Kërko

Vatican News

Ta lëmë Zotin të na ngushëllojë në afërsi, vërtetësi e shpresë

Gjatë Meshës në Shën Martë, Françesku kujtoi Ditën botërore të Kryqit të Kuq e të Gjysëmhënës së Kuqe: “Zoti i bekoftë ata, që punojnë në këto institucione bamirëse”- u lut. Në homeli, nënvizoi se Zoti ngushëllon gjithnjë në afërsi, në vërtetësi, në shpresë.

R. SH. - Vatikan

Françesku kryesoi në Shën Martë Meshën e së Premtes të Javës së katërt të Pashkëve, në ditën e lutjes drejtuar Zojës së Pompeit. Kujtoi, në fillim, Ditën botërore të Kryqit të Kuq e të Gjysëmhënës së Kuqe:

“Sot kremtohet Dita botërore e Kryqit të Kuq dhe e Gjysëmhënës së Kuqe. Lutemi për njerëzit që punojnë në këto institucione të merituara: Zoti e bekoftë punën e tyre, që bën shumë mirë”.

Në homeli Papa komentoi Ungjillin e sotëm (Gjn 14,1-6), në të cilin Jezusi u thotë dishepujve të vet: “Mos të tronditet zemra juaj. Kini besim në Zotin e kini besim edhe në mua. Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa(…). Pasi të shkoj e t'ju përgatis vendin, do të kthehem përsëri e do t'ju marr pranë meje, që aty ku jam unë, të jeni edhe ju”.

Këto fjalë Jezusi ua thotë dishepujve gjatë Darkës së Mbrame. Krishti është i trishtuar. E të gjithë janë të trishtuar. Jezusi sapo ka pohuar se njëri prej tyre do ta tradhtonte. E, kur e sheh se mbi fytyrat e tyre bie hija e një trishtimi të thellë, nis t’i ngushëllojë. Zoti i ngushëllon dishepujt e Tij e ne shikojmë mënyrën si ngushëllon. Ne kemi një mori mënyrash për të ngushëlluar. Nga më të ndjerat, tek më formalet, siç janë, për shembull, telegramet e ngushëllimit. “Thellësisht i hidhëruar për….’. E ky soj telegrami nuk ngushëllon askënd, është ngushëllim sa për sy e faqe. Po Zoti, si ngushëllon? Ka rëndësi ta dimë këtë, që edhe ne, kur na duhet të kalojmë çaste të trishta - kujtoi Françesku - ta dimë cili është ngushëllimi i vërtetë, që vjen nga Zoti.

Zoti ngushëllon gjithnjë në afërsi, në vërtetësi, në shpresë. Zoti nuk është kurrë larg: “Unë jam këtu, me ju”- na kujton gjithnjë. Shpesh edhe në heshtje, por ne e ndjejmë, e dimë se është aty, pranë nesh. Afërsia  është stili i Zotit. Zoti nuk flet me fjalë boshe. I pëlqen më shumë të flasë me heshtje, me forcën e pranisë. Flet pak, por ngushëllon shumë. Flet pak, por është pranë. Jezusi ngushëllon në vërtetësi, nuk thotë fjalë formale, thotë të vërtetën, pa e fshehur. Ai vetë është e vërteta. E vërteta është se Ai do të shkojë. Do të vdesë. E këtë e thotë me thjeshtësi e butësi, pa plagosur kënd. Thotë se e pret vdekja. Por menjëherë pas ngushëllon plot me shpresë: është çast tejet i hidhur, ky i kumtit të vdekjes, por pas tij, u kujton dishepujve se po shkon t’u përgatisë një banesë. U ngjall, kështu, shpresën se do t’i marrë përdore. Na nxit për të mbetur në paqen e Tij, sepse do të vijë përsëri e do të na çojë atje, ku është Ai vetë. Nuk është e lehtë ta lësh Zotin të të ngushëllojë. Në çaste e rënda zemërohemi me të e nuk duam ta lëmë të na flasë. Të kërkojmë - u lut Papa - hirin që ta lëmë Zotin të na ngushëllojë. Ngushëllimi i Tij nuk mashtron, nuk është anestezi. Është afërsi, është vërtetësi e na hap portën e shpresës.

Papa  Françesku e përfundoi kremtimin me adhurimin e të Shenjtnueshmit Sakrament dhe me bekimin eukaristik, duke i ftuar besimtarët të marrin Kungimin shpirtëror. Në përfundim, lutja e Papës:

O Krishti im, unë besoj se je me të vërtetë i pranishëm në të Shenjtnueshmin Sakrament. Të dua mbi gjithçka e të dëshiroj në shpirtin tim. Meqë tani nuk mund të të marr sakramentalisht, eja të paktën shpirtërisht në zemrën time. Të përqafoj njësoj si të kishe ardhur e bashkohem krejtësisht me Ty. Më ndihmo të mos ndahem kurrë prej Teje. Amen!”.

Para se Ati i Shenjtë të largohej nga kapela, që i kushtohet Shpirtit Shenjt, u këndua antifona mariane “Regina caeli”, tipike për kohën e Pashkëve:

“Regína caeli laetáre, allelúia.
Quia quem merúisti portáre, allelúia.
Resurréxit, sicut dixit, allelúia.
Ora pro nobis Deum, allelúia”.

(Mbretëreshë e qiellit, gëzohu, Aleluja!
– Se ai që e mbarte në kraharor, Aleluja! 

U ngjall si pati premtuar, Aleluja!
– Lute për ne Hyjin, Aleluja!)

 

08 maj 2020, 09:03