Kërko

Vatican News

Në ndihmë të indigjenëve, një nga respiratorët dhuruar nga Papa

Një nga katër respiratorët, që çojnë oksigjen në mushkëri, dhuruar nga Papa Françesku, mbërriti në Hospital de Campanha të shtetit brazilian Parà, për t’u ardhur në ndihmë indigjenëve në luftën kundër koronavirusit.

R.SH. - Vatikan

“Ishte veprim i bukur solidariteti nga ana e Papës Françesku, përmes Nunciaturës Apostolike, për spitalin kushtuar të sëmurëve të Covid-19 në Marabá. Ne kërkojmë që të përdoret në mënyrë të veçantë për popujt indigjenë, pasi ata janë më nevojtarë”: kështu deklaron në një intervistë, ipeshkvi i Marabá-së, në Shtetin Pará, imzot Vital Corbellini. Në një video, publikuar në faqen e internetit të dioqezës, shihet imzot Corbellini ndërsa, duke folur para spitalit, sqaron se respiratori për mushkëritë do të përdoret për më nevojtarët dhe falenderon nga zemra Papën Françesku e nuncin apostolik, duke shpresuar që këto aparate të shpëtojnë jetë.

Dje, mbërritja e respiratorit

Vatikani ka çuar katër respiratorë në Brazil. Njëri prej tyre, së bashku me një matës temperature, mbërritën në Marabá të dielën dhe iu dorëzuan nga ipeshkvi dioqezan koordinatorit të strukturës shëndetësore të indigjenëve. Në të ka 10 shtretër për pacientët me Covid-19, ku janë shtruar tashmë dy vetë.

Papa Françesku tregon vëmendje të veçantë për indigjenët

 “Papa i ka për zemër popujt autoktonë, të drejtat e të cilëve shkelen shpesh. Qeveria nuk u kushton shumë vëmendje këtyre njerëzve. Tokat, pyjet dhe lumenjtë e tyre janë zënë nga të tjerët: prandaj, këta njerëz duhen parë me dashuri dhe duhen ndihmuar të jetojnë më mirë. Tani kemi këtë pajisje, që mund t’u shpëtojë jetën dhe po ua dorëzojmë këtu, në këtë spital shumë të rëndësishëm në Marabá”, thekson imzot Vital Corbellini në gazetën “Jornal Liberal”. Sipas Departamentit të Shëndetësisë në Shtetin Amapá, në kufi me Shtetin Pará, shkalla e zënies së shtretërve në terapi intensive në dy spitalet rajonalë të Marabá-së është 91%.

14 korrik 2020, 15:35