Kërko

Vatican News
 Papa uron pushime të gëzuara- Dolomiti Papa uron pushime të gëzuara- Dolomiti 

Papa u uron të gjithëve, pushime të gëzuara!

Pas katekizmit, Papa u uron të gjithëve pushime të gëzuara. Kujton se sot kremtohet festa e Shën Gjon Pagëzuesit

R. SH. - Vatikan

Ky qershor i jashtëzakonshëm, i ngarkuar me ankthet e pandemisë, shumë më tepër se me ëndrrat e pushimeve verore, po i afrohet fundit. E, pavarësisht nga Covid-19, dielli i nxehtë ua kujton, dashur pa dashur, njerëzve të stërlodhur, pushimet aq të dëshiruara, Pikërisht pushimet verore kujtoi edhe Papa, gjatë përshëndetjeve në përfundim të katekizmit. Uroi  që kjo verë të jetë kohë prehjeje e rast i bukur për të kundruar Zotin në kryeveprën e gjithësisë, të krijuar prej Tij.

Françesku përshëndeti pastaj të moshuarit, të rinjtë, të sëmurët,  të sapomartuarit. E në vijim, duke kujtuar edhe se sot kremtohet Lindja e Shën Gjon Pagëzuesit, i ftoi të gjithë të mësojnë prej tij, që ishte pararendës i Jezusit, aftësinë për ta dëshmuar me guxim Ungjillin, përtej ndryshimeve, duke ruajtur harmoninë e miqësinë e duke  e bërë të besueshëm kumtimin e fesë.

Të gjithëve, Bekimi im – ishin fjalët e fundit të përshëndetjes drejtuar mbarë besimtarëve, që e ndiqnin nga të katër anët e botës përmes mjeteve të komunikimi.

24 qershor 2020, 11:17