Kërko

Vatican News

Papa: Zoti i ndihmoftë punonjësit e mediave t’i shërbejnë gjithnjë së vërtetës

Gjatë kremtimit të Meshës në Shën Martë, Françesku kujtoi të gjithë ata, që punojnë në mjetet e komunikimit e që, në këtë kohë pandemie, rrezikohen shumë. Në homeli nxiti ta lëmë Jezusin të na e shndrisë errësirën, që dyndet brenda nesh: veset, shpirtin e botës, mendjemadhësinë. Ta lëmë, që drita e Tij të na hyjë në shpirt e të na shpëtojë: “Nuk kemi frikë nga Zoti. Ai është shumë i mirë, i butë, pranë nesh. Erdhi për të na shpëtuar. Nuk duhet të kemi frikë nga drita e Krishtit!”.

R. SH. - Vatikan

Në të mërkurën e Javës IV të Pashkëve, Françesku kryesoi Meshën në Shtëpinë e Shën Martës. Kujtoi, së pari,  punonjësit e mediave. E na ftoi të lutemi për ta:

“Të lutemi sot për burrat e gratë, që punojnë në mjetet e komunikimit. Në këtë kohë pandemie rrezikojnë shumë e kanë shumë punë. Zoti i ndihmoftë  të thonë gjithnjë të vërtetën”.

Në homeli, Papa komentoi faqen e sotme ungjillore (Gjn 12,44-50), në të cilën Jezusi pohon: “Kush më beson, nuk beson në mua, por në atë që më dërgoi; kush më shikon, shikon atë që më dërgoi. Unë erdha në botë si dritë, që kushdo beson në mua, të mos mbetet në mes të errësirës. Nëse ndokush i dëgjon fjalët e mia e nuk i zbaton, unë nuk e dënoj, sepse nuk erdha për ta dënuar botën, por për ta shpëtuar. Atë që nuk më pranon e nuk do t’i dëgjojë fjalët e mia, ka kush e dënon: fjala që thashë do ta dënojë në ditën e mbrame”.

Ky fragment i Ungjillit - pohoi Papa - na bën të shohim qartë afërsinë që kishte Jezusi me Atin. Krishti bënte çka i thoshte Ati. Ndaj pohon: “Unë erdha në botë si dritë, që kush beson në mua, të mos mbetet në errësirë”.  Paraqitet si dritë, sepse misioni i Jezusit është të ndriçojë. Prandaj, duke folur për veten, thotë: “Unë jam drita e botës!”. Izaia Profet e pati profetizuar këtë dritë: “Populli, që ecte në terrina, pa një dritë të madhe!”. Është premtimi i dritës, që do ta ndriçojë popullin. Edhe misioni i apostujve është të sjellin dritën në botë. E Pali na kujton se ishte zgjedhur për të shndritur, “për ta sjellë pikërisht këtë dritë”. Që nuk ishte e tija, por e një tjetri. Është misioni i Krishtit dhe i apostujve të Tij: “të ndriçojnë, sepse bota është e zhytur në errësirë”.

“Drama e dritës së Krishtit - nënvizoi Papa Françesku - është se nuk u pranua”, siç na e kujton Gjoni në fillim të Ungjillit: “Erdhi tek të tijtë, e të tijtë nuk e pranuan. Donin më shumë errësirën, sesa dritën”. Ishin mësuar me terrin, me jetën në terr. E kjo do të jetë lufta e Jezusit. E vazhdueshme: të ndriçojë, të sjellë dritën, që të bën t’i shikosh gjërat ashtu si janë, të bën të shikosh lirinë, të bën të prekësh të vërtetën - me dritën e Krishtit.

“Pali e provoi ç’do të thotë të kalosh nga errësira në dritë, kur Zoti e takoi në rrugën e Damaskut. E provoi, e u verbua. E  drita iu rikthye vetëm pasi u pagëzua. Me Pagëzimin pati përvojën e kalimit nga errësira, në të cilën ishte, në dritë”. Është edhe kalimi ynë, që kemi marrë sakramentin e Pagëzimit. Prandaj, në shekujt e parë, Pagëzimi quhej “ndriçim”, sepse të jepte dritë. E prandaj në Pagëzim u jepej prindërve një qiri i ndezur, që djali a vajza të shndriteshin. Jezusi sjell dritën. Po populli i Tij - vërejti Papa - nuk do ta pranojë. E aq i mësuar është me errësirën, sa drita e verbon. Kjo është drama e mëkatit tonë: mëkati na rrëmben dritën e shpirtit e atëhere nuk mund ta durojmë dritën. Na sëmuren sytë. Jezusi e thotë qartë në Ungjillin e Mateut: “Nëse syri yt është i sëmurë, është i sëmurë i gjithë korpi”. E nëse syri yt shikon vetëm errësirë, tepër terr ka brenda teje!”. Kthesa është të kalosh nga errësira - në dritë! Po ç’është ajo gjë, që na i merr sytë, sytë e fesë, e na i verbon? Veset. Shpirti i botës. Mendjemadhësia.

Këto tri gjëra - vërejti Papa - të shtyjnë  të shoqërohesh me të tjerët, për t’u ndjerë i sigurt në errësirë. Flasim shpesh për mafiet shpirtërore. Janë mafie shtëpiake. Është kërkim i tjetrit, për t’u fshehur pas tij e për të mbetur gjithnjë në errësirë. Nuk është e lehtë të jetosh në dritë. Drita bën të dalin në pah një mori shëmtimesh, që i kemi brenda nesh e që nuk duam të na i shohë kush: veset, mëkatet… Të mendojmë për veset tona, të mendojmë për fodullëkun tonë, të mendojmë për shpirtin e botës brenda nesh. Këto na verbojnë, na largojnë nga drita e Krishtit.

Por nëse ne mendojmë për këto gjëra - shtoi Françesku - nuk do të gjejmë para vetes një mur. Do të gjejmë një dalje, mbasi vetë Jezusi na kujton se Ai është dritë: “Nuk erdha në botë, për ta dënuar botën, por për ta shpëtuar”. Vetë Jezusi, drita, thotë. “Guxo! Lëre veten të ndriçohesh. Lëre të duket gjithçka ke në shpirt, sepse jam unë pranë teje e unë do të të shpëtoj! Unë nuk dënoj, shpëtoj”.

Këtë na e kujton Zoti, që na shpëton nga errësira e shpirtit tonë, nga errësira e jetës së  përditshme, e jetës shoqërore, e jetës politike, e jetës kombëtare e ndërkombëtare…. nga gjithë kjo errësirë, që dyndet mbi botën. E Zoti na shpëton. Por na kërkon të shikojmë, së pari, errësirën që kemi në shpirt, që drita e Tij të mund të hyjë e të na shpëtojë. Nuk kemi frikë nga Zoti - përfundoi Papa - ai është shumë i mirë. I butë, pranë nesh. Erdhi për të na shpëtuar. Nuk kemi frikë nga drita e Krishtit”.

Papa  Françesku e përfundoi kremtimin me adhurimin e të Shenjtnueshmit Sakrament dhe me bekimin eukaristik, duke i ftuar besimtarët të marrin Kungimin shpirtëror. Në përfundim, lutja e Papës:

O Krishti im, unë besoj se je me të vërtetë i pranishëm në të Shenjtnueshmin Sakrament. Të dua mbi gjithçka e të dëshiroj në shpirtin tim. Meqë tani nuk mund të të marr sakramentalisht, eja të paktën shpirtërisht në zemrën time. Të përqafoj njësoj si të kishe ardhur e bashkohem krejtësisht me Ty. Më ndihmo të mos ndahem kurrë prej Teje. Amen!”.

Para se Ati i Shenjtë të largohej nga kapela, që i kushtohet Shpirtit Shenjt, u këndua antifona mariane “Regina caeli”, tipike për kohën e Pashkëve:

“Regína caeli laetáre, allelúia.
Quia quem merúisti portáre, allelúia.
Resurréxit, sicut dixit, allelúia.
Ora pro nobis Deum, allelúia”.

(Mbretëreshë e qiellit, gëzohu, Aleluja!
– Se ai që e mbarte në kraharor, Aleluja! 

U ngjall si pati premtuar, Aleluja!
– Lute për ne Hyjin, Aleluja!)

06 maj 2020, 09:34