Kërko

1559401043439.jpg

Të rinjtë, të moshuarit dhe profecia e Joelit

Më 26 korrik, shtatë vite më parë, gjatë DBR-së së Brazilit, Papa Françesku bëri thirrje për forcimin e dialogut ndërmjet brezave. Një temë, që e ka përmendur shpesh gjatë papnisë së tij e që, në kohën e pandemisë së koronavirusit, bëhet thelbësore për ta parë të ardhmen me shpresë.

R.SH. - Vatikan

“Sa i rëndësishëm është takimi dhe dialogu ndërmjet brezave, veçanërisht brenda familjes”. Është 26 korrik 2013 e Papa Françesku del në ballkonin e kryeipeshkvisë së Rio de Zhanejros. Për ta dëgjuar, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kanë ardhur mijëra të rinj nga e gjithë bota, që ndodhen në Brazil për Ditën Botërore të Rinisë, udhëtimi i parë ndërkombëtar apostolik i Papës së zgjedhur në mars të atij viti. Atë ditë, Kisha kremton shenjtorët Joakim dhe Ana, prindërit e Virgjërës Mari, gjyshërit e Jezusit. Papa Françesku shfrytëzon rastin për të nënvizuar - duke përmendur Dokumentin e Aparecida-s, për të cilin pati punuar shumë si kardinal - që “fëmijët dhe të moshuarit ndërtojnë të ardhmen e popujve; fëmijët, sepse do të çojnë përpara historinë, të moshuarit, sepse transmetojnë përvojën dhe urtinë e jetës”.

Të rinj dhe të moshuar, gjyshër dhe nipër e mbesa. Ky kombinim bëhet një nga konstantet e papnisë, përmes gjesteve, fjalimeve, audiencave e “ngjarjeve jashtë programit”, sidomos gjatë udhëtimeve. Ata, të rinjtë dhe të moshuarit, vëren me hidhërim Françesku, janë shpesh viktimat e para të “kulturës së hedhurinave”. Por gjithnjë ata, së bashku dhe vetëm së bashku, mund të nisin udhë të reja e të gjejnë hapësira për një të ardhme më të mirë. “Nëse të rinjtë janë të thirrur të hapin dyer të reja - vëren Papa në meshën për të shuguruarit, më 2 shkurt 2018 - të moshuarit kanë çelësat”, “nuk ka të ardhme pa këtë takim ndërmjet të moshuarve dhe të rinjve; nuk ka zhvillim pa rrënjë dhe nuk ka lulëzim pa fidane të reja. S’ka profeci pa kujtesë, s’ka kujtesë pa profeci”.

Për Papën Bergoglio, terreni i takimit të të rinjve me të moshuarit është ai i ëndrrave. E siç na dëshmon përvoja e jetuar, për shkak të pandemisë, është pikërisht ëndrra, vizioni i së nesërmes, që i mbajti dhe i mban së bashku ata, gjyshër e nipër, që u ndanë papritmas, duke i shtuar një gur të rëndë barrës së izolimit. Ky përqendrim në përmasën e ëndrrës është medituar prej kohësh nga Papa dhe ka rrënjë të thella biblike. Në fakt, Françeskut i pëlqen të kujtojë vazhdimisht ç’na mëson profeti Joel përmes asaj që, siç thotë Ati i Shenjtë, “besoj të jetë profecia e kohëve tona”: ‘pleqtë tuaj ëndrra do të shohin, djelmoshat tuaj do të kenë vegime’ (3,1) e do të profetizojnë”.

 Kush tjetër, nëse jo të rinjtë, pyet Papa, mund t’i marrë ëndrrat e të moshuarve dhe t’i çojë përpara? Jo rastësisht, gjatë Sinodit kushtuar rinisë, mbajtur në tetor 2018, deshi të zhvillohej një ngjarje e veçantë për dialogun ndërmjet brezave, takimi “Urtia e kohës” në Institutin Patristik Augustinianum. Në atë rast, duke iu përgjigjur pyetjeve të të rinjve dhe të të moshuarve mbi çështjet aktuale për Kishën dhe botën, Françesku nxiti “të mbrohen ëndrrat, ashtu siç mbrohen fëmijët”. Papa, edhe ai në moshë, u besoi të rinjve një përgjegjësi të madhe. “Ju – u tha ai, duke iu drejtuar idealisht çdo të riu - nuk mund t’i mbani mbi supe gjithë të moshuarit, por ëndrrat e tyre po, e këto çojini përpara, sepse do t’ju bëjë mirë”. Gjithnjë në atë takim, vuri theksin mbi empatinë, që sot, në dritën e përvojës dramatike të pandemisë, duket edhe më e domosdoshme. “Nuk mund të bisedoni me një të ri pa empati”, pati thënë. Por ku ta gjejmë sot këtë lloj gurre, që na duhet për ta shuar etjen e për të vazhduar udhën? Tek afërsia, përgjigjet Papa. Pasuri e çmuar, siç e kemi përjetuar këto muaj, gjatë të cilëve, kjo përmasë themelore e jetesës u “pezullua” papritmas, për shkak të virusit. “Afërsia bën mrekulli”, Papa është i bindur për këtë, “afërsia me ata, që vuajnë”, “afërsia me problemet dhe afërsia ndërmjet të rinjve dhe të moshuarve”. Një afërsi që, duke ushqyer “kulturën e shpresës”, na imunizon nga virusi i ndarjes dhe i mosbesimit.

 Papa i referohet kësaj lidhjeje, edhe në një nga udhëtimet e tij të fundit apostolike, atij në Rumani, në qershor të vitit të kaluar. Françesku preket nga një pamje, ndërsa ndodhej në Iaşi për takimin me të rinjtë dhe familjet e vendit. Ai vetë rrëfen gëzimin e këtij takimi të papritur me një grua të moshuar. “Në krahë - thotë Papa - ajo kishte nipin, pak a shumë dy muajsh, jo më tepër. Kur i kalova pranë ma tregoi. Buzëqeshte me një buzëqeshje prej bashkëfajtori, sikur të më thoshte: ‘E shikon, tani, edhe unë mund të ëndërroj!’”. Takim shikimesh për disa sekonda, që e emocionon Papën, gjithnjë i kujdesshëm për të kapur tek tjetri atë shkëndijë, që shkon përtej kufijve të çastit, duke u bërë dhuratë e mesazh për të gjithë. “Gjyshërit – komenton – ëndërrojnë kur nipërit rriten e, nipërit marrin guxim, kur i kanë rrënjët tek gjyshërit”.

 Rrënjët dhe ëndrrat. Njëra nuk mund të bëjë pa tjetrën, sepse njëri ekziston për tjetrin. E kjo, sigurisht që vlen sot më shumë sesa në të kaluarën, sepse kemi nevojë për një “vizion të përgjithshëm”, që nuk lë jashtë askënd. Papa Françesku e thekson këtë në një intervistë me revistat “Tablet” dhe “Commonweal”, në çastin më të errët të pandemisë në Evropë. Për Papën, i cili ndalet në domethënien e gjithçkaje po përjetojmë në këtë vit dramatik 2020, tensioni ndërmjet të moshuarve dhe të rinjve “duhet të zgjidhet gjithmonë përmes takimit”. I riu, vëren Ati i Shenjtë, “është filiz, plot gjethe, por ka nevojë për rrënjët; përndryshe nuk mund të japë fryte. Plaku është si rrënja”. Edhe një herë kujton “profecinë e Joelit”. Për të moshuarit e sotëm, të frikësuar nga një virus, që prish jetë dhe mbyt shpresa, Françesku kërkon një shtesë guximi. Ndoshta, më të vështirin: guximin për të ëndërruar. “Kthejini sytë nga ana tjetër - nxit Papa, që beson në ‘urtinë e kohës’ - kujtojini nipërit dhe mbesat e mos pushoni së ëndërruari. Këtë ju kërkon Zoti: të ëndërroni”. Kjo, që po jetojmë, mes frikës dhe vuajtjes, thotë me forcë Papa, “është koha e përshtatshme për të gjetur guximin e një imagjinate të re për gjithçka të mundshme, me realizmin që vetëm Ungjilli mund të na e japë”. Kjo është koha, në të cilën “profecia e Joelit” mund të bëhet realitet.

25 korrik 2020, 12:31