Kërko

Vatican News

Të diel, Papa kremton festën e Corpus Domini - Korpit e Gjaku tё Krishtit

Festa e Corpus Domini ka të bëjë me një mrekulli mallëngjyese, që e nxiti Papën e atëhershëm, në shekullin XIII, ta shpallte atë për gjithë Kishën Katolike. Korpi e Gjaku i Krishtit na ndihmojnë të mos shpërbëhemi, të mos e humbasim dinjitetin tonë të krishterë, të mos poshtërohemi, na ruajnë nga korrupsioni.

R.SH. - Vatikan

Të dielën, 14 qershor, Papa Françesku do të kremtojë meshën e Solemnitetit të Korpit e të Gjakut të Krishtit në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan, në praninë e 50 besimtarëve, për të respektuar masat kundër pandemisë së koronavirusit.

Festa e Corpus Domini ka të bëjë me një mrekulli mallëngjyese, që e nxiti Papën e atëhershëm, në shekullin XIII, ta shpallte atë për gjithë Kishën Katolike.

Ishte viti 1263. Një meshtar bohem, në shtegtim drejt Romës, u ndal për të kremtuar meshën në Bolsena të Italisë. Ndërsa thyen hosten, dyshon për praninë reale të Krishtit në atë petëz me miell e ujë. Papritmas, nga hostja bien disa pika gjaku, që lënë njollë në korporalin prej linoje dhe rrasën e altarit. Që nga viti 1252, në Koncilin IV të Lateranit, transubstancioni ishte kthyer në dogmë të fesë. Por, pas mrekullisë së Bolsenës, Papa Urbani IV vendosi ta shtrijë në të gjithë Kishën Solemnitetin e Corpus Domini, përmes bulës “Transiturus” të vitit 1264. Festa kremtohet të enjten e javës së dytë pas Rrëshajëve.

Gjithçka nis nga zemra e Krishtit, në Darkën e Mbrame me apostuj, kur në prag të Mundimeve të Tij,  Jezusi falënderoi dhe lëvdoi Hyjin Atë e, kështu, me fuqinë e dashurisë së Tij, e shndërroi kuptimin e vdekjes, të cilën po përgatitej ta përballonte. Fakti që Sakramenti mbi altar ka marrë emrin “Eukaristi” – pra, “kthim i hirit” – shpreh pikërisht këtë: shndërrimi i substancës së bukës e të verës në Korpin e Gjakun e Krishtit, është fryt i dhurimit të Jezusit, që u ofroi të gjithëve dhuratën e Dashurisë së Tij, më të fortë se vdekja, Dashuri hyjnore, që e ringjalli së vdekurish. Ja përse Eukaristia është ushqim për amshim, Bukë e jetës.

“Corpus Domini është rikthim në misterin e së Enjtes së Madhe, gati-gati si të donim t’i bindeshim ftesës së Jezusit “për ta predikuar nga pullazet atë, që Ai na e ka thënë në vesh”(cfr. Mt.10,27). Apostujt e morën dhuratën e Eukaristisë në intimitetin e Darkës së Mbrame, por kjo darkë nuk u shtrua vetëm për ta. Rreth asaj sofre ishin të ftuar të gjithë njerëzit e botës. Sofër aktuale, e përhershme, që e nxit Kishën ta nxjerrë vazhdimisht Sakramentin jashtë, në mënyrë që çdo njeri të mund ta takojë Jezusin, i cili kalon sot nëpër rrugët tona, ashtu si kalonte nëpër rrugët e Galilesë, të Samarisë e të Judesë e që gjithkush, duke e marrë në zemër, të shërohet e të përtrihet nga forca e dashurisë së tij. Kjo është trashëgimia e përhershme dhe e gjallë që na la Krishti në Sakramentin e Korpit e të Gjakut të tij, trashëgimi që duhet rimenduar e rijetuar vazhdimisht me qëllim që, siç pati thënë Papa Pali VI, “Të vulosë me forcën e vet të pashterrshme, të gjitha ditët e jetës sonë të vdekshme” (Mësime, V[1967], fq. 779). Realitet misterioz, që s’e kap dot mendimi!

E pikërisht sepse kemi të bëjmë me një realitet misterioz, i cili i kapërcen kufijtë e mendimit tonë, nuk duhet të çuditemi që sot shumkush nuk e ka të lehtë të pranojë se Krishti është vërtetë i pranishëm në Eukaristi. Kështu ka qenë që nga dita kur, në sinagogën e Kafarnaos, Krishti deklaroi haptazi se kishte ardhur për të na ushqyer me Korpin e Gjakun e vet. Fjalë tepër të forta këto, përballë të cilave shumë u tërhoqën e e lanë. Si atëherë, edhe sot Eukaristia mbetet shenjë kundërshtie, e nuk mund të mos jetë kështu, sepse një Hyj që flijon vetveten për jetën e botës, e vë në krizë gjithë dijen njerëzore. Por Kisha, me besimin e përvujtë të Pjetrit e të Apostujve të tjerë shpall edhe sot: “Te kush të shkojmë, Zotëri? Ti ke fjalët e jetës së pasosur” (Gjn. 6,68).

Eukaristia është shujta, që u jepet atyre të cilët, përmes Pagëzimit, janë çliruar nga skllavëria e janë bërë bij. Eukaristia është ushqim i domosdoshëm, që i mban gjallë të gjitha breznitë e krishtera në shtegtimin e gjatë të daljes nga shkretëtira e kësaj bote, të tharë nga sisteme ideologjike dhe ekonomike, që nuk e mbrojnë jetën, por përkundrazi e poshtërojnë; e kësaj bote, në të cilën sundon logjika e pushtetit dhe e pasjes, në vend të logjikës së shërbimit e të dashurisë.

Zoti dëshiron që të gjithë të ushqehen me Eukaristinë. Prandaj sot, procesioni dhe adhurimi i përgjithshëm i Eukaristisë, u kujton të gjithëve se Krishti u flijua për mbarë njerëzimin. Kalimi i Tij ndërmjet shtëpive e nëpër rrugët e qyteteve tona, i fton banorët e tyre të bëhen pjesëtarë të gëzimit, të jetës së pasosur, të paqes e të dashurisë, që buron nga Krishti.

E mrekullia e Eukaristisë përmban qartë edhe ftesën drejtuar të gjithë njerëzve për të dhënë kontributin e tyre, për të ecur në rrugët e shenjtërisë e për t’ia dhuruar vetveten vëllezërve, sepse të gjithë jemi të thirrur të bëhemi, së bashku me Jezusin, bukë e thyer për jetën e botës. Na kujton Shën Gjoni Apostull, në Librin e Zbulesës, fjalët e Zotit:“Ja, unë jam te dera e po trokas. Në se ndokush e dëgjon zërin tim dhe e hapë derën, unë do të hyj te ai, do të ha darkë me të e ai me mua”

12 qershor 2020, 13:56