Kërko

Vatican News

Papa, Qendrës Astalli: faleminderit për mbrojtjen e të drejtave të refugjatëve

Papa Françesku i shkruan atë Ripamontit, drejtorit të selisë italiane të JRS (Jesuit Refugee Service), Shërbimit të Jezuitëve për Refugjatët. Juaji, është shembull i “kulturës së mikpritjes”, pohon. Jam pranë migrantëve me lutje e përzemërsi.

R.SH. - Vatikan

Shifrat e Raportit të fundit të Qendrës Astalli, publikuar para disa ditësh, dëshmojnë për “jetën pezull” të migrantëve, të mbërthyer në morsën e pandemisë, e cila ua bllokon dhe ua ngadalëson jetën e përditshme, rënduar edhe nga pasiguria në një vend të ri. Janë 20 mijë, personat që ka takuar Qendra në vitin 2019, refugjatë dhe azilkërkues - 11 mijë, vetëm në Romë. E duke fotografuar gjendjen, pa doreza, raporti i fundit denoncon se “politikat migratore, kufizuese, në favor të kufijve të mbyllur, nganjëherë diskriminuese, që kanë karakterizuar vitin e kaluar, e theksojnë pasigurinë e jetës, përjashtimin dhe paligjshmërinë e migrantëve, duke e bërë gjithë shoqërinë më të brishtë”.

Mikpritje me dashuri vëllazërore

          Situatë kjo, që Papa Françesku e njeh mjaft mirë. Pikërisht, duke përmendur Raportin, në një mesazh për atë Camillo Ripamontin, drejtor i Qendrës Astalli, Ati i Shenjtë vlerëson guximin, “me të cilin – shkruan në letër – përballoni sfidën e migracionit, sidomos në këtë çast delikat për të drejtat e refugjatëve, sepse mijëra njerëz ikin nga lufta, nga persekutimi dhe nga kriza të rënda humanitare”. Papa Françesku shpreh afërsinë e tij për atë kategori njerëzish, që e drejta ndërkombëtare i quan “refugjatë” e që “ju – u nënvizon bashkëpunëtorëve të Qendrës – i prisni me dashuri vëllazërore: të gjithëve u jam shpirtërisht afër me lutje e me dashuri dhe i nxis të kenë besim e shpresë në një botë me paqe, drejtësi dhe vëllazërim ndërmjet popujve”.

Shembull solidariteti

          “Përkëdhelja” e fundit e Papës për Qendrën Astalli është, në të vërtetë, një urim universal: “shembulli juaj – thotë Ati i Shenjtë – zgjoftë në shoqëri një impenjim të ri për një kulturë të vërtetë të mikpritjes e të solidaritetit”.

28 maj 2020, 16:30