Kërko

Vatican News
 Dy duar shtrënguar: dora e Papës e dora e "tjetrit" Dy duar shtrënguar: dora e Papës e dora e "tjetrit" 

Papa: të shikojmë nevojat e tjetrit, nuk jemi të vetëm në botë!

Me një videomesazh, Françesku u drejtohet 600 pjesëmarrësve në Kursin e katërt të përshpirtërisë, organizuar dje në dioqezën argjentinase të Comodoro di Rivadavia, në Patagoni, përqendruar tek tema “Kthesë në diakoninë shoqërore”, domethënë, kujdes për atë që e kemi pranë, sipas shembullit të Samaritanit të Mirë.

R. SH. - Vatikan

“Të vihesh në shërbim të të tjerëve, t’i kesh parasysh nevojat e tyre e të kuptosh se nuk jemi fillikat në botë”: kjo është zemra e videomesazhit papnor, dërguar dje, 24 korrik, Kursit IV të përshpirtërisë, organizuar nga dioqeza  e Comodoro di Rivadavia, në rajonin argjentinas të Patagonisë. Videoja e Papës u përhap nga Kisha vendase përmes kanalit të saj YouTube. Kursi, zhvilluar virtualisht, u përqendrua tek tema: “Kthesë në diakoninë shoqërore”, frymëzuar nga dokumenti i Komisionit teologjik ndërkombëtar “Sinodaliteti në jetën e në misionin e Kishës”. Kapitulli IV i këtij teksti i kushtohet “Kthesës për një sinodalitet të ri”.

“Kthesa në diakoninë shoqërore”, titull  kuptimplotë! - pohon Papa në videomesazh - Do të thotë ta vësh në jetë shërbimin ndaj të tjerëve,  do  të thotë se askush nuk është i vetëm në botë, se duhet të dish çfarë nevoje materiale a shpirtërore ka tjetri. E shton: “Për shkak të egoizmit, jemi mësuar t’i mbyllim sytë para atij që vuan, t’i kalojmë pranë, duke kthyer kokën në anë tjetër”. Po Jezusi vijon të na kërkojë të jemi shërbëtorë të të tjerëve, si Samaritani i Mirë, njeri anonim, që nuk ia dimë as emrin e që u kujdes për shtegtarin, i cili po vdiste buzë rrugës, ku e kishin flakur hajdutët!

Guxim! Bëjeni zemrën t’ju rrahë!

“Buzë rrugës së jetës - nënvizon Papa Françesku - lëngojnë njerëz, si ne, pleq e fëmijë, që kërkojnë, me sytë ngarkuar me dhimbje, t’u japim dorën”. Prej këndej, “inkurajimi i Papës për procesin e kthesës së diakonisë, thirrja drejtuar diakonëve për të qenë shërbëtorë të tjerëve”, sepse Jezusi vijon të na kujtojë: “Asnjëri nga ata, që do të ketë dhënë qoftë edhe një gotë uji në emër tim, nuk do të mbetet pa shpërblim” (Mt 10,42)”. “Guxim, pra! - përfundon Papa  - Ju kërkoj  vetëm ta bëni zemrën t’ju rrahë, asgjë më! E të bëni gjithnjë mirë. Të tjerat vijnë vetvetiu!”.

Videomesazhi mbyllet me bekimin, lutjen drejtuar Virgjërës Mari dhe kërkesën e përhershme për t’u lutur për Atin e Shenjtë.

Interesim i përhershëm për Patagoninë

Në kursin e përshpirtërisë morën pjesë, virtualisht, rreth 600 veprimtarë baritorë nga mbarë dioqeza. Ipeshkvi vendas, Imzot Joaquin Gimeno Lahoz, kujtoi sesi, që kur ishte Kryeipeshkëv i Buenos Ajres, Papa Bergoglio u interesua shumë për Patagoninë, duke i shprehur Seminarit Patagonik afërsi e duke i dhënë ndihmë. Ky videomesazh, pra, është një inkurajim i ri, e njëkohësisht, thirrje për të mos e harruar këtë rajon, ku jeta nuk është aspak e lehtë. Ndaj ka gjithnjë nevojë për Samaritanë të Mirë!

25 korrik 2020, 12:18