Kërko

Vatican News

Veprimtaria javore e Papës dhe e Vatikanit

Ngjarjet më të rëndësishme, që karakterizuan javën e kaluar të Papës Françesku, të Selisë së Shenjtë dhe të Kishës Katolike.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku priti dje në Sallën Klementine në Vatikan, një grup mjekësh, infermierësh dhe punonjësish shëndetësorë nga Lombardia. Së bashku me ta, ipeshkvijtë e qyteteve lombarde më të goditura nga pandemia e koronavirusit, ai i Padovës dhe presidenti i vetë Lombardisë.

“Në vorbullën e një epidemie me pasoja tronditëse dhe të papritura, - u tha Ati i Shenjtë - prania e besueshme dhe bujare e personelit mjekësor dhe paramjekësor ka qenë pikë e sigurt referimi, para së gjithash për të sëmurët, por sidomos, për familjarët, që nuk kishin mundësi të vizitonin të dashurit e tyre. Kështu, ata gjetën tek ju, punonjësit shëndetësorë, gati familjarë të tjerë, të aftë për të bashkuar aftësitë profesionale me vëmendjen e kuptuar si shprehje konkrete dashurie. Pacientët mendonin shpesh se kishin pranë “engjëj”, të cilët i ndihmuan të shëroheshin dhe, njëkohësisht, i ngushëlluan, i mbështetën e, nganjëherë i shoqëruan edhe në pragun e takimit përfundimtar me Zotin. Këta punonjës shëndetësorë, të mbështetur nga shqetësimi i kapelanëve të spitalit, dëshmuan për afërsinë e Zotit me ata që vuajnë; ata ishin artizanë të heshtur të kulturës së afërsisë dhe të butësisë”.

  Duke kërkuar që kjo përvojë solidariteti e dhembshurie të kthehet në thesar për të ardhmen, Papa Françesku pati fjalë të ngrohta edhe për kapelanët e spitaleve e për meshtarët, që shoqëruan të gjithë njerëzit, gjatë mbylljes nëpër shtëpi. “Muajt e fundit, - vuri në dukje Ati i Shenjtë - njerëzit nuk mund të merrnin pjesë në kremtimet liturgjike, por nuk reshtën s’u ndjeri bashkësi. Ata u lutën individualisht ose në familje, edhe përmes mjeteve të komunikimit shoqëror, të bashkuar shpirtërisht, duke e kuptuar se përqafimi i Zotit shkon përtej kufijve të hapësirës. Zelli baritor dhe shqetësimi krijues i meshtarëve i ndihmoi njerëzit ta vazhdojnë udhën e fesë dhe të mos mbeten vetëm përballë dhimbjes dhe frikës. E admiroj shpirtin apostolik të shumë meshtarëve, që mbetën përkrah grigjës së tyre: ishin shenjë e pranisë ngushëlluese të Zotit. Për fat të keq, jo pak prej tyre vdiqën. E, ndërmjet jush, ka edhe meshtarë të sëmurë, që janë shëruar, falë Zotit. Përmes jush, falënderoj të gjithë klerin, që ka dhënë provë guximi e dashurie për njerëzit”, përfundoi Papa Françesku.

Papa: të respektohet liria e ndërgjegjes

“Liria e ndërgjegjes u respektoftë gjithnjë e kudo; e çdo i krishterë të japë shembullin e koherencës me një ndërgjegje të drejtë e të shndritur nga Fjala e Zotit”. Kjo ishte thirrja e Papës Françesku, në audiencën e përgjithshme të së mërkurës së kaluar, transmetuar në internet e në televizion nga biblioteka private e Atit të Shenjtë. “Bie sot, 17 qershor, – kujtoi Françesku – ‘Dita e Ndërgjegjes’, frymëzuar nga dëshmia e diplomatit portugez Aristides de Sousa Mendes, i cili 80 vite më parë, vendosi të ndjekë zërin e ndërgjegjes e kështu, shpëtoi jetën e mijra hebrenjve dhe të persekutuarve të tjerë”. Gjatë katekizmit, Papa u kujtoi ipeshkvijve se janë shërbëtorë të grigjës së tyre, ura e ndërmjetësues pranë Zotit për popullin e tij e jo njerëz të karrierës.

Selia e Shenjtë: “Nevojitet një qytetërim i ri ekologjik”

Tryeza ndërdikasteriale e Selisë së Shenjtë paraqiti, të enjten, më 18 qershor, një dokument mbi ekologjinë e gjithanshme, pesë vite pas botimit të enciklikës së Papës Françesku “Laudato Sì”. “Në këtë kohë të vështirë, e destinuar t’i ndryshojë jo pak shoqëritë në të cilat jetojmë, - shkruhet në tekst - jemi të thirrur të kujdesemi për njëri-tjetrin, të mos mbyllemi në egoizëm, të promovojmë dhe ta mbrojmë jetën njerëzore nga zënia deri në përfundimin e saj të natyrshëm, të ofrojmë kujdesin e duhur mjekësor për të gjithë, të ushqejmë solidaritetin ndërkombëtar, të luftojmë kulturën e hedhurinave, të studiojmë, të ndërtojmë së bashku sisteme të reja e më të drejta ekonomike dhe financiare, të impenjohemi në dialog, paqe, ta refuzojmë dhunën dhe luftën”.

Në vëllimin 220 faqësh, theksohet “centraliteti i përmasës së ekologjisë së gjithanshme në jetën e secilit prej nesh” dhe nevoja për të gjetur mënyra konkrete jetese, që respektojnë shtëpinë tonë të përbashkët dhe banorët e saj, sidomos kur ndodhen në gjendje të vështira e problematike.

Selia e Shenjtë: nënshkruhet protokolli i bashkëpunimit ndërmjet AIF-it dhe Zyrës së revizorit të përgjithshëm

Më 16 qershor, kreu i Autoritetit vatikanas të Informacionit Financiar (AIF), Carmelo Barbagallo, dhe revizori i përgjithshëm “ad interim”, Alessandro Cassinis Righini, nënshkruan një memorandum mirëkuptimi “që synon forcimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit ndërmjet dy Autoriteteve, edhe përmes takimeve periodike strategjike dhe operative”. Bashkëpunimi më i ngushtë u njoftua me një komunikatë të përbashkët për shtyp, të enjten, më 18 qershor. Memorandumi i mirëkuptimit, njoftojnë promovuesit, “do të mundësojë realizimin më të mirë të detyrave të caktuara nga legjislacioni i Vatikanit”, sipas të cilit, AIF-i kontribuon në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, ndërsa Zyra e Revizorit të përgjithshëm, në luftën kundër korrupsionit”.

Kurs universitar për ekumenizmin

 Në Universitetin Papnor të Lateranit në Romë do të fillojë një kurs kushtuar ekumenizmit. Do të zgjasë dy vite dhe do të ketë gjashtë module: historiko-patristik, bibliko-themelor, doktrinoro-dogmatik, etiko-moral, liturgjiko-kulturor dhe misionar. Ky formim në nivel universitar synon të përforcojë themelet e dialogut ndërmjet traditave të ndryshme të krishtera. Paraqitja zyrtare u bë të premten, më 19 qershor.

Kursi 2-vjeçar, që do të nisë në vitin shkollor 2020-2021, pra, në vjeshtë, titullohet “Teologjia ndërkonfesionale në perspektivën ekumenike e bashkuese”. Qe pikërisht Papa Françesku ai, që e inkurajoi këtë nismë, gjatë vizitës në Universitetin Papnor Lateranens, më 31 tetor 2019. Ati i Shenjtë nguli këmbë në rëndësinë e dialogut, kuptuar jo vetëm si mënyrë për të jetuar së bashku me fetë e tjera të krishtera, por edhe si kriter edukativ për brezat e rinj.

Terrasanta.net: në tetor, edicioni IV i Ditëve të Arkeologjisë

Do të mbahet nga 22 deri në 24 tetor të këtij viti, edicioni VI i Ditëve të Arkeologjisë, Artit dhe Historisë së Lindjes së Afërt dhe të Mesme 2020. Temat e sesioneve do të jenë: studimet dhe restaurimet e ardhshme në Varrin Shenjt të Jeruzalemit; Varri Shenjt nëpër botë, duke filluar nga Mesjeta, në fushën e arkitekturës dhe të liturgjisë; thellime historike dhe gjeopolitike për pakicat në Lindjen e Mesme; rrugë të reja shtegtimi. “Shpresa jonë – lexohet në njoftimin e faqes së internetit Terrsanta.net, promovuese e ngjarjes - është që rregullat e reja të na lejojnë t’i promovojmë Ditët në siguri dhe me mënyrat e zakonshme, megjithatë, nëse kjo nuk do të jetë e mundur, po pajisemi me teknologjinë e nevojshme për t’i transmetuar konferencat në kanalet tona multimediale”.

Terrasanta.net njofton edhe se Dita XIII e Vullnetarëve të Tokës Shenjte do të mbahet në Romë më 31 tetor, “një takim tradicional kushtuar të gjithë miqve të Tokës Shenjte. Një mundësi për t’u takuar, për të shkëmbyer përvojën, për të dëgjuar dëshmitë dhe për t’i bërë njerëzit të ndihen pranë bashkësive, që jetojnë në Tokën e Jezu Krishtit”. Nëse normat kundër Covid-19 nuk do të lejojnë realizimin e kësaj ngjarjeje me praninë e të gjithëve, atëherë ajo do të transmetohet në kanalet multimediale.

Dita Botërore e Refugjatëve

U kremtua dje në të gjithë botën, Dita Ndërkombëtare e Refugjatit, themeluar nga OKB-ja në vitin 2000, për të përkujtuar miratimin e Konventës për refugjatët nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, në vitin 1951.

Pandemia aktuale, shkaktuar nga koronavirusi, ndërsa na bën të gjithëve të ndihemi më të bashkuar dhe më të barabartë, ka rrezik të na bëjë të harrojmë shumë probleme, përfshirë jetën dhe vështirësitë e miliona njerëzve të detyruar të ikin larg tokës së tyre, si refugjatë, ose si migrantë. Në Mesazhin e tij për Ditën, që Kisha i kushton kësaj teme, për t’u kremtuar më 27 shtator, Papa Françesku përqendrohet tek ata që, detyrohen të lëvizin brenda vendit të tyre, për shkak të luftërave, varfërisë, klimës, dhunës. Edhe për ta vlejnë temat e mikpritjes, të integrimit, të promovimit, politikat e menduara enkas për problemet e tyre dhe planet për t’i mbrojtur. Njeriu në qendër, përtej çdo paragjykimi, siç ka theksuar gjithnjë Papa e siç bëhet edhe më urgjente, kur 1% e popullsisë botërore, rreth 79,5 milion vetë detyrohen të largohen nga vendet e tyre, sipas statistikave të Komisariatit të Lartë të OKB-së për Refugjatët (UNHCR).

Mbrëmë, Bashkësia kishtare e Shën Egjidit organizoi një lutje për migrantët dhe refugjatët, që kanë humbur jetën në ikje nga luftrat e nga uria. Që nga viti 1990, në Detin Mesdhe e në rrugë të tjera tokësore emigracioni drejt Evropës, kanë vdekur rreth 40.900 vetë. Edhe Qendra e jezuitëve “Astalli”, në Romë, e cila historikisht ka pritur e integruar edhe shumë shqiptarë nga të gjitha trevat, organizoi dje një mbrëmje me muzikë e fjalë kushtuar refugjatëve, transmetuar në Rai Radio 3. Javës së kaluar, në një kuvendim mbi refugjatët organizuar nga kjo Qendër, foli edhe prefekti i Dikasterit tonë për Komunikimin, Paolo Ruffini. Duke reflektuar mbi temën “Në secilin prej nesh, gjurma e secilit prej të tjerëve”, prefekti nënvizoi nevojën për ta rimenduar bashkësinë e sotme njerëzore, ndarë në “ju” e “ne”.

 Duhet të mbizotërojë fjala “mirëseardhje”, nënvizoi ai, e jo “mosbesimi”, që shoqëron gjithnjë refugjatët.  Një botë e ëndërruar vetëm për vete është krejtësisht e gabuar, ka frikë nga të tjerët, mbyllet në vetvete, duke e humbur kështu edhe identitetin vetjak. Krijimi i fajtorëve të rremë, për t’u akuzuar për çdo gjë, nënvizoi Ruffini, na pengon ta shohim zgjidhjen e problemeve, që janë absolutisht “të ndërlidhura”. Duke u bazuar në shembujt biblikë e në Ungjill, duhet të zgjedhim, përfundoi ai, një identitet, që “nuk e tradhton historinë e vëllazërimin tonë” dhe “bukurinë e gjetjes së strehës tek njëri-tjetri”.

Tensioni në Kore. Deklaratë e imzot Lazër You

Tension i lartë javës së kaluar ndërmjet Koresë së Veriut e asaj të Jugut, pasi Piong-jangu i vuri dinamitin zyrës së ndërlidhjes ndërmjet dy vendeve në Kaesong dhe kërcënoi të dërgojë trupat ushtarake në zonën e çmilitarizuar. Ipeshkvi i Daejeon-it bën thirrje: “U drejtohem vendeve kufitare me gadishullin korean dhe bashkësisë ndërkombëtare: ju lutemi na lini të punojmë ndërmjet nesh. Jemi të aftë të bëjmë gjithçka, mund të punojmë së bashku për paqen dhe pajtimin e popullit tonë”. Jemi vëllezër e motra, kemi të njëjtën e gjuhë e të njëjtën histori, nënvizon ipeshkvi katolik Lazër You Heung-sik, i cili sqaron edhe se shpërthimi nuk u bë në një datë të rastit. Ishte dita pas 15 qershorit, që shënonte 20-vjetorin e takimit të parë ndërmjet eksponentëve të dy qeverive, pas ndarjes së Koresë.

21 qershor 2020, 09:19