Kërko

Vatican News
Trëndafilat e Shën Ritës nga Cascia Trëndafilat e Shën Ritës nga Cascia  

Françesku falënderon murgeshat e Cascia-s për trëndafilat e Shën Ritës

Në një letër, dërguar bashkësisë klaustrale të Cascia-s, Papa falënderon murgeshat dhe etërit agostinianë për trëndafilat, që ia dërguan pas bekimit në ditën e kujtimit liturgjik të Shenjtores së rasteve të pashpresë, apo “të padermane”, siç quhen në gjuhën popullore.

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku falënderon murgeshat agostiniane të manastirit të Shën Ritës nga Cascia për pesë trëndafilat e bekuar më 22 maj, që ia dërguan si rojtar i popullit të krishterë të të pesë kontinenteve. Letra, arritur në bashkësinë monastike të mërkurën e kaluar, është tejet prekëse. Papa  u tregon se i vuri trëndafilat tek këmbët Zojës, që me ndërmjetësimin e  Marisë e të Ritës, Shenjtes së rasteve të pamundura, krejtësisht të pashpresa në dukje, lutësit të gjejnë hirin aq të dëshiruar pranë Zotit, “për të cilin nuk ka asgjë të pamundur!”

Krishti, e vetmja shpresë në çaste prove

Françesku nënvizon se “në këtë kohë pandemie, Jezusi është shpresa jonë e vetme e se nëpërmjet Zotit të ngjallur, Ati i mban të gjitha premtimet e na jep provën më të madhe të besnikërisë së Tij”.

“Mos të na trembë, prandaj, as vuajtja e as vdekja - porosit Papa - por të vijojmë udhën për të ndërtuar ardhmërinë, që Zoti dëshiron ta realizojë për të gjithë bijtë e Tij”.

Gëzimi  i murgeshave

Murgeshat e Cascia-s e pritën me entuziazëm të madh letrën, që u erdhi nga Roma. Iu duk si të kishte ndërmjetësuar vetë Shën Rita për këtë gëzim të pritur e të papritur, që flet vetë për vëmendjen dhe kujdesin e Papës ndaj të gjitha gjymtyrëve të gjalla të Kishës, së cilës i prin. “Ia dërguam trëndafilat e bekuar në Cascia ditën e Shën Ritës. Janë lulet që u pëlqejnë shumë të gjithë besimtarëve! Ndaj menduam se mund t’i pëlqenin edhe Papës. Po jo kaq shumë!” – ky komenti për letrën e papritur nga Roma.

Trëndafilat e Shën Ritës, në kohë pandemie

Sivjet, për shkak të emergjencës së koronavirusit, festa e Shën Ritës u organizua duke respektuar normat kundër-Covid e Cascia nuk mundi t’i priste me dashamirësinë e përvitshme mijëra besimtarët, që mblidhen këtu çdo 22 maj. Po ky ishte maj i jashtëzakonshëm e, ndoshta, më i përshtatshmi për t’u gjunjëzuar para Shenjtores së të padermanëve, këto ditë vërtet të “padermane” për shumëkënd. Ndaj murgeshat dhe etërit agostinianë menduan t’ia nisin trëndafilat e bekuar të festës si simbol shprese jo vetëm Papës, por edhe Presidentit të Italisë, Sergio Mattarella dhe gjithë atyre, që mund të bëjnë të mundurën - me bindjen se të pamundurën mund ta bëjë vetëm Zoti, me ndërmjetësimin e Shenjtorëve, si Shën Rita e Cascias. Cili prej nesh nuk e ka provuar së paku një herë në jetë hirin e ndërmjetësisë!

 

14 qershor 2020, 10:07