Kërko

Vatican News
 DBR e Panmasë, janar 2019 DBR e Panmasë, janar 2019  (Vatican Media)

DBR-ja, sivjet me temë “Të rinjtë dhe shëndeti mendor”

Dita ndërkombëtare e rinisë ekumenike e Këshillit Botëror të Kishave (WCC), sivjet i kushtohet reflektimit për shëndetin mendor të breznive të reja.

R. SH. - Vatikan

“Të rinjtë dhe shëndeti mendor” është tema e Ditës ndërkombëtare të rinisë, organizuar për 12 gusht nga Këshilli Botëror i Kishave(WCC). Është hera e dytë që organizohet, pas asaj të vitit të kaluar, kremtuar në Gjenevë. Ideja lindi nga Dita ndërkombëtare e rinisë, themeluar më 1999, pikërisht më 12 gusht, nga OKB-ja, për të vënë në dukje rëndësinë e pjesëmarrjes të të rinjve në përpjekjet për zhvillimin e shoqërisë. WCC  ka në program një çast lutjeje virtuale si dhe bisedime me specialistë. Për këtë përgatiti edhe një doracak, në ndihmë të Kishave vendase, për ta realizuar sa më mirë takimin. Tema e Ditës sivjet u zgjodh mbi bazën e argumenteve të kërkuara nga vetë të rinjtë. WCC ofron edhe një sërë mjetesh-udhëheqëse për famullitë e familjet, me një mori informacionesh mbi temën, me këshilla, tekste liturgjike e thellime, që mund të shërbejnë në të gjitha rrethanat. Dita ndërkombëtare e rinisë ekumenike e këtij vitit  do të propozojë reflektime lidhur me industrializimin, konfliktet ndërmjet  breznive, jetën moderne, Covid 19, emergjencën klimaterike, interesat kulturore dhe migrimet.

Shëndeti mendor, tregues i mirëqenies

Për Organizatën Botërore të Shëndetësisë, shëndeti mendor është  shprehje e mirëqenies, që i krijon njeriut mundësinë të realizojë vetveten, t’i fashisë tensionet e jetës së përditshme, të bëjë punë prodhuese e të japë ndihmesën e vet edhe për bashkësinë, në gjirin e së cilës jeton. Mirëqenia, ndërmjet tjerash, përfshin edhe aspekte emotive, psikologjike e shoqërore. Aktualisht mendohet se 10/20%  e adoleshentëve në mbarë botën vuajnë nga gjendje shëndetësore mendore të pamjekuara e të padiagnostikuara. Sipas OMS, ndërmjet problemeve më të mprehta, janë shqetësimet emotive, sjelljet foshnjore, shqetësimet ushqimore, psikozat, vetëplagosja dhe sjelljet, që vënë në rrezik vetë jetën. Dita ndërkombëtare e rinisë  ekumenike synon thellimin e bashkëpunimit të Kishave të WCC lidhur me temën e shëndetit mendor të të rinjve; identifikimin e çështjeve kyçe që kanë të bëjnë me shëndetin mendor të të rinjve dhe promovimin e kësaj Dite  në nivele të ndryshme.

01 korrik 2020, 11:03