Kërko

Vatican News

Mos i lini vetëm të moshuarit. Fjalët e Françeskut për famullitarin e Corviale-s

Më 1 korrik, në mbrëmje, telefonata e papritur e Papës Françesku për famullitarin e Shën Palit të Kryqit, don Roberto Cassano, në lagjen Corviale të Romës. Ati i Shenjtë pati vizituar famullinë më 12 prill 2018. Françesku kërkoi lutje për të dhe kujdes për të ligshtit.

R.SH. - Vatikan

“Kur Papa pati ardhur për vizitë baritore në famullinë tonë, i pata treguar që bënim transmetime në internet, për t’u qëndruar pranë të gjithëve dhe i pata kërkuar bekimin. Por kurrë nuk e prisja një telefonatë prej tij në transmetimin e fundit, para pushimeve të verës, siç edhe ndodhi!” Akoma nuk i besohet don Roberto Cassano-s, famullitarit të kishës së shën Palit të Kryqit, në lagjen problematike Corviale të Romës. Lagje e vështirë, me një aglomerat ndërtesash gri, gjysëm të rrënuara, ku jetojnë lloj-lloj njerëzish, ndërmjet të cilëve, edhe të moshuar të vetmuar, migrantë, familje me probleme shoqërore, madje, një pjesë e apartamenteve banohen në mënyrë të paligjshme nga ata, që nuk kanë shtëpi. Më 1 korrik, në mbrëmje, mbërriti përkëdhelja e Papës Françesku, përmes një telefonate të papritur për famullitarin.

Një atë, që nuk i harron bijtë e vet

 “Duhej të transmetonim episodin e fundit të një serie, që së bashku me dy meshtarë të tjerë të famullisë, e patëm quajtur ‘Kujdes nga ata të tre’, por asgjë nuk funksiononte. Transmetimi i drejtpërdrejtë nuk fillonte, gjithçka dukej e bllokuar. Ndërkaq, ra zilja e telefonit tim dhe unë u përgjigja. E menjëherë njoha zërin e Papës!” Kështu, don Roberto, siç tregon në një intervistë për Radio Vatikanin - Vatican News, u përpoq ta lidhte në streaming atë telefonatë, që ta dëgjonin të gjithë anëtarët e famullisë. “Ishte emocionuese për ne të gjithë - vazhdon ai – ta merrnim vesh se Ati i Shenjtë e kujton ende vizitën që na bëri, se lutet për ne, se nuk e ka harruar Emanuelin, atë fëmijë, që e kishte humbur të atin prej pak kohësh dhe që, mes lotësh, e pati pyetur nëse prindi i tij ishte në Parajsë, megjithëse nuk besonte në Zot. Papa e pati përqafuar e ngushëlluar, prandaj, Ati i Shenjtë nuk shihet si i largët, por si një baba, që me të vërtetë erdhi për t’u bërë i afërt me njerëzit në vështirësi”.

Impenjimi i lutjes për Papën

 Vërtet, gjatë telefonatës, Papa kërkoi në mënyrë të veçantë të mos lihen vetëm më të ligshtit, si të moshuarit. “Realiteti ynë është tejet i veçantë, me shumë probleme - shpjegon don Roberto. - Si famulli përpiqemi t’u qëndrojmë sa më pranë pleqve të vetmuar. Gjatë mbylljes në shtëpi, për shkak të pandemisë, i merrnim shpesh në telefon për t’i pyetur si ishin dhe nëse kishin nevojë për ndonjë gjë. Jemi përpjekur që të mos u mungojë kurrë Sakramenti i Eukaristisë atyre, që e kanë kërkuar. Përmes mediave shoqërore, transmetuam meshën dhe emisione të tjera, me të cilat u përpoqëm t’i shoqëronim njerëzit”. E si zakonisht, në fund të telefonatës, Papa i kërkoi don Robertos të lutej për të. “Na e kërkoi disa herë - përfundon famullitari – prandaj, vendosëm, së bashku me meshtarët e tjerë, t’i ftojmë të gjithë anëtarët e famullisë të angazhohen çdo ditë në lutje për Papën tonë të dashur, në mënyrë që Zoti ta mbështesë në vështirësi dhe ta ruajë”.

03 korrik 2020, 11:20