Kërko

Vatican News
 Pamje nga vizita e Benediktit XVI në  Regensburg Pamje nga vizita e Benediktit XVI në Regensburg  (ANSA)

Papa i nderit rikthehet në Vatikan

Benedikti XVI rikthehet në Romë të hënën, më 22 qershor, me avion, nga Munihu i Bavarisë: përfundon vizitën tek i vëllai, i sëmurë rëndë.

R. SH. - Vatikan

Papa i nderit rikthehet në Romë të hënën, më 22 qershor, me avion, nga Munihu i Bavarisë: përfundon, kështu, vizitën tek i vëllai, i sëmurë rëndë. Njoftimin ia jep zëdhënësi i dioqezës së Regensburgut, Clemnes Neck, agjencisë katolike gjermane të shtypit KNA. Kujtojmë se Papa u nis për në Gjermani të enjten e kaluar, pikërisht për të viztuar të vëllain, Georg, që është i sëmurë rëndë. Lajmin e dha drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni, duke sqaruar se Benedikti XVI do të kalonte në Regensburg “kohën e nevojshme”.

Sot, dita e fundit në Bavari, Papa ka në program t’i bëjë dy vizita të vëllait, në banesën e tij, ndërsa dje vizitoi disa vende, ku kish jetuar me familjen, të cilat nuk i kishte parë më që më vitin 2006, gjatë vizitës së fundit zyrtare në atdhe. Vizitën e parë e bëri në varrezën Ziegetsdorf. U ndalua tek varri ku pushojnë në paqe prindërit dhe motra e madhe. Ishte një çast i heshtur, i kaluar në lutje, që përfundoi me spërkatjen e rrasës me ujë të bekuar. Vizitoi më pas shtëpinë e vet në Pentling, në rrethinat e Regensburgut, ku banonte kur jepte dogmatikën në Universitetin e qytetit, nga vitet ’69 deri më ’77, e kur u emërua kryeipeshkëv i Munihut e Frisingës. Në këtë shtëpi, sot Instituti Benedikti XVI, ruhet trashëgimia e tij teologjike.

Dje u takua me nuncin, kryeipeshkvin Nikola Eteroviç, i cili në vitet  papnisë së Papës të nderit, kryente detyrën e sekretarit të përgjithshëm të Sinodit të Ipeshkvijve.

21 qershor 2020, 14:31