Kërko

Vatican News
 Ndjesa e Asizit Ndjesa e Asizit 

Françesku: ndjesa e Zotit hap dyert e Parrizit. Thirrja për punë

Në përshëndetjet pas Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi se sot, në kishat dhe në famullitë françeskane të gjithë botës mund të fitohet Ndjesa e plotë. Institucioneve politike dhe ekonomike u kërkoi të kujdesen për punën, në ndihmë të familjeve dhe të shoqërisë.

R. SH. - Vatikan

Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, mendimi i shqetësuar i Papës shkoi menjëherë në kryedioqezën e Managuas, në Nikaragua, ku dje u krye sulmi i rëndë mbi katedralen, që përfundoi me djegien e Kryqit të lashtë.

Në Asizi, dita e ndjesës, shpresë e madhe për njeriun e sotëm

Më pas kujtoi “Ndjesën e Asizit”, dhuratë shpirtërore, që Shën Françesku e mori nga Zoti, me ndërmjetësimin e Virgjërës Mari. Eshtë fjala për ndjesën e plotë, që mund të merret duke u rrëfyer, duke u kunguar, duke vizituar një kishë famullitare françeskane, duke thënë një Atynë e duke u lutur për Papën e për ndjetet e tij.

“Ndjesa mund të kërkohet edhe për një njeri të vdekur. E gjithë kjo na tregon sa e rëndësishme është ta kesh në qendër të vëmendjes ndjesën e Zotit, që 'lind parrizin', në ne e rreth nesh" - theksoi Papa.

Më pas, përshëndetja drejtuar të pranishmëve në Shesh, romakë e shtegtarë. E sidomos, atyre që kalojnë, a mendojnë të kalojnë disa ditë pushimi e prehjeje. Papa i uroi të jetojnë ndonjë ditë të këndshme çlodhjeje, duke e prehur shpirtin dhe korpin në gjirin e natyrës.

Thirrje, që të mos i mungojë askujt puna

Nga dritarja e Engjëllit, Papa bëri një thirrje me rëndësi të posaçme për jetën e gjithë njerëzve, të shqetësuar siç janë nga dëmet që bëri e bën pandemia në botën e tyre të punës. Ati i Shenjtë u kërkoi drejtuesve politikë dhe ekonomikë të bëjnë çmos që njerëzve të mos u mungojë puna, sepse pa punë familjet e shoqëria nuk mund të shkojnë përpara. E, në përfundim i ftoi të gjithë të luten, që askujt të mos i mungojë kjo e mirë, e cila u prin shumë të mirave të tjera.

Françesku e përfundoi  takimin e së dielës me urimin “Të diel të gëzuar!” e me ftesën që të mos harrojnë të luten për Papën!  

02 gusht 2020, 12:55