Kërko

Vatican News

Françesku: kur i ndajmë të mirat me të tjerët krijojmë vëllazërim

Papa dërgon një mesazh, përmes kardinalit Czerny, me rastin e Ditës së Punonjësve të Fshatit, kremtuar në Brazil më 25 korrik, për të falënderuar “Lëvizjen e njerëzve pa tokë”, që u shpërndau ushqime familjeve të varfëra, pavarësisht nga pengesat e shkaktuara nga pandemia.

R.SH. - Vatikan

Ka ndryshuar skenari i betejës, por fryma, që e ushqen është po ajo. Në më se 35 vjet, “Lëvizja e njerëzve pa tokë” ka krijuar njëqind kooperativa dhe po aq firma bujqësore, përgjatë fushave të gjera të Brazilit. Në toka joprodhuese, për të cilat Lëvizja ka gjetur mënyrën t’i kthejë në frytdhënëse, duke ndihmuar së paku 370 mijë familje fshatare e duke i dhënë kështu formë, idesë së reformës agrare, që po vijon prej dekadash, në këtë shtet të madh të Amerikës Latine.

Gjest i bukur

         Përkrahja e ndërsjellë është vlerë për Lëvizjen, e cila tani - në kohën e Covid-19, që po e godet me forcë Brazilin, - ka përveshur mëngët për të ndihmuar familjet në vështirësi. E Papa e falenderon organizatën braziliane, duke theksuar se shpërndarja e pakove me ushqime është “gjest i bukur” së bashku me ndihmat e tjera të saj për popullsinë fshatare. E bën këtë përmes një mesazhi të shkruar me rastin e Ditës së Punonjësve të Fshatit e firmosur, në emër të tij, nga kardinali Michael Czerny, zvsekretar i Seksionit të Migrantëve në Dikasterin për Zhvillimin e gjithanshëm njerëzor.

Bashkëpunimi sjell jetë e vëllazërim

         Gjithçka bëjnë familjet e reformës agrare “për të ndihmuar familjet në nevojë, në periferi të qyteteve - lexohet në mesazh - është shenjë e Mbretërisë së Zotit, që sjell solidaritet dhe bashkim vëllazëror”. Jezusi, kujton më tej Papa, i shumëfishoi bukët për të uriturit e kohës së tij e, madje, tepruan. Prandaj, kur “i ndan të mirat me të tjerët – ky, mendimi i Françesku - prodhon jetë, krijon lidhje vëllazërore, e shndërron shoqërinë. Shpresojmë që ky gjesti juaj të shumëfishohet dhe t’i inkurajojë njerëzit dhe grupet e tjera të bëjnë të njëjtën gjë”, sepse “Zoti i do ata, që dhurojnë me gëzim”.

28 korrik 2020, 14:49