Kërko

Vatican News
2020.06.20 Udienza Medici Infermieri e Operatori Sanitari dalla Lombardia 2020.06.20 Udienza Medici Infermieri e Operatori Sanitari dalla Lombardia  (Vatican Media)

Papa personelit shëndetësor tё Lombardisë: artizanë të kulturës së afërsisë e të butësisë

Papa: keni filluar një mrekulli, e tani me ndihmёn e Zotit çojeni deri fund. Një mendim tё veçantё Papa e pati për shumë mjekët, infermierët dhe priftërinjtë që humbën jetën nё shërbimin e tyre tё pakursyer ndaj tё sёmurёve nga Kovid.

R.SH. - Vatikan

"Keni qenë një nga shtyllat e rëndësishme të mbarë vendit. Juve këtu dhe kolegëve tuaj nё mbarë Italinë, ju shpreh vlerësimin e falënderimin tim tё sinqertë, e di se me kёtё shpreh edhe ndjenjat e të gjithëve". Kёshtu tha Papa Françesku në audiencën e sotme, mbajtur paradite nё Vatikan, me një përfaqësi të mjekëve, infermierëve dhe punonjësve të shëndetësisë nga Lombardia e Italisё, e shtoi "tani, është koha për të ruajtur e vlerësuar të gjithë këtë energji pozitive që ёshtё investuar". Në fakt "është një pasuri që, pjesërisht, ёshtё " humbur", në dramën e emergjencës; por pjesa mё e madhe e saj mund e duhet të japë fryte për të tashmen dhe të ardhmen e shoqërisë lombarde e atё italiane".

Në fjalën e tij, Papa Françesku falënderoi së pari guvernatorin e Lombardisë, Attilio Fontana për fjalët e përshëndetjes, në të cilat e ftoi Papën ta vizitojë rajonin për t’u "sjellë ngushëllim" familjeve tё viktimave dhe të sëmurëve të këtyre muajve, e ipeshkvijtë e pranishëm sё bashku me delegacionin  e Lombardisë, "një nga rajonet italiane më të prekura nga epidemia e Kovidit-19, së bashku me Piemonten, Emilia Romagnan e Veneton, si dhe përfaqësuesit e spitalit tё Romёs “Spallanzani", njё qendër mjekësore qё i ёshtё përkushtuar shumë luftimit tё virusit".

Papa ripohoi "mirënjohjen e tij të thellë mjekëve, infermierëve dhe të gjithë punonjësve shëndetësorë që kanё qenё nё krye tё detyrës e të shërbimi të vështirë, madje shpesh edhe heroik" gjatё periudhës sё koronavirusit. "Shumë prej tyre, shtoi Ati i Shenjtё, u sëmurën e disa, për fat të keq, vdiqën, në ushtrimin e profesionit. Ti kujtojmë nё lutje me shumë mirënjohje”.

Papa theksoi se "në vorbullën e një pandemie me efekte tronditёse e të papritura, prania e besueshme e bujare e personalit mjekësor dhe e stafit para mjekësore ka qenë njё pikë referimi e sigurt, para së gjithash për të sëmurët, por në një mënyrë vërtetë të veçantë edhe për familjarët, qё në këtë rast nuk kishin mundësi t’i vizitonin të dashurit e tyre”.

Në veçanti, Papa Françesku kujtoi se si pacientët e sёmurё nga koronavirusi "shpesh e ndjenin se kishin pranë tyre "engjëj", që i ndihmuan të rikuperonin shëndetin e, në të njëjtën kohë, i ngushëlluan, i mbështetën dhe shpesh herë i shoqëruan deri në pragun e takimit përfundimtar me Zotin".

Këta punëtorë të shëndetësisë,"të mbështetur nga nxitja e kapelanëve të spitaleve", dëshmuan afërsinë e Zotit ndaj atyre që vuanin, shkurt, ishin "artizanë të heshtur të kulturës së afërsisë e tё përdëllimit". Edhe me "gjeste të vogla kreativiteti plotё dashuri", duke e lidhur me telefonin celular "atё plakun që po vdiste me djalin e tij, me vajzën e tij për t'u përshëndetur e pёr t’u parё për herë të fundit...". 

Papa Françesku vuri gjithashtu në dukje se "zelli pastoral e nxitja krijuese e priftërinjve i ka ndihmuar njerëzit të vazhdojnë rrugën e fesё dhe të mos mbesin vetëm përballë dhimbjes e frikës" mbjellë nga sëmundja.

"Kam admiruar - shtoi Papa - frymën apostolike të shumë priftërinjve, të cilët qëndruan pranë popullit duke bashkёndarë vuajtjet, duke u kujdesur çdo ditё pёr tё sëmurët nga pandemia: kanё qenё shenjë e pranisë ngushëlluese të Zotit". Ati Shenjtё Bergoglio kujtoi se "për fat të keq jo pak prej tyre kanë vdekur". Prandaj falënderoi "të gjithë klerin italian, që dha dëshminë e kurajës e tё dashurisë për njerëzit".

Së fundi, Papa i ftoi të gjithë të mos harrojnë se me punën e tyre, kanë "filluar një mrekulli" tё vёrtet. E duke cituar Manzonin (Të fejuarit), shtoi: "Besoni e kini fe e, siç thoshte ai rrobaqepësi, njё teolog i thjesht e i thellë: ”Kurrë nuk kam parё qё Zoti tё ketë filluar një mrekulli pa e përfunduar mirë".  E "përfundoftë mirë kjo mrekulli që ju e keni filluar!".

Pas bekimit Papa Françesku i përshëndeti të pranishmit. "Por - i paralajmëroi - ne duhet tu bindemi rregulloreve e t’u përmbahemi normave: unё nuk do t’u bëj të vini këtu, do të vij unё, e duke kaluar, të ju përshëndes me dashamirёsi, siç duhet bërë, siç na kanë thënë autoritetet të bëjmë".

20 qershor 2020, 19:04