Papa: nuk duhet të dënojmë por të ndërmjetësojmë edhe për mëkatarët më të mëdhenj!
R. SH. - Vatikan
Papa, në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në në Bibliotekën e Pallatit Apostolik, vijoi katekizmin kushtuar lutjes, duke pasur në qendër të vëmendjes një nga figurat më madhështore të Shkrimit Shenjt, Moisiun, prijësin e ligjvënësin, që e udhëhoqi popullin e zgjedhur drejt tokës së premtuar, dhe lutjen e tij, model për lutjet njerëzve të të gjitha kohëve.
Moisiu, simbol i prijësit
Kur e thirri Zoti, Moisiu ishte një dështak - kujtoi në fillim të katekizmit të sotëm Papa - për të vijuar, më pas, shfletimin e Librit të Daljes, ku na paraqitet populli në ikje nga skllavëria e Egjiptit. Françesku skicoi, në vijim, me pak penelata, portretin e Moisiut. Në të ritë e tij kishte pasur mëshirë për të vetët, duke i mbrojtur gjithnjë të shtypurit. Gjithsesi shpejt kujtohet se pavarësisht nga qëllimet mira, prej duarve të tij nuk buron vetëm drejtësia, por edhe dhuna. Ëndrrat e tij për lavdi zbehen shumë shpejt, e ai, në vend që të bëhet funksionar premtues i faraonit, bëhet bari i një grigje, që nuk është e tija. E pikërisht nësa kulloste dhentë, në heshtjen e thellë të shkretëtirës së Madian, Zoti e thirri Mosiun nga kaçuba në flakë. E ai e dëgjoi zërin e Zotit, që i tha:
“Unë jam Zoti i atit tënd, Zoti i Abrahamit, Zoti i Isakut, Zoti i Jakobit’! E ai mbuloi fytyrën, sepse pati frikë ta shikojë Zotin”.
Frika nga misioni, e pasojat
Pati frikë, sepse Zoti e thirri për një mision, që druhej se nuk do të mund ta kryente. Nuk ishte i denjë për të. Trembej, bëlbëzonte. Nuk kishte besim në forcat e veta. Prandaj Zoti nuk do ta lejonte të hynte në Tokën e Premtuar.
Mosiu, njeri si ne!
Me këtë frikë e këtë zemër, që shpesh lëkundet, Moisiu na duket njeri, si ne të gjithë. E kjo ligështi na çudit edhe më shumë se forca e tij:
“Ndonëse i ngarkuar nga Zoti për t’ia transmetuar Ligjin popullit të Tij, themelues i kultit hyjnor e ndërmjetës i mistereve më të larta, ai nuk i shkëput kurrë lidhjet e solidaritetit me popullin e vet, posaçërisht në orën e tundimit e të mëkatit. Është aq mik me Zotin, sa të mund t’i flasë sy për sy, e mbetet po aq mik me njerëzit, sa të ketë mëshirë për mëkatet e tyre, për tundimet e tyre, për mallin e papritur që ndjejnë, kur kujtojnë të kaluarën në Egjipt”.
Një e kaluar, që duhej shlyer fare nga kujtesa, sepse kohë skllavërie.
Moisiu nuk e braktis popullin, edhe kur mëkaton
Moisiu - kujtoi Papa - nuk është prijës autoritar e despotik; madje në Librin e Numrave përshkruhet “si njeriu më i përvuajtur e më i butë mbi këtë dhe”. Edhe pse është njeri me pozitë, vijon t’i përkasë aradhes të të varfërve në shpirt, që ecin nëpër shkretëtirë duke e mbështetur gjithë besimin në Zotin.
Prijësi, urë ndërmjet qiellit e tokës
Mënyra e lutjes së Moisiut është ndërmjetësimi. Lutet për popullin, si ati për bijtë. Shkrimi Shenjt zakonisht e paraqet me duar të shtrira drejt Zotit, si të donte të bëhej urë ndërmjet qiellit e tokës. Edhe në çastet më të vështira, e deri në ditën kur populli e mohon Zotin e atë vetë, si prijës, duke bërë viçin e artë, Moisiut nuk i bën zemra të largohet prej këtyre njerëzve, që sigurisht, do ta meritonin plotësisht braktisjen. Përkundrazi, i lutet Zotit:
“Ky popull ka bërë një mëkat të madh: ka bërë një zot ari. Po tani, të lutem t’ua falish mëkatin. Përndryshe, më shlyej nga Libri yt!”.
Lutja e vërtetë
Kjo është lutja, që kultivojnë besimtarët e vërtetë në jetën e tyre shpirtërore. Edhe pse i prekin me dorë mëkatet e të vetëve dhe largimin e tyre nga Zoti, këta njerëz, që dinë të luten me gjithë shpirt, nuk dënojnë, as nuk refuzojnë askënd.
Urë ndërmjet Zotit e popullit
Ndërmjetësimi është sjellje tipike e shenjtorëve! Përpiqen t’i ngjajnë Krishtit e bëhen “ura”, që lidhin Zotin me popullin e tij. E Moisiu, në këtë këndvështrim, ishte profeti më i madh i Krishtit, avokati e ndërmjetësuesi ynë!
Ndërmjetës pranë Zotit, për mbarë botën
Moisiu lutet me të njëjtin zjarr, që lutet Jezusi, duke ndërmjetësuar për botën, duke kujtuar se ajo, pavarësisht nga brishtësitë e saj, vijon t’i përkasë Zotit. E Bota jeton e përparon falë bekimit të të drejtit, falë lutjes së vazhdueshme për mëshirë, që larton shenjti për njerëzit, në çdo vend e në çdo kohë të historisë!