Kërko

Vatican News
Edith Stein Edith Stein 

Françesku: Edith Stein, me Krishtin deri në dhurimin e jetës

Kisha kremton sot festën e Shën Terezës Benedikta e Kryqit, Bashkëpajtore e Evropës, dëshmitare bujare e dashurisë për Zotin. Vijon të na kujtojë se intelektuali i vërtetë nuk duhet të heshtë para rrezikut që i kërcënohet njeriut! Ndaj më se një herë Papa Françesku e ka paraqitur si shembull jete, kundër “çdo forme të intolerancës dhe të zvetënimit”.

R. SH. - Vatikan

“Kush e kërkon të vërtetën, me a pa vetëdije, kërkon vetë Zotin!”. Shën Tereza Benedikta e Kryqit ia shkruante këto fjalë një murgeshe benediktine, duke filluar me to, rrëfimin mbi  jetën e saj. Jetë, që nisi në Slezinë gjermane, ku lindi në vitin 1881. Fëmija e  njëmbëdhjetë e një çifti hebrenjsh shumë fetarë, iu kushtua studimit të filozofisë e u bë asistente e filozofit Husserl, në universitetin e Friburgut. Më pas zgjodhi rrugën e jetës rregulltare, duke ia kushtuar Zotit jetën, si murgeshë karmelitane, me të njëjtën dashuri për Krishtin, që e kish frymëzuar, duke studiuar jetën e Shën Terezës së Avilës e pa e mohuar aspak origjinën e saj hebraike.

Në shkollën e Kryqit

Në vitin 1942 Gestapoja trokiti në portën e manastirit holandez, ku ishte strehuar; më 9 gusht, së bashku me të motrën, Roza, 51 vjeçe, u shua në dhomën e gazit të Auschwitz-Birkenaut, duke u bërë, siç pati thënë Benedikti XVI më 28 maj 2006, gjatë vizitës në kampin e përqendrimit, një nga dritat e shumta në natën e zezë, “sepse nuk iu nënshtrua pushtetit të së keqes, por u bë dëshmitare e së vërtetës dhe e së mirës!”. Tingëllon   me një forcë të jashtëzakonshme aktuale, kjo shprehje e Papës Benedikti, duke na kujtuar sa e sa Tereza të tjera, që nuk pranuan t’i nënshtrohen diktaturave të të gjitha ngjyrave, duke e ditur mirë si e ku do të përfundonin!

Shën Gjon Pali II e shpalli shenjtore më 11 tetor 1998, duke vënë fuqimisht në dukje aftësinë e saj “për të shkuar deri në fund të fundit në shkollën e Kryqit e duke treguar se mesazhi i dhimbjes është mësim dashurie. Dashuria e bën frytdhënëse dhimbjen e dhimbja, tejet të thellë dashurinë”.

Roje e Evropës

Duke  e shpallur “Bashkëpajtore e Evropës, me Motu Proprion e 1 tetorit 1999, Papa Wojtyla synonte të shpaloste mbi horizontet e Kontinentit të Vjetër, një flamur respekti, tolerance, mikpritjeje”.

Asaj iu drejtua edhe Françesku në audiencën e përgjithshme të 8 gushtit 2018, duke iu lutur ta mbrojë  Kontinentin e Vjetër:

“Grua e palëkundur, grua që kërkon Zotin me ndershmëri, me dashuri e grua martire e popullit të saj hebraik e kristian. Ajo, Pajtore e Evropës u lutët për Evropën dhe e ruajtë nga qielli”.

Intelektuali i krishterë e ka për detyrë t’i prijë njerëzve, impulsivë, që përbëjnë rrezik për shtetin

Para se të hynte në Karmelin e Këlnit, iu desh të hiqte dorë nga karriera akademike e nga veprimtaria si mësimdhënëse, pikërisht pas shpalljes së ligjeve raciste. Lidhur me këtë, me sa dimë, më 1933 i pati shkruar një letër Papës Piu XI, duke e njoftuar për tragjizmin e çështjes hebraike. Në këtë letër flet pikërisht për përbuzjen dhe mungesën e plotë të humanizmit, nga ana e një qeverie, që  quhej e krishterë, por e shpërdoronte emrin e Jezusit për të mbojtur interesat e veta. Fenomen që përsëritet. Duke theksuar se faji bjen edhe mbi ata, që rrinë në heshtje. Kujtonte dhe një Konferencë, mbajtur më 1930 mbi rolin e intelektualit - e ne e dimë se ajo ishte pikërisht intelektuale - në të cilën theksonte se intelektuali i krishterë e ka për detyrë t’i prijë drejt jetës shpirtërore masës së njerëzve impulsivë, që përbëjnë rrezik për shtetin, për ta vënë punën e tyre në shërbim të nevojave të bashkësisë, të së mirës së vërtetë të popullit, jo në dëm të tij!”.

Intelektuali i vërtetë nuk duhet të heshtë, pra, para rrezikut që i kërcënohet njeriut! Kjo na kujton se duhet t’i marrim seriozisht thirrjet e Papës, kundër qëndrimeve indiferente, që vërehen edhe sot në gjirin e intelektualëve, edhe kur shikojnë si lëkunden shtyllat e demokracisë…

09 gusht 2020, 11:31