Kërko

Vatican News

Lutja e Papës Françesku për Georg Ratzinger

Ati i Shenjtë i shkruan paraardhësit të tij, duke i shprehur afërsi shpirtërore për vdekjen e të vëllait.

R.SH. - Vatikan

Një lutje për shpirtin e imzot Georg Ratzinger, vëllait të Benediktit XVI e një lutje edhe për Papën e nderit, që të ngushëllohet në këtë çast dhimbjeje. Këtë siguron Papa Françesku, në një letër dërguar paraardhësit të tij, për vdekjen e të vëllait të dashur, që Joseph Ratzinger e vizitoi më 18 qershorin e kaluar, duke përballuar lodhjen, që i shkaktoi udhëtimi për në Gjermani. Donte ta shihte edhe një herë e t’i jepte lamtumirën e fundit.

“Ju – i shkruan Papa Françesku, Benediktit XVI - patët delikatesën të ma komunikoni i pari lajmin për vdekjen e vëllait tuaj të dashur, imzot Georg. Dëshiroj t’ju shpreh sërish ngushëllimet e mia më të thella dhe afërsinë time shpirtërore në këtë çast dhimbjeje”.

“Ju siguroj lutjen time për shpirtin e të ndjerit - vijon Papa - që Zoti i jetës, në mirësinë e tij plot mëshirë, ta pranojë në atdheun qiellor dhe t’i japë shpërblimin e përgatitur për shërbëtorët besnikë të Ungjillit”.

“E lutem edhe për ju, Shenjtëri - përfundon Françesku - duke i kërkuar Zotit Atë, përmes ndërmjetësimit të Virgjërës Mari, mbështetjen e shpresës së krishterë dhe ngushëllimin e ëmbël hyjnor. Gjithmonë të bashkuar në ndjekjen e Krishtit të ringjallur, burim shprese dhe paqeje”. Papa Françesku e përfundon letrën me fjalët kuptimplote, me të cilat nënshkruan “si bir e si vëlla”, duke treguar kështu, dashurinë dhe përkushtimin, që e lidh me paraardhësin e tij.

02 korrik 2020, 12:31