Kërko

Vatican News

Papa: në familje të rritet dashuria. Ku ka rreptësi, nuk është Shpirti i Zotit

Gjatë Meshës kremtuar në Shën Martë, Françesku u lut për familjet, duke kujtuar ditën e sotme ndërkombëtare, që u kushtohet nga OKB-ja. Në homeli, nënvizoi se besimi në Jezusin sjell gëzim e liri, ndërsa rreptësia shqetëson.

R. SH. - Vatikan

Françesku kryesoi sot Meshën në Shën Martë (video e plotë) në të premten e javës së pestë të Pashkëve.

Fjalët e para ua kushtoi familjeve:

“Sot është Dita botërore e familjes: të lutemi për familjet, që të rritet ndër to Shpirti i Zotit, shpirti i dashurisë, i respektit e i lirisë”.

Gjatë homelisë, Papa komentoi fragmentin e shkëputur nga Veprat e Apostujve (Vap 15,22-31), në të cilin Pali e Barnaba dërgohen tek paganët e kthyer të Antiokisë, të tronditur thellë nga fjalët e nga  predikimet e disave, që nuk kishin pasur kurrfarë detyre. Apostujt u dërgojnë një letër, përmes së cilës i inkurajojnë dhe i përgëzojnë dishepujt e rinj, duke u shpjeguar se nuk janë të detyruar të rrethpriten, sipas Ligjit të Moisiut, siç pretendonin disa farizenj të kthyer në fenë e krishterë.

“Në Librin e Veprave të Apostujve - kujtoi Papa -  shikojmë se në Kishë,  në fillim kishte kohë paqeje, por edhe kohë persekutimi e kohë trazirash. Të krishterët e kthyer nga paganizmi, kishin besuar në Jezu Krishtin e edhe kishin marrë pagëzimin e me të, Shpirtin Shenjt. Nga paganizmi, në krishterim, pa asnjë etapë të ndërmjetme. Po kishte edhe të krishterë, që dinin vetëm të gjykonin, që mendonin se kjo punë nuk mund as duhej bërë. Nëse ndokush ishte pagan, “duhet të bëhej një herë hebre, judè i mirë, e pastaj edhe i krishterë”. Por të krishterët e kthyer nga paganizmi nuk e kuptonin këtë: “Epo, si, ne qenkemi të krishterë të klasit të dytë? Nuk mund t’u kaloka nga paganizmi, drejtpërdrejt në kristianizëm?”- thonin e pyesnin nëse Ngjallja e Krishtit e kishte përkryer apo jo ligjin e lashtë. Ishin shumë të shqetësuar e ndërmjet tyre lindnin vazhdimisht diskutime.

“Gjykatësit” i mbështesnin tezat e tyre “me argumente baritore, argumente teologjike e edhe me disa argumente morale”, e kjo e vinte në diskutim lirinë e Shpirtit Shenjt, e edhe vetë Ngjalljen e Krishtit për të gjithë e pa asnjë shpërblim. E, doemos, hirin. Ishin metodikë. E edhe të rreptë. Po Jezusi i kishte qortuar këta doktorë ideologjikë të Ligjit, që e kishin katandisur Ligjin, dogmën, “në ideologji”, në fe rregullash, e me këtë i hiqnin lirinë Shpirtit Shenjt. E ndjekësit e tyre ishin njerëz të rreptë, të ngurtë. Nuk e kishin provuar gëzimin, që buron nga Ungjilli. Udha e përkyer për të arritur tek Jezusi, sipas tyre, ishte rreptësia. Këta doktorë manipulonin ndërgjegjet e besimtarëve, i bënin të ngurtësoheshin, ose të iknin.

E Papa pohoi: “Rreptësia nuk është e mirë për Shpirtin, sepse vë në dyshim flijimin e Krishtit për shpërblimin e gjithë njerëzve! E gjatë historisë së Kishës, kjo është përsëritur disa herë. Të mendojmë për pelagianët, “të rreptët e famshëm”. E edhe në kohët tona kemi parë disa organizata apostolike që, në dukje, ishin të organizuara si s’ka ku të vejë më mirë, që punonin mrekullisht mirë… por të gjithë të rreptë,  të gjithë njëlloj njëri me tjetrin, e pastaj mësuam se brenda ishin thellësisht të korruptuar, shpirtërisht të prishur, duke nisur nga themeluesit:

“Ku është rreptësia, nuk është Shpirti i Zotit, sepse ku është Shpirti i Zotit, aty  është liria. E këta njerëz e hiqnin “Lirinë e Shpirtit të Zotit dhe flijimin falas të Krishtit për mbarë njerëzimin”.

Sepse vdekja e ngjallja e Krishtit është dhuratë. Apostujt mblidhen në koncil e në fund shkruajnë një letër, që nis kështu: “Iu duk gjë e mirë Shpirtit Shenjt e edhe ne, të mos imponojmë detyra të tjera”. E u caktojnë detyra më morale, për të mos e ngatërruar krishterimin me paganizmin” e, në fund të fundit, kur këta të krishterë, që ishin të trazuar, të mbledhur së bashku, morën letrën “u gëzuan për guximin që u jepte” e kaluan nga trazimi, në gëzim. Shpirti i rreptësisë të turbullon, gjithnjë! Po këtë, a e bëra mirë? Apo nuk e bëra mirë? Skrupuj! Ndërsa shpirti i lirisë ungjillore të sjell gëzim, sepse pikërisht këtë bëri Krishti me ngjalljen e Tij: gëzimin! E marrëdhëniet me Jezusin nuk të shtyjnë t’i thuash: “Unë po bëj këtë, e ti më jep atë”. Kjo është marrëdhënie ndërmjet tregtarësh. Jo! Marrëdhënia me Zotin e me Krishtin është falas. Krishti u thotë dishepujve të vet: “Ju jeni miqtë e mi. Nuk ju thërras më shërbëtorë, ju thërras miq! Nuk më zgjodhët ju mua, po unë ju!”. Kjo quhet miqësi, që nuk kërkon asnjë shpërblim, dhurohet falas”:

“T’i kërkojmë Zotit të na ndihmojë për të dalluar frytet e dhuratat ungjillore nga frytet e rreptësisë jo-ungjillore. E të na lirojë nga çdo shqetësim që vjen prej atyre, të cilët e vënë fenë, jetën e fesë, nën rregulla kazistike. E kam fjalën për normat, që nuk kanë pikë kuptimi, jo për Urdhërimet e Tënzot. Zoti na çliroftë nga kjo ngurtësi shpirti, që të heq lirinë” .   

Mesha vijoi me kungimin shpirtëror e me lutjen:

Lutja e Papës:

“Tek këmbët tua, o Krishti im, përkulem e të ofroj pendimin e zemrës së thyer, thellësisht të penduar para pranisë Sate Shenjte. Të adhuroj në Eukaristi, në Sakramentin e dashurisë tënde! Dëshiroj të të marr nën strehën e varfër, që ta ofron zemra ime: në pritje të lumturisë së kungimit sakramentor, dua të të kem në shpirt. Eja tek unë, Jezus, që të mund të vij tek Ti. Dashuria jote e përflaktë gjithë qenien time, për jetë e vdekje. Besoj në Ty! Shpresoj në Ty! Të dua, Zoti im!”.

Françesku e përfundoi kremtimin me adhurimin  dhe bekimin eukaritik.  Para se të largohej nga kapela, që i kushtohet Shpirtit Shenjt, u këndua antifona mariane “Regina caeli”, tipike për kohën e Pashkëve:

“Regína caeli laetáre, allelúia.
Quia quem merúisti portáre, allelúia.
Resurréxit, sicut dixit, allelúia.
Ora pro nobis Deum, allelúia”.

(Mbretëreshë e qiellit, gëzohu, Aleluja!
– Se ai që e mbarte në kraharor, Aleluja! 

U ngjall si pati premtuar, Aleluja!
– Lute për ne Hyjin, Aleluja!)

 

15 maj 2020, 10:04