Kërko

 Rregulltarët brazilianë në Romë Rregulltarët brazilianë në Romë 

Françesku: duhen sy të drejtë, për të parë hirin e Zotit

Papa u shkruan rregulltarëve e rregulltareve të Brazilit, të cilët dje nisën Javën e jetës së kushtuar: që të bëhesh dhuratë për të tjerët e të shërbesh me gëzim, “duhet t’i mbash sytë ngulur fot mbi Jezusin”, përndryshe lind rreziku i “shikimit të sendeve me sytë e botës”.

R. SH. - Vatikan

Është çështje sysh, jeta rregulltare. Me që jeton gjithnjë në mes të njerëzve, rregulltari mund ta jetojë misionin e vet duke e parë me sytë e Zotit, ose të botës. Ilaçi për të mos dredhuar rrugë, është gjithnjë i njëjtë: “t’i japësh vendin e parë lutjes”. Françesku flet kështu, në një letër, drejtuar Konferencës së rregulltarëve të Brazilit, që organizon në vend, nga 16 deri më 22 gusht, Javën e jetës rregulltare.

Thirrje për gëzim

Nxitja e Papës, në të vërtetë, nisi që dje, me atë “përpara!”, të brohoritur nga dritarja e studios, pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, përballë grupit entuziast brazilian, që e ndiqte nën diellin përvëlues të pikës së gushtit nga Sheshi i Shën Pjetrit. Ishte një përfaqësi - e ngarkuar për t’i ndjekur punimet nga Roma,  e mijëra  motrave  dhe vëllezërve rregulltarë  të shumë Kongregatave, të pranishme në Brazil, të cilëve Françesku u kërkoi ta jetojnë vërtetësisht jetën, duke u kujtuar se “udha vokacionale e ka zanafillën e vet në përvojën e vetëdijes se Zoti të do”, se të thërret “për gëzim” e se nuk është tjetër, veçse dhurim  i vetvetes për të tjerët!

Të jetosh për të shërbyer

Nga ana tjetër - vëren Françesku - përballë sfidave të shoqërisë së sotme, që po bën ndryshime epokale, duhet të jemi vigjilentë, për të shmangur tundimin e pranimit të vizionit të botës, që na pengon ta pranojmë hirin e Zotit, si protagonist të jetës. E ilaçi më i mirë kundër këtij tundimi - pohon - është lutja,  e cila duhet të jetë në krye të vendit përballë veprimtarive të shumta që mund të kemi ditë për ditë, me sigurinë se kush i ka sytë të ngulur tek Jezusi, mëson të jetojë për të shërbyer.

Me zemrën e Zotit

Prandaj nuk na mbetet tjetër - kujton akoma Papa - veçse, siç pata propozuar në Letrën Apostolike të vitit 2014 drejtuar njerëzve të kushtuar, ta pyesim veten: “A është vërtetë Jezusi dashuria e parë dhe e vetme, ashtu si patëm kujtuar kur bëmë kushtet tona?”. Vetëm nëse e bëjmë këtë - përfundoi Papa - do të jemi në gjendje, siç e kemi për detyrë, ta duam me të vërtetë e dhembshurisht çdo njeri, që takojmë në rrugën tonë, sepse mësuam nga Krishti ç’është dashuria e si duhet dashur: “Dimë të duam, sepse kemi në kraharor Zemrën e Zotit”.

17 gusht 2020, 13:09