Kërko

Vatican News
 Lutja e Engjëllit të Tënzot Lutja e Engjëllit të Tënzot  (Vatican Media)

Papa në Engjëllin e Tënzot: jo të pushtetshmit, por të shtypurit e krijojnë “njerëzimin e ri”

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Françesku, duke komentuar fragmentin ungjillor të Shën Markut Ungjilltar, nga liturgjia e së dielës, kujtoi se edhe sot Jezusi u kërkon gjithë njerëzve vullnetmirë të “jenë zemërbutë e të përvujtë” si Ai, t’i ndihmojnë e t’ua shuajnë urinë të varfërve, të cilët Kisha është e thirrur t’i ungjillëzojë.

Françesku e nisi që më 1 korrik periudhën e pushimeve verore, nëse mund t’i quajmë kështu pushimet e Papës, që s’di ç’është pushimi. Prej këndej, audiencat e përgjithshme u ndërprenë, deri në gusht. Po lutja e Engjëllit të Tënzot do të vijojë, si zakonisht. E si, zakonisht, edhe sot, Papa u duk në dritaren mbi Sheshin e Shën Pjetrit, për lutjen e së dielës, i ndjekur nga besimtarë e shtegtarë, gjithnjë më të shumtë, që kanë nisur t’ia kthejnë Sheshit fytyrën e zakonshme gazmore, me brohoritjet dhe duartrokitjet për Atin e Shenjtë e me meditimin e porosive të Ungjillit, deri të dielën tjetër. Në pritje të porosive të reja.

Himni i bekimit dhe i falënderimit

E me komentin e faqes ungjillore të kësaj së dieleje e nisi takimin e sotëm Papa. Ka tri  pjesë - kujtoi - por çka të bie më shumë në sy, është himni i bekimit dhe i falënderimit, që i larton Krishti Atit, sepse ua zbuloi të varfërve e të thjshtëve misteret e Mbretërisë së qiellit. E më pas Ungjilli na zbulon  edhe lidhjen e ngushtë e krejtësisht të veçantë të Tij me Atin; së fundi, na fton të ecim pas Tij e  ta ndjekim, nëse duam të gjejmë prehje!

Së pari, lavdërimi i Atit

Në fillim - vijoi të kujtojë Papa - Jezusi e lavdëron Atin, sepse ua fshehu sekretet e Mbretërisë së vet “të urtëve e të diturve”. I thërret kështu me ironi të hollë, sepse kështu edhe e mbajnë veten, ndonëse e kanë zemrën të mbyllur:

“Ndërsa misteret u zbulohen atyre, që besojnë në Fjalën e Tij të  shëlbimit. Që kanë nevojë për Të! Që e presin gjithçka prej Tij!”.

Ftesa e Jezusit: ejani tek unë!

Jezusi shpjegon, pastaj, se gjithçka ka, e mori nga Ati. E thërret “Ati im”, për të pohuar lidhjen e Tij të veçantë me Hyjin: njëri e njeh tjetrin, jeton në tjetrin! Ky bashkim i pashembullt i ngjet lules, që çel, për t’ua dhuruar të gjithëve bukurinë dhe mirësinë e saj. Si ftesa e Jezusit: “Ejani tek Unë!”. Jezusi dëshiron të na e japë të gjithëve, çka e merr nga Ati!

Zemërbutë e i përvujtë

Më pas Papa nënvizoi edhe një lidhje tjetër të ngushtë të Jezusit: atë me të vegjlit, të nëpërkëmburit, të lodhurit, të shtypurit, të varfërit në shpirt. Si në lumninë e tretë. Jezusi e jeton këtë lidhje me përkushtim të plotë ndaj Atit e nga Ai e merr mësimin, që e quan “zgjedhë”, siç ishte zakon të quhej barra e Ligjit dhe e mësuesve të ndryshëm. Po ai premton një zgjedhë “të ëmbël e të lehtë”, për dy arsye; së pari, sepse zgjedha vjen nga Hyji Atë; së dyti, sepse e mbart Ai vetë i pari. Kështu Krishti, zemërbutë e i përvujtë është model për të varfërit në shpirt e për gjithë të lumtë e Ungjillit, që bëjnë vullnetin e  Zotit dhe e dëshmojnë Mbretërinë e Tij.

Prehja e premtuar, mesazh për gjithë njerëzit vullnetmirë

Prehja, që premton Zoti, nuk është vetëm lehtësim psikologjik a lëmoshë. Është gëzimi i të varfërve, që ungjillëzohen e bëhen ndërtues të njerëzimit të ri. E ky është mesazh për të gjithë njerëzit vullnetmirë:

“Jezusi ia drejton edhe sot një bote, që nderon të pasurin e të pushtetshmin, pa pyetur fare me ç’mjete e ç’rrugë i siguroi pasurinë e pushtetin,  e nuk ngurron ta shtypë të papasurin e të papushtetshmin, duke ia shkelur, pa dhimbje e pa mëshirë, deri dinjitetin njerëzor. Jo më pak është mesazh edhe për Kishën, që është e thirrur t’i jetojë veprat e mëshirës e t’i ungjëllëzojë të varfërit”.

Në përfundim të Engjëllit të Tënzot, si zakonisht, lutja drejtuar Marisë, krijesës më të lartë mbi të gjitha krijesat e tjera:

 “Zoja e Bekuar na nxjerrtë nga Zoti hirin e urtisë së zemrës, që të dimë t’i dallojmë shenjat e saj në jetën tonë e të bëhemi pjesëtarë të këtyre mistereve që, të fshehura për krenarët, u zbulohen kokulurve!”.

05 korrik 2020, 12:18