Kërko

Vatican News
 Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot  (Vatican Media)

Françesku: si Pjetri, të ndërtojmë mbi shkëmbin, që është Jezusi

Gjatë kremtimit të Engjëllit të Tënzot, në festën e Shenjtorëve Pjetër e Pal, Pajtorë të Qytetit të Amshuar, Papa ftoi t’ia besojmë Zotit jo vetëm problemet tona, por edhe vetë jetën. Që të mundemi, kështu, të kemi hirin më të madh, domethënë, “të japim jetën për Krishtin”. Pas Engjëllit, Papa u lut që Roma të jetojë me dinjitetin, që i takon.

R. SH. - Vatikan

Është dhuratë të gjunjëzohesh  këtu, në vendin ku Pjetri vdiq e u varros - me këto fjalë e nisi sot, në Solemnitetin e Pajtorëve të Romës, Shenjtorëve Pjetër e Pal, Papa, lutjen e Engjëllit të Tënzot, kremtuar nga dritarja e studios së tij, mbi Sheshin e Shën Pjetrit. Për t’u ndaluar, pastaj, tek rrëfimi i liturgjisë së sotme, që na kujton  burgimin e parë të Pjetrit, lutjen e Kishës për çlirimin e tij e zbritjen e Engjëllit në bimsat e burgut për ta çliruar. E më pas, edhe mbylljen e dytë në burg, nga i cili doli për t’u kryqëzuar, pikërisht këtu, ku sot lartohet Bazilika madhështore, që mban emrin e Kryeapostullit.

Jeta e Pjetrit dhe jeta jonë

Fund i hidhur, po që mund ta ndriçojë jetën tonë. Zoti i dha shumë hire dhe e çliroi nga e keqja: e kështu bën edhe me ne. Madje ne shpesh shkojmë tek Ai vetëm atëhere kur kemi nevojë. Po Zoti shikon shumë më larg e na fton edhe ne të ecim pas tij, jo për të kërkuar dhurata, por Atë vetë; e për t’ia besuar jo vetëm problemet tona, por vetë jetën tonë:

“Kështu mund të na e japë hirin më të madh, atë të dhurimit të jetës. Po, gjëja më e rëndësishme e jetës, është ta bësh jetën tënde dhuratë”.

E kjo vlen për të gjithë: për prindërit ndaj fëmijëve e fëmijët ndaj prindërve, për të martuarin e të kushtuarin; vlen kudo. Vetëm kështu bëhemi të mëdhenj:

“Ta shikojmë Shën Pjetrin, nuk u bë hero për t’u liruar nga burgu, por për të dhënë jetën këtu. Dhurata e tij e shndërroi vendin e ekzekutimit në këtë vend shprese, ku kremtojmë sot”.

Çka duhet t’i kërkojmë Zotit?

Ja, pra çka duhet t’i kërkojmë Zotit: jo vetëm hirin e çastit, por hirin e jetës. Cili është, atëhere, sekreti i një jete të lumtur? Ta njohim Jezusin, si Zot të gjallë. Nuk ka rëndësi të dimë çfarë vendi zë Jezusi në histori. Rëndësi ka të dimë çfarë vendi zë në jetën tonë!  Pjetri bëri shumë gabime. Arriti deri atje, sa ta mohojë Mjeshtrin. Por vendosi ta ndërtojë jetën mbi Jezusin, jo mbi vetveten. Është Jezusi shkëmbi, mbi të cilin Simoni u bë gur.

Një pyetje, drejtuar Apostujve: “Po unë, si duhet ta ndërtoj jetën?”

Sot, para Apostujve, mund të pyesim: “E unë si e ku mund ta ndërtoj jetën time? Mendoj vetëm për nevojat e çastit, apo besoj se nevoja ime e e vërtetë është Jezusi, që bën nga unë një dhuratë? E si e ndërtoj jetën, mbi aftësitë e mia, apo mbi Zotin e gjallë?”.

Papa e përfundoi lutjen, duke kujtuar shembullin e Marisë:

“Zoja,  që ia besoi gjithë vetveten Zotit, na ndihmoftë ta vëmë Atë në bazë të çdo dite!”.

29 qershor 2020, 12:56