Kërko

Vatican News

Françesku: edhe në errësirën e jetës nuk mungon kurrë takimi me Zotin

Në audiencën e sotme të përgjithshme Papa vijoi reflektimin kushtuar lutjes, duke folur për figurën e Jakobit, që “lufton me Zotin” një natë të tërë e del nga kjo betejë krejtësisht i shndërruar. Histori në të cilën ne, njerëz të kohëve moderne, mund të shikojmë të pasqyruar jetën tonë. Të vërtetën tonë, si njerëz të vdekshëm!

R. SH. - Vatikan

Të lutesh, nuk do të thotë vetëm ta dëgjosh Zotin si “prani mike”, “e afërt” por edhe ta takosh sy më sy! Këtë na kujtoi sot Papa në audiencën e përgjithshme. Duke shfletuar ciklin e patriarkëve, Françesku u ndalua tek Jakobi, njeri që e kishte bërë dinakërinë petk. Duke ndjekur rrëfimin biblik, mësojmë se ai nuk shkonte mirë me vëllain e tij, Ezaun. Që të vegjël e shikonin shtrembër njëri-tjetrin. E vijuan ta shikojnë kështu, edhe kur u rritën. Jakobi ishte djali i dytë por, me dinakëri, arrin të marrë nga i ati, Isaku, bekimin dhe dhuratën e djalit të madh (krh Zan 25, 19-34). Nuk do të ishte dinakëria e parë, as e fundit për Jakobin, njeri që s’linte gjë pa bërë, vetëm e vetëm për të arritur qëllimet e veta.

I detyruar të ikë, nga frika e të vëllait, ai beson se është i aftë të realizojë çdo dëshirë. Tejet i shkathët në punët e tija, pasurohet gjithnjë më shumë, aq sa bëhet pronar i një grigje të panumërt. Me  guxim e duresë ia del të martohet me vajzën më të bukur të Labanit, të cilën e donte me të vërtetë. Jakobi - po e themi me gjuhën moderne - qe njeri i bërë nga vetja. I zgjuar siç ishte, mund të realizonte gjithçka dëshironte.

Kështu e pikturoi Papa portretin e Jakobit që, i lodhur nga jeta endacake pas grigjëve të veta, një ditë ndjeu thirrjen e atdheut, prej nga ishte larguar e ku jetonte akoma Ezau, vëllai me të cilin qe parë gjithnjë shtrembër.

Atëherë - vijoi të kujtonte Papa - Jakobi niset e bën një shtegtim tejet të gjatë, i ndjekur pas nga karvani i pafundmë i bagëtive të grigjës së tij, derisa arrin tek caku i fundmë, përroi i Jabbok. E këtu Libri i Zanafillës na hap një faqe të paharrueshme.

Një faqe e paharrueshme e Biblës

Bibla – kujtoi Papa në vijim të audiencës së përgjithshme kushtuar lutjes -  na tregon se patriarku, pasi pati kaluar përroin me gjithë njerëzit e dhentë e tij, mbeti fill i vetëm në bregun e huaj. E nisi të mendonte për çka e priste të nesërmen! Për çka mund të ndodhte, kur të takohej me të vëllain, Ezaun. E mendja iu trazua keqas nga një vorbull mendimesh. Ndërsa mbi përroin binte errësira e natës, papritmas u sulmua nga një i panjohur, që nisi të ndeshej me të.

Simboli i lutjes

Katekizmi - kujtoi në vijim Papa - na shpjegon:

“Tradita shpirtërore e Kishës shikon në këtë tregim, simbolin e lutjes, parë si dyluftimi i fesë e si fitore e  durimit” (KKK, 2573).

Bejlegu i njeriut me Zotin

Jakobi luftoi gjithë natën e lume. Në të zbardhur të dritës, u mund, i goditur nga kundërshtari në nervin shiatik e që atë ças çaloi gjithë jetën. Si kishte përfunduar beteja e kësaj nate të jashtëzakonshme, luftëtari i panjohur e pyeti kundërshtarin për emrin e tij. E  më pas i tha:

“Nuk do të quhesh më Jakob, por Izrael, sepse luftove me Zotin e me njerëzit, e fitove”.

Ma trego emrin tënd!

Atëhere edhe Jakobi - vijoi rrëfimin biblik Papa në audiencën e sotme të përgjithme kushtuar lutjes - e pyeti tjetrin:

“Tregoma edhe ti emrin tënd”. Tjetri nuk ia tregoi por, si shpërblim, e bekoi! E Jakobi e mori vesh se ishte takuar sy për sy me Zotin!”.

Ç’do të thotë të luftosh me Zotin?

Të luftosh me Zotin është metafora e lutjes:

“Nuk ishte hera e parë që Jakobi  kishte qenë i aftë të dialogonte me Zotin, ta dëgjonte si prani mike, e afërt. Po atë natë, nga ndeshja, që zgjati deri në agim, deri sa u mund, Patriarku doli njeri tjetër”.

E vërteta mbi njeriun e vdekshëm

Për herë të parë ai nuk qe më zot i situatës, strateg, kalkulues: Zoti e ndihmoi të kujtojë të vërtetën, i kujtoi se është i vdekshëm, është njeri, që trembet e dridhet nga frika! Për herë të parë, ballë për ballë me Zotin, ai nuk pati çfarë t’i tregojë tjetër, veçse ligështinë e pafuqinë e tij. E është pikërisht ky njeri, që merr nga Zoti bekimin, me të cilin hyn, duke çaluar, në tokën e premtuar: i ligshtë  e i ligështuar, por me një zemër të re. Më parë ishte i sigurt në vetvete. Njeri, që i besonte dinakërisë së vet. I papërshkueshëm nga hiri, që nuk dinte ç’është mëshira! Po Zoti e shpëtoi atë, që ishte i humbur.

Të gjithë takohemi natën me Zotin

Të gjithë  takohemi natën me Zotin - kujtoi Papa në audiencën e sotme të përgjithshme, kushtuar lutjes - Ai vjen në çastin kur nuk e presim, kur na pëlqen të rrimë vetëm. Pikërisht në një natë të tillë, duke luftuar kundër të panjohurit, fitojmë vetëdijen se  nuk jemi tjetër, veçse njerëz të varfër. Të pafuqishëm. Po pikërisht atëhere nuk duhet të trembemi, sepse në këtë çast Zoti na jep një emër të ri, në të cilin përmblidhet kuptimi i gjithë jetës sonë; e na jep bekimin, të cilin e ruan për kë e lë  ta shndërrojë!

10 qershor 2020, 12:15