Papa: asnjë tolerancë për racizmin, por jo dhunës
R. SH. - Vatikan
Në lutjen për George Floyd, afroamerikanin 46 vjeç, vdekur në Minneapolis më 25 majin e kaluar, gjatë arrestimit, Papa dënon çdo formë të racismit, por edhe dhunën, që vijon në disa qytete të SHBA-ve. Kështu u shpreh Françesku në përfundim të audiencës së përgjithshme, në përshëndetjen drejtuar besimtarëve të gjuhës angleze, të lidhur përmes mediave me Bibliotekën e Pallati Apostolik
”Të dashur vëllezër e motra të SHBA-ve, ndjek me shqetësim të madh çrregullimet shoqërore, që po ndodhin në Kombin tuaj këto ditë, pas vdekjes tragjike të Zotit George Floyd. Miq të dashur, nuk mund të tolerojmë as t’i mbyllim sytë para çfarëdo tipi të racizmit ose të përjashtimit e, njëkohësisht, të pretendojmë se mbrojmë shenjëtrinë e çdo jete njerëzore. Njëkohësisht duhet të pranojmë se dhuna e netëve të fundit është vetëshkatërruese e vetëdëmtuese. Asgjë nuk fitohet me dhunë, Gjithçka humbet. Sot bashkohem me Kishën e Shën Palit të Minneapolis e me gjithë SHBA-të në lutjen për pushimin e pasosur të George Floyd dhe të gjithë të tjerëve, që humbën jetën për shkak të mëkatit të racizmit. Të lutemi për ngushëllimin e familjeve e të miqve në zi e edhe për pajtimin kombëtar e paqen aq të dëshiruar. Zoja e Guadalupes, Nënë e Amerikës, ndërmjetësoftë për të gjithë ata, që punojnë për paqen dhe drejtësinë në tokën tuaj e në mbarë botën”.
Pas fjalëve të Papës, ato të ipeshkvijve amerikanë
Fjalët e fuqishme të Papës u pasuan edhe nga ndërhyrjet e ipeshkvijve të SHBA-ve, që theksojnë se e kuptojnë zemërimin e bashkësisë afro-amerikane, duke kujtuar edhe se racizmi u tolerua tepër gjatë, por edhe se të inkurajosh dhunën, do të thotë të inkurajosh vetëshkatërrimin.
Festa e Trinisë Shenjte – në përshëndetjet e Papës
Gjatë përshëndetjeve drejtuar besimtarëve, Papa kujtoi festën e afërt të Trinisë Shenjte, që na çon drejt misterit të jetës intime të Zotit-Një i vetëm në Tri Vetje, qendër e fesë së krishterë, e na nxit të gjejmë, në dashurinë e Zotit, ngushëllimin dhe paqen shpirtërore.
Në përfundim, përshëndetja drejtuar të moshuarve, të rinjve, të sëmurëve e çifteve të reja:
“Besojini Shpirtit Shenjt. Është Zot e jep jetë! Hapjani zemrën dashurisë së Tij, që të mund ta shndërroni jetën tuaj, familjet tuaja e bashkësitë tuaja”.