Kërko

00549_08072013.JPG

Lampeduzë: 7 vite pas vizitës, meshë e Papës në Shën Martë

Të mërkurën, në përvjetorin e udhëtimit të tij të parë jashtë Vatikanit, më 8 korrik 2013, në ishullin simbol të vuajtjes së shumë migrantëve në Mesdhe, Papa Françesku do të kremtojë një meshë në kapelën e Shtëpisë së Shën Martës, në të cilën do të marrë pjesë vetëm personeli i Seksionit të Migrantëve dhe Refugjatëve në Dikasterin për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor.

R.SH. - Vatikan

Një përvjetor, që s’duhet harruar, pavarësisht nga masat kundër Covid-19. Edhe këtë vit, Papa Françesku dëshiron ta kujtojë me një meshë përvjetorin e vizitës së tij në Lampeduzë, ishullin ndërmjet Tunizisë dhe Italisë, në Kanalin e Sicilisë, një rrypi deti, “i cili, në vend që të jetë udhë shprese, është bërë udhë vdekjeje” për mijëra migrantë. Ati i Shenjtë do ta kremtojë meshën të mërkurën, në kapelën e Shtëpisë së Shën Martës, nga ora 11 deri në orën 12, në një ditë, kur nuk zhvillohet më audienca e përgjithshme e zakonshme, pasi korriku është muaj pushimi për Françeskun. Duke pasur parasysh situatën shëndetësore, shkaktuar nga koronavirusi, drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni, njofton se në “meshë do të marrë pjesë vetëm personeli i Seksionit të Migrantëve dhe Refugjatëve në Dikasterin për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor”.

Në vitin 2019, mesha në altarin e katedrës së Shën Pjetrit

Vitin e kaluar, Papa e kremtoi meshën në altarin e Katedrës së Bazilikës së Shën Pjetrit. Në të morën pjesë rreth 250 vetë, ndërmjet të cilëve edhe migrantë, refugjatë e ata, që punuan për t’u shpëtuar jetën. Në udhëtimin e tij të parë jashtë Vatikanit, Papa denoncoi “globalizimin e indiferencës”, që i bën njerëzit të pandjeshëm ndaj britmës së të tjerëve. Ajo dalje e parë zyrtare e Papës argjentinas jashtë mureve të Vatikanit përmbante disa prej shenjave, që më vonë do të karakterizonin papninë e tij: periferitë, të fundmit, gjestet kuptimplote. Në një intervistë, me të cilën fillon libri “In viaggio” (Në udhëtim) i Andrea Tornielli-t, Papa Françesku tregon se është “prekur dhe mallëngjyer” nga lajmet për migrantët, që mbyten në det: njerëz të thjeshtë, fëmijë, gra, burra, që vazhdojnë ta humbin jetën edhe sot, shtatë vite pas atij udhëtimi, në këto lundrime të dëshpëruara, shpesh, mbi anije të improvizuara, administruar nga njerëz të paskrupull.

Pamje dhe fjalë nga vizita e Papës në Lampeduzë

Pas vizitës së Papës, më 3 tetor, një tragjedi tjetër

Ai i Lampeduzës qe një udhëtim i paplanifikuar, pa ndonjë ftesë zyrtare, por siç shpjegon Papa në intervistë, “e ndjeva se duhej të shkoja”. Në një program të ngjeshur vetëm në një orë e gjysmë, Ati i Shenjtë u bëri homazhe viktimave të Mesdheut, së bashku me të mbijetuarit e atyre udhëtimeve, me banorët e ishullit, Kishën dhe institucionet vendore, me meshtarët dhe veprimtarët humanitarë. E shqiptoi homelinë e meshës në fushën e sportit “Arena”, para 10.000 vetëve, nga një altar i ndërtuar me pjesë të anijeve të mbytura, vende të vdekjes për shumë migrantë. Vizita baritore në Lampeduzë synonte “të zgjonte ndërgjegjet, që çka ndodhi të mos ndodhë më”. Por, fatkeqësisht, drama e migrantëve, që mbyten në det, jo vetëm në Lampeduzë, vazhdon: disa javë pas vizitës së Papës Françesku, më 3 tetor të po atij viti, 366 vetë u mbytën në det, sërish para brigjeve të ishullit sicilian. Një delegacion të mbijetuarish u pritën vitin e mëpasëm nga vetë Papa Françesku, në Vatikan.

Globalizimi i indiferencës

  Në vendin simbol të vuajtjes në Mesdhe, jehon akoma thirrja e Papës: “në këtë botë të globalizuar kemi rënë në globalizimin e indiferencës”, “jemi mësuar me vuajtjet e tjetrit, nuk na shqetësojnë, nuk na interesojnë, nuk është puna jonë”! Kemi humbur “aftësinë për të vajtuar” me tjetrin. Atëherë, Papa iu lut Zotit për “falje para indiferentizmit për kaq shumë vëllezër e motra”, “falje për ata, që janë rehatuar e mbyllur në mirëqenien e tyre, e cila sjell anestezinë e zemrës”, “falje për ata, që me vendimet e tyre globale, kanë krijuar situata, që çojnë në këto drama”. I kërkoi Hyut që bota të marrë “guximin për t’i mirëpritur njerëzit, të cilët kërkojnë një jetë më të mirë”.

06 korrik 2020, 15:51