Kërko

Papa kërkon lutje për diakonët, roje të shërbimit në Kishë

Në “Videon e Papës” për muajin maj, Ati i Shenjtë vë në plan të parë një figurë të veçantë në gjirin e klerit, diakonët, e kërkon të lutemi që “të jenë shenjë gjallëruese për mbarë Kishën”.

R. SH. - Vatikan

Përmes Videos së re të Papës, që sapo u botua, si çdo muaj, njihemi me  ndjetin e uratës, që Ati i Shenjtë ia beson Rrjetit Botëror të Lutjes së Papës. Në këtë rast skicon figurën e diakonëve, “roje në shërbim të Kishës” dhe të përtëritjes së apostullimit në botën e sotme. Papa Françesku na nxit të lutemi për ta, që të jenë “Shenjë gjallëruese për mbarë Kishën”.

Misteri kishtar, mister i njerëzve që i kushtohen shërbimit të Zotit, përfshin tri radhë të Urdhrit shenjt: diakonatin, presbiteratin (apo meshtarinë) dhe episkopatin (apo shërbesën ipeshkvore). “Diakonët marrin pjesë, në një mënyrë të veçantë, në misionin e në hirin e Krishtit. Sakramenti i Urdhërit Shenjt i shënon me  një vulë, që askush nuk mund t’ua heqë:  me figurën e Krishtit, që u bë “diakon”, domethënë “shërbëtor i të gjithëve”. Diakonët shugurohen shërbëtorë e janë simbol i Krishtit shërbyes, në zemrën e Kishës. Vetë fjala “diakon”, që vjen nga greqishtja “diakonia”, do të thotë shërbim. E ky është shpirti i detyrës së tyre. Ndihmojnë përmes shërbimit të Fjalës, shërbimit të liturgjisë dhe shërbimit të më të varfërve, në të cilët shikojmë fytyrën e Krishtit të vuajtur.

Jo të gjithë e dinë se meshtarët shugurohen diakonë, në shërbim të bashkësisë, e edhe më pak dihet se diakonët e përhershëm, që jetojnë sipas karizmës dhe thirrjes për t’u shërbyer të tjerëve, janë të martuar dhe e jetojnë thirrjen e tyre në familje e me familjen. Numri i tyre sot arrin në 46.000 në të gjithë botën.

Atë Fréderic Fornos, jezuit, Drejtor Ndërkombëtar i Rrjetit Botëror të Lutjes së Papës (që përfshin edhe Lëvizjen Rinore), na kujton  se “Jezusi, në orët e fundit, të kaluara me dishepujt e vet, e quajti veten shërbëtor i Zotit. Përmes fjalëve të Tij të fundit, të konkretizuara me gjestin e larjes së këmbëve të dishepujeve të vet, na duket pikërisht kështu në Ungjillin sipas Gjonit. Ky ishte testamenti i Tij. E kështu e kupton jetën: si shërbim. Shërbim ndaj më të varfërve, më të ligshtëve, më të pambrojturve. “Biri i Zotit nuk erdhi për t’u shërbyer, por për të shërbyer e për të dhënë jetën e si shpërblim për shumëkënd”(Mt 20,17-28). Në Kishë, ne të gjithë duhet ta mishërojmë sjelljen e shërbimit. Posaçërisht Diakonët, simbol i Krishtit Shërbëtor. Ata, siç pohon Françesku, janë “shenjë gjallëruese për mbarë Kishën. Kisha ka shumë nevojë për ta”.

Sinodi i Ipeshkvijve për Amazonën, në pikën 104 të Dokumentit të tij përfundimtar, e thekson me forcë: “Diakonati sot duhet të promovojë ekologjinë integrale, zhvillimin njerëzor, baritorinë shoqërore, shërbimin  ndaj njerëzve, që jetojnë në kushte ligështie e varfërie, shëmbëllesë e Krishtit shërbëtor, Kishë e mëshirshme, samaritane, solidare e diakonale”.

Të lutemi, siç na fton Françesku në Videon e Papës, që të gjithë diakonët “besnikë në shërbim të Fjalës së Zotit e të varfërve, të jenë shenjë  gjallëruese  për mbarë Kishën”.

05 maj 2020, 17:02