk dëshiron që Emri i Tij  të përdoret për t’i tmerruar njerëzit. U kërkoj të gjithëve t’i japin fund manipulimit të feve për të ngjallur urrejtje, dhunë, ekstremizëm e fanatizëm të verbër”.

Përpara në vëllazërim!

Këtë koncept Papa e pati shprehur, ndërmjet tjerash, me terma të ngjashme  edhe shkurtin e kaluar, në videomesazhin e dërguar në Abu Dabi, një vit pas nënshkrimit të dokumentit kushtuar “Vëllazërimit njerëzor”.

Papa, një vit pas Deklaratës së Abu Dabit: shpresë për ardhmërinë e  çliruar nga urrejtja

Kjo, pati thënë Françesku, ishte “ngjarje e madhe humanitare”, shenjë për të shpresuar në një ardhmëri më të mirë për njerëzimin, ardhmëri të çliruar nga urrejtja, nga mllefi, nga ekstremizmi e nga terrorizmi. Në një botë, në të cilën ngadhënjejnë vlerat e paqes, të dashurisë, të miqësisë”. E sotmja dhe e ardhmja - uronte Papa - janë kohë e hapësirë “për të gjitha modelet virtuoze të burrave e grave që, në këtë botë, e mishërojnë dashurinë përmes veprave dhe flijimeve për të mirën e të tjerëve, pavarësisht nga feja, përkatësia etnike e kulturore”. I kërkoj Zotit të Gjithëpushtetshëm - përfundonte Françesku - ta bekojë këtë përpjekje për të mirën e njerëzimit e të na ndihmojë të ecim përpara në vëllazërim!”.

22 gusht 2020, 12:59