Kërko

 Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot 

Papa në lutjen e Engjëllit: Fjala e Zotit është e vetmja që na bën të lirë

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Françesku nënvizoi se “për të sjellë fryte të begata për ne e për vëllezërit tanë”, duhet ta pranojmë Fjalën e Zotit e të bëhemi “tokë pjellore”, pa gjemba e pa gurë.

R. SH. - Vatikan

E nisi me shfletimin e faqes së sotme ungjillore, Papa, lutjen e Engjëllit të Tënzot, kremtuar nga dritarja e Bibliotekës së tij private, mbi Sheshin e Shën Pjetrit, të përvëluar nga dielli i korrikut. I ndjekur nga turma, që mblidhet çdo të diel, për të provuar emocionin vërtet të thellë që të pushton, kur Françesku të drejtohet, gati-gati personalisht, nga dritarja e Engjëllit. E sot Papa u rikujtoi besimtarëve e shtegtarëve, që e dëgjonin jo vetëm nga Sheshi, por nga të katër anët e botës, përmes mjeteve të komunikimit,  shembëlltyrën e bujkut, që e hedh farën në katër tipe të ndryshme toke:

“Fjala e Zotit, shprehur me simbolin e farëve - kujtoi - nuk është abstrakte. Është vetë Krishti! Fjala e Atij, që u mishërua në kraharorin e Marisë. E ta pranosh Fjalën e Zotit, do të thotë të pranosh vetë Krishtin”.

Fjala e Zotit, e pranuar si rrugë

Por për ta pranuar Fjalën e Zotit ka disa mënyra. Mund ta bëjmë këtë – shpjegoi Papa - ashtu si fara që hidhet në rrugë të madhe, ku vijnë menjëherë zogjtë  dhe e çukasin. E kjo quhet çkujdesje:

“Njeriu, i rrethuar nga një mori thashethemesh, nga një mori ideologjish, nga një mori mundësish për t’u dëfryer brenda e jashtë shtëpie, mund ta humbasë shijen e heshtjes, të lutjes, të dialogut me Zotin. E rreziku është aq i madh, sa në fund mund ta humbasë edhe vetë fenë!”.

Fjala, si tokë gurishte

Rruga e dytë - kujtoi Papa - është ta pranosh Fjalën e Zotit si tokë gurishte, me pak dhé:

“Aty fara mbin shpejt e shpejt, por po aq shpejt edhe thahet, sepse nuk mund t’i shtrijë rrënjët në thellësi. Kjo është figura e entuziazmit të çastit, por që mbetet në cektinë, nuk e përbluan Fjalën e Zotit. E kështu, përballë vështirësive, vuajtjeve, trazirave të jetës, kjo fe e ligshtë thahet, si fara e rënë në mes të gurishtes”.

Fara, si tokë e mirë

Së fundi, mund ta pranojmë si tokë të mirë:

“Këtu, e vetëm këtu, fara mbin, rritet e sjell fryte. Fara e rënë në këtë dhe pjellor simbolizon ata, që e dëgjojnë Fjalën, e pranojnë, e ruajnë në zemër dhe e vënë në jetën e përditshme”.

Shembëlltyra e bujkut, që hedh farën, është nënë e të gjitha shembëlltyrave, sepse flet për dëgjimin e Fjalës, na kujton se Fjala e Zotit është farë pjellore, që prodhon fryte! E Zoti e hedh kudo me bujari, pa u kursyer. Kështu është zemra e Zotit! E secili prej nesh është truall, ku bie Fjala. Asnjë nuk përjashtohet!

Çfarë toke jam?

Mund të pyesim: çfarë toke jam? I ngjas rrugës, tokës gurore, gëmushës? Mund të jemi edhe kështu! Por, nëse duam, mund të bëhemi tokë e mirë, e  kultivuar me kujdes, që në të, të mbijë, të rritet e të japë fryt Fjala e Zotit.

Toka mirë është në zemrën tonë

E kemi në zemrën tonë, tokën e mirë - kujtoi Papa në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot - por që të japë fryt, kjo varet nga ne, varet nga mënyra si e trajtojmë këtë farë!

“Shpesh të habitur nga shumë interesa, nga shumë zhurma, është e vështirë ta dallojmë, ndërmjet një mori zërash e fjalësh, Fjalën e Zotit, e vetmja që na bën të lirë. Virgjëra Mari, model i përkryer i tokës së mirë e pjellore, na ndihmoftë, me lutjen e saj, të bëhemi tokë pa ferra e pa gurishte, që të mund të japim fryte të mira për ne e për vëllezërit tanë”.

Papa nxiti- siç ka bërë edhe shumë herë të tjera gjatë papnisë - ta mbajmë përherë me vete Ungjillin, për t’u mësuar me Fjalën e Zotit:

“Mbajeni gjithnjë me vete një ungjill të vogël, një botim xhepi, në xhep, në çantë…E kështu lexojeni çdo ditë një copëz, që të mësohemi ta lexoni Fjalën e Zotit, ta kuptoni mirë cila është fara, që të ofron Zoti e të mendoni edhe në çfarë toke do ta hidhni”.

12 korrik 2020, 13:21