Kërko

Vatican News
Urata e Rruzares lutje Kristologjike Urata e Rruzares lutje Kristologjike 

Papa: Feja ёshtё thesar pёr t’u ofruar

Papa Françesku: “Feja është misionare ose nuk është fe. Feja gjithmonë të nxit tё dalësh nga vetja. Feja duhet të transmetohet. Jo për të bindur, por për të ofruar një thesar. Le t'i lutemi Zotit të na ndihmojë që ta jetojmë fenë tonë në këtë mënyrë: një fe të hapur, një fe transparente”.

R.SH. - Vatikan

“Feja është misionare ose nuk është fe. Feja gjithmonë të nxit tё dalësh nga vetja. Feja duhet të transmetohet.  Jo për të bindur, por për të ofruar një thesar. Le t'i lutemi Zotit të na ndihmojë që ta jetojmë fenë tonë në këtë mënyrë: një fe të hapur, një fe transparente”. Kёshtu pohon Papa Françesku njё tweet, sot mё 9 korrik 2020, nё faqen e internetit @Pontifex.

Feja të mundëson të takosh Zotin

Feja të mundëson të zbulosh se takimi me Zotin vlerëson, përkryen dhe larton gjithçka është e vërtetë, e mirë dhe e bukur në shpirtin e njeriut. Është dije, njohje, që i jep jetës shije, shijen e re të ekzistencës, atmosferën gazmore për të qenë në botë. Është njohja e Hyjit-Dashuri, për hir të vetë dashurisë së Tij. Dashuria e Zotit, pastaj, të bën të shikosh, t’i hapë sytë, të krijon mundësi ta njohësh gjithë realitetin, përtej perspektivave të ngushta të individualizmit e të subjektivizmit, që e çorientojnë ndërgjegjen. Mund të pohojmë, prandaj, se feja na çon në njohjen e Zotit posaçërisht përmes takimit të dashurisë, takim jetik me Të. Zoti e ndriçon fenë e me hirin e tij hap horizonte të reja të pafundme për t’u përshkuar. Prandaj, feja të nxit të kërkosh gjithnjë, të mos ndalesh kurrë.

Feja ndriçon jetën e njeriut

“Lumen fidei”, “Drita e fesë”: titullohet edhe Enciklika e parë e Papës Françesku, botuar nё korrik tё vitit 2013. Drejtuar ipeshkvijve, meshtarëve, diakonëve, rregulltarëve dhe gjithë besimtarëve shekullarë, e ndarë në katër kapituj, Enciklika, shpjegon Papa Françesku, ishte pothuajse e kryer nga Benedikti XVI. Këtij shkrimi, Papa Bergoglio i shtoi edhe mendimin e tij. Qëllimi i dokumentit është që feja të shikohet përsëri si dritë, e aftë për të ndriçuar gjithë jetën njerëzore.

Kush beson, shikon. Kush beson, nuk është kurrë i vetëm, sepse feja është pasuri, e cila u takon të gjithëve, pasuri e përbashkët, që të ndihmon ta dallosh të mirën nga e keqja e t’i ndërtosh shoqëritë tona, duke u dhënë shpresë. Kjo është zemra e Lumen fidei: e një feje, që nuk e shkëput njeriun nga realiteti, por e ndihmon ta kuptojë në thellësi. Në një epokë, si kjo moderne, shkruan Papa Françesku, në të cilën besimi i kundërvihet kërkimit e feja shikohet si shpresë e kotë, si kërcim në zbraztësi, që e pengon lirinë e njeriut, ka rëndësi të besosh e t’ia besosh vetveten, përvujtërisht e me guxim, dashurisë përdëllyese të Zotit, që drejton udhët e shtrembëra të historisë sonë.

Dëshmitar i besueshëm i fesë është Jezusi, përmes të cilit Hyji vepron vërtet në histori. Kush beson në Jezusin, jo vetëm e sheh Zotin, por shikon edhe me sytë e Tij. E ashtu si në jetën e përditshme i besojmë arkitektit, farmacistit, avokatit, që i dinë punët më mirë se ne, kështu, për fenë i besojmë Jezusit, specialistit të punëve të Zotit, Atij, që na shpjegon Hyjin. Feja nuk është fakt privat, nënvizon Papa, sepse dëshmohet në gji të Kishës, si bashkim konkret i besimtarëve. E kështu ekzistenca e besimtarit bëhet ekzistencë kishtare.

Të ruhet dhurata e fesë, që të mos meket

Duhet të mendojmë, pohoi Papa gjatë Meshës, kremtuar mё 26 janar 2015, në Kapelën e Shën Martës, nё festën liturgjike të shenjtorëve Timoteu e Titi, duke komentuar, në mënyrë të veçantë, Letrën e 2-të të Shën Palit drejtuar dishepullit të tij, Timoteut,  nëse e kemi ende vetëdijen e transmetimit të fesë, të trashëgimisë, duke lënë mënjanë përgojimet pagane e thashethemet boshe të botës. Të gjithë ne, pohoi Papa, e kemi marrë dhuratën e fesë. Duhet ta ruajmë, që të paktën të mos meket, të vijojë të jetë e fortë, me pushtetin e Shpirtit Shenjt Zot, që na e dhuroi. E feja ruhet duke e mbajtur gjithnjë të gjallë këtë dhuratë të Hyjit”.

“Nëse ne nuk e kemi çdo ditë kujdesin e gjallërimit të fesë, feja ligështohet, zbehet, përfundon në kulturë. Po, po, jam i krishterë, po, kulturë e asgjë më. Ose bëhet gnozë, dije: ‘Po, unë i di mirë të gjitha gjërat e fesë, e njoh me themel katekizmin’. Po si e jeton fenë tënde? Kjo ka rëndësi; ta jetosh, ta gjallërosh e ta dёshmosh çdo ditë këtë dhuratë, ta mbash gjallë”. “T’i lypim Zotit hirin, përfundoi Papa, të kemi fe të kulluar, fe, e cila nuk nxiret në treg sipas nevojave, që na sjell fati. Fe, që ditë për ditë përpiqem ta gjallëroj ose, së paku, i kërkoj Shpirtit Shenjt të ma gjallërojë, e kështu të jap një fryt të madh”. Trashëgimi më i bukur, që mund t’u lëmë të tjerëve, është feja.

09 korrik 2020, 12:28