Kërko

Vatican News
Migranti: Ocean Viking, non possiamo più garantire sicurezza Migranti: Ocean Viking, non possiamo più garantire sicurezza  (ANSA)

Papa: tё zbulojmё Jezusin nё ata qё ikin pёr shkak tё padrejtësive

Papa : “Në përvjetorin e vizitës sime në #Lampedusa, le të lutemi që të mund tё zbulojmë fytyrën e Jezusit tek ata që janë të detyruar të ikin nga toka e veta për kaq shumë padrejtësive, nga tё cilat vuan akoma bota”.

R.SH. - Vatikan

“Në përvjetorin e vizitës sime në #Lampedusa, le të lutemi që të mund tё zbulojmë fytyrën e Jezusit tek ata që janë të detyruar të ikin nga toka e veta për kaq shumë padrejtësive, nga tё cilat vuan akoma bota”. Kёshtu shkruan Papa Françesku nё njё tweet, sot mё 8 korrik, nё faqen e internetit @Pontifex.

Emigrantët nuk janë kërcënim, por rast për paqe

“Ju ftoj ta shihni emigracionin me besim, si rast e mundësi për të ndërtuar një të ardhme në paqe”: kështu shkruan Papa Françesku në Mesazhin për Ditën Botërore të Paqes, që do të kremtohet më 1 janar 2018. Ati i Shenjtë i fton të gjithë t’i shohin emigrantët dhe refugjatët me atë sy, i cili është në gjendje të zbulojë në ta ngarkesën e guximit, të aftësive, të energjive e të aspiratave, që marrin me vete bashkë me thesarin e kulturës së vendeve të tyre. Pra, nuk vinë duarbosh. Kësaj energjie i duhet dhënë rrugë, nënvizon Papa, i cili kërkon një strategji, që të bazohet mbi katër shtylla: mikpritjen, mbrojtjen, promovimin dhe integrimin.

Të mikpriten e të mbrohen migrantët

Paqe, pajtim, mikpritje e emigrantëve: këto ishin temat kryesore të fjalimit, që u drejtoi Papa ambasadorëve tё Tanzanisë, Lesotho-s, Pakistanit, Mongolisë, Danimarkës e Finlandës pranë Selisë së Shenjtë, pritur në Vatikan mё 16 maj tё vitit 2018, me rastin e paraqitjes së Letrave kredenciale. Porosia kryesore: punoni për të mirën, me vendime, që karakterizohen nga mëshira, largpamja e guximi.

Papa Françesku  foli për bazën e përgjegjësisë dhe rolin e diplomacisë ndërkombëtare, që  duhet t’i shërbejë gjithnjë drejtësisë e harmonisë, pa dalë kurrë nga binarët e unitetit të familjes njerëzore e të dinjitetit të të gjithë anëtarëve të saj.

E, ndërmjet çështjeve më të ngutshme për bashkësinë ndërkombëtare, të cilës janë të thirrur t’i bëjnë ballë edhe ambasadorët e rinj, është ajo e emigrantëve, të detyruar të ikin nga luftërat e nga uria, objekt persekutimi, varfërie e zvetënimi, edhe ambiental, që i detyron të lënë shtëpi e troje.

Ky problem ka një përmasë etike, që i kapërcen kufijtë kombëtarë dhe lëshimet e kufizuara, të lidhura me interesa vetjake. Pavarësisht nga natyra e ndërlikuar dhe delikatesa e çështjeve politike dhe shoqërore, kombet e veçanta dhe bashkësia ndërkombëtare janë të thirrura të japin, sa më mirë që të munden, ndihmesën e tyre në veprën e paqëtimit e të pajtimit, përmes vendimeve politike të karakterizuara sidomos nga mëshira, largpamësia e guximi

Miliona njerëz shiten si skllevër, duke lypur pakëz dashuri njerëzore

Zoti na mëson, përmes shembullit të të përvuajturve e të atyre, që nuk vlejnë fare para syve të botës. Janë të varfërit, tё persekutuarit, migrantёt e të përvuajturit, ata që e kundrojnë praninë e fytyrёn e Zotit, ata, të cilëve u zbulohet pastërtisht misteri i dashurisë së Tij Hyjnore. Kёshtu u shpreh Papa Françesku gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, që kremtoi nё Kolombinë e largët, mё 10 shtator 2017, gjatё vizitёs sё apostolike.

Shën Pedron Claver, “skllav i zezakëve përgjithmonë”, si e quajti veten ditën e kushteve të përhershme. Ai – shtoi Papa - i priste anijet që vinin nga Afrika në tregun e parë të skllevërve të botës së re. Shpesh i priste vetëm me gjeste ungjillëzuese, për shkak të pamundësisë për të komunikuar me këta njerëz, që flisnin gjuhë të tjera. Gjithsesi - sqaroi Papa - Shën Pedro Klaveri e dinte se gjuha e dashurisë së krishterë dhe e mëshirës kuptohen nga të gjithë. Sepse dashuria e krishterë të ndihmon ta kuptosh të vërtetën dhe e vërteta kërkon gjeste bamirësie. Pikërisht kur i vinte neveri prej tyre, ua puthte plagët. I përkorë e bamirës deri në heroizëm, pasi ngushëlloi qindra vetmitarë, çfarë ndodhi? Vdiq i braktisur, e harruan, i kaloi katër vjetët e fundit të jetës në qelinë e tij, i sëmurë, i braktisur frikshëm.

Papa e paraqiti si shembull të ndritur, njeri i cili e dëshmoi shkëlqyeshëm  përgjegjësinë dhe vëmendjen që duhet të ketë secili nga ne ndaj vëllezërve. I akuzuar padrejtësisht për zellin e jashtëzakonshëm, iu desh të përballojë kritika të ashpra e  deri kërcënime, sepse shërbesa e tij dëmtonte tregtinë e skllevërve, burim i pashterrshëm pasurie për skllavopronarët e kohës.

E, për fat të keq - kujtoi Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot - skllavëria në Kolombi e në botë vijon. Miliona njerëz shiten si skllevër, ose zvarriten rrugëve, duke lypur pakëz dashuri njerëzore, një çast dhembshurie, marrin rrugët e detit a nisen në këmbë, pasi kanë humbur gjithçka, duke nisur nga dinjiteti e nga të drejtat e  tyre.

 Zoti, është i pari që ju beson dhe ju fton të keni besim në veten tuaj, në aftësitë tuaja", tha Papa Françesku nё bisedën e tij me të rinjtё e Madagaskarit, në kampin Soamandrakizay mё 7 shtator 2019, duke iu përgjigjur pyetjeve të tyre: "Jezusi ju fton të bashkoheni më Tё për të kapërcyer vështirësitë dhe për t’u dhёnё një përgjigje të krishterë shumë problemeve me të cilat përballeni ju e shoqëria. Është pikërisht Zoti që ju fton të jeni ndërtues të së ardhmes!".

"Ai na beson një mision, por nuk na dërgon vetëm në vijën e parё tё frontit, megjithëse," jemi të ftuar të zbulojmë fytyrën e Jezusit në fytyrat e të tjerëve ".  "Secili prej nesh  - nënvizoi Papa - mund të bëjë gjëra të mëdha, por së bashku mund të ëndërrojmë e tё angazhohemi për gjëra të paimagjinueshme".

08 korrik 2020, 18:39