Papa shton tri thirrje në Litanitë Lauretane, njëra është për emigrantët
R. SH. - Vatikan
Një diell, që nganjëherë na zbulon rreze të reja! Të cilat ta ngrohin shpirtin! Kështu mund t’i përfytyrojmë figurativisht Litanitë Lauretane, thirrje, apo lutje shekullore, që mijëra besimtarë ia drejtuan - e ia drejtojnë - në shekuj Marisë, pas Rruzares shenjte. Këtyre thirrjeve, të njohura nga të gjithë të krishterët, Papa vendosi t’u shtojë edhe tri të reja: “Mater Misericordiae”, “Mater Spei” e “Solacium migrantium” - “Nëna e Mëshirës”, “Nëna e Shpresës”, por edhe “Ngushëllimi i migrantëve”.
Thirrjet e reja
Njoftimin për këtë vendim të Papës e dha Kongregata për Kultin Hyjnor dhe Dispilinën e Sakramenteve, përmes një letre, drejtuar kryetarëve të Konferencave ipeshkvnore. “Të panumërt janë titujt, lutjet e thirrjet, që përshpirtëria popullore ia drejon në shekuj Virgjërës Mari, “udhë” e sigurt, që të çon te Krishti - shkruajnë në letër kardinali Robert Sarah e kryeipeshkvi Artur Roche, perkatësisht prefekti e sekretari i dikasterit vatikanas. E në vijim saktësojnë: thirrja e parë do të vendoset pas “Mater Ecclesiae” - Nëna e Kishës; e dyta, pas “Mater Divinae Gratiae” - Nëna e Hirit Hyjnor, e treta. pas “Refugium peccatorum” - Streha e mëkatnorëve”.
Lutje të lindura nga “sfidat e jetës”.
Nuk janë fryt fantazie, lutjet apo thirrjet e reja drejtuar Marisë. Litanitë e lashta me emrin “Lauretane”, nga Shenjtërorja e Shtëpisë Shenjte të Loretos, që i bëri të njohura në gjithë botën - lidhen ngushtë me jetën e Kishës e të njerëzimit. Edhe tani, kur bota është e trazuar e shikon me ankth të sotmen e të ardhmen, njeriu e ndjen fort nevojën t’i drejtohet për ndihmë dikujt, që i ngjall besim e shpresë, në trishtim e mosbesim.
Litanitë e Papët
Papët kanë shtuar herë pas here lutje a thirrje të reja në Litanitë. Për shembull, Gjon Pali II shtoi thirrjen “Nëna e familjes”. Rruzarja, e dimë, ka një fuqi të jashtëzakonshme. U përgjigjet situatave të ndryshme të jetës, kërkesave, britmave, lotëve e gëzimeve të njerëzimit. Sepse i krishteri nuk gjunjëzohet me rruzare në dorë vetëm për të kërkuar. Por edhe për të falënderuar për hirin e dhuruar. E në këto çaste jo të lehta, për atë që vuan nga Covid-19 - a për të afërmit e tij, ndërmjet të cilëve, migrantët, larg tokës së tyre e larg të afërmve, thirrjet “Mater Misericordiae”, “Mater Spei” e “Solacium migrantium” – “Nëna e Mëshirës”, “Nëna e Shpresës”, “Ngushëllimi i migrantëve” - lutu për ne - sigurisht nuk do të mbeten pa përgjigje!