Kërko

Vatican News

Koha e pushimeve: “magjisteri” i Papëve, nga Wojtyla tek Françesku

Gjon Pali II pranoi, fillimisht pa dëshirë, ftesën e të rinjve të Trevisos për të shkuar me pushime në Lorenzago. Po, prej andej, lindi një reflektim origjinal për kohën e pushimit.

R.SH. - Vatikan

Më të moshuarit e mbajnë mend mirë. Dikur, nuk shkohej me pushime. Në më të shumtën e rastit, dikush kthehej në vendin e origjinës dhe nëse ishte e mundur, qëndronte ndonjë javë, dy ose tre, me gjyshërit ose xhaxhallarët, por kaq ishte puna. Pushimet ishin për të pasurit. Pastaj erdhi zhvillimi ekonomik, i cili nuk i bëri të gjithë të pasur, por i mbushi xhepat me aq sa duhej për një javë pushime. E, më vonë, do të vinte koha për pushime, të themi, cilësore: ato inteligjente, ato jashtë rrugëve të zakonshme turistike, alternative e, lloj-lloj të tjerash, sa është e vështirë t’u mbahen mend emrat e, edhe mbiemrat, me të cilat cilësohen. Por, meqë po flasim për mbiemra, askujt nuk i shkonte ndërmend se pushimet që do të kalonin në histori, ose më saktë, do ta bënin historinë, do të ishin ato, që cilësohen me një mbiemër të pamenduar ndonjëherë për pushimet.

E ky mbiemër është fjala “papnore”, që në vitin 1987, i befasoi të gjithë. Çfarë? Papa po shkoka me pushime? Po papët nuk shkojnë me pushime! Nuk kanë shkuar kurrë, vetëm janë zhvendosur në rezidencën verore të Castel Gandolfo-s. E, megjithatë – se në fund të fundit, ka gjithnjë një herë të parë – në korrikun e vitit 1987 filloi epoka e pushimeve papnore, që nuk do të ndërpritej më (megjithëse Papa Françesku parapëlqen të qëndrojë në Vatikan).

Ideja, që nuk do t’i kishte shkuar ndërmend askujt – ajo për t’i propozuar Papës të kalonte disa ditë pushimi në mal – i erdhi një grupi të rinjsh italianë nga Treviso. Dioqeza e tyre kishte një vilë disi të izoluar në Lorenzago di Cadore, pranë kështjellës së Mirabello-s, që përdorej për pushimet verore të seminaristëve. Përmes ipeshkvit, propozimi mbërriti në veshët e Gjon Palit II e, fillimisht, përgjigjja qe negative. Pastaj, “jo”-ja u bë “ndoshta”, deri sa…çuditërisht, dëshira e të rinjve u plotësua. Të mendoje se ky vendim nuk do të krijonte probleme, do të thoshte të gënjeje veten. Në të vërtetë, kritikat qenë të shumta, por ranë mbi shpatullat e gjera të polakut Wojtyla.

 I cili, shi për këtë, ose, edhe për këtë, filloi të përvijonte një magjister papnor për pushimet, që, vit pas viti, me kontributin e pasardhësve, u pasurua me faqe të reja. Gati me prepotencë, ato hynë në reflektimet më të rëndësishme të doktrinës shoqërore të Kishës, duke e ndryshuar faktikisht, vetë nocionin e pushimeve. Jo diçka, që u përket vetëm të pasurve e, as kohë mungese e largimi, siç sugjeron etimologjia, por, siç shpjegoi Papa Françesku në Lutjen e Engjëllit të Tënzot, më 6 gusht 2017, diçka e rëndësishme për të gjithë, sepse të gjithë kanë nevojë për “një kohë të dobishme për të përtërirë forcat e korpit e të shpirtit, duke u thelluar në udhën shpirtërore”.

Ngjitja e dishepujve në malin Tabor “na nxit të reflektojmë për rëndësinë e shkëputjes nga gjërat e kësaj bote për të bërë një udhë drejt lartësive e për të kundruar Jezu Krishtin. Duhet ta hapim zemrën për të dëgjuar me vëmendje e në lutje Krishtin, Birin e dashur të Atit Qiellor, duke kërkuar çaste, që na lejojnë ta pranojmë butësisht e gëzueshëm Fjalën e Zotit. Jemi të thirrur të rizbulojmë heshtjen e paqtë e ripërtëritëse të meditimit të Ungjillit, të Biblës, e cila na çon drejt një jete të pasur me bukuri, shkëlqim e gëzim”.

Më 21 korrik 1996, duke folur nga Lorenzago, gjatë Lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa Wojtyla, në një farë mënyre, i pati fiksuar një herë e përgjithmonë këto koncepte, duke vënë në dukje se “të përfshirë nga ritmi gjithnjë e më i shpejtë i jetës së përditshme, të gjithë kemi nevojë të ndalemi nganjëherë e të pushojmë, duke i lënë më tepër kohë reflektimit dhe lutjes. Duke na paraqitur Zotin, që bekon ditën, e cila i kushtohet pushimit, Bibla dëshiron të na kujtojë nevojën e njeriut për t’ia kushtuar një pjesë të kohës së vet, çlirimit nga sendet, për të gjetur vetveten e për të kultivuar ndjenjën e madhështisë e të dinjitetit, që i vjen nga shembëllimi me Zotin”.

Prandaj, pushimet “nuk duhen parë si arratisje e thjeshtë nga jeta e përditshme, që varfëron shpirtërisht, por si kohë cilësore në jetën e njeriut. Duke e ndërprerë ritmin e përditshëm, që e lodh fizikisht e shpirtërisht, njeriu ka mundësinë të përtërijë aspektet më të thella të jetesës e të veprimtarisë së tij. Në çastet e pushimit e, në veçanti, gjatë pushimeve të gjata, njeriu ftohet ta kuptojë se puna është mjet e jo qëllim i jetës. Gjithashtu, ka mundësinë të zbulojë bukurinë e heshtjes, si hapësirë, në të cilën gjen vetveten, për t’ia hapur zemrën mirënjohjes dhe lutjes për Zotin. Atëherë, krejt natyrshëm, e sheh me sy të rinj jetën e vet dhe atë të të tjerëve: i çliruar nga detyrimet e përditshme, ai mund të rizbulojë përmasën e vet kundruese, duke i vënë re gjurmët e Zotit në natyrë e, sidomos, në njerëzit e tjerë. Kjo është një përvojë, që e bën të tregojë vëmendje të re ndaj personave, që ka pranë, duke filluar nga familja”.

E pra, nëse ky magjister papnor për pushimet s’është revolucion… çfarë është atëherë?

18 korrik 2020, 08:17