Kërko

Vatican News

Papa, ipeshkvijve britanikë: punoni për kulturën e jetës, për dinjitetin e të gjithëve

Mesazh i Papës Françesku për ipeshkvijtë e Mbretërisë së Bashkuar, me rastin e Ditës së Jetës. Françesku kërkon lutje për të gjithë ata, që punojnë në mbështetje të vlerave të dinjitetit për çdo njeri dhe uron që kriza aktuale shëndetësore të afirmojë atë kulturë jete, e cila i mbron gjithë bijtë e Zotit, duke filluar nga më të brishtët.

R.SH. - Vatikan

“Zgjidh jetën”: kjo është tema e edicionit 2020 të Ditës për Jetën, nisma vjetore e Konferencës Ipeshkvnore të Anglisë dhe të Uellsit, në bashkim me ipeshkvijtë skocezë dhe irlandezë, për të sensibilizuar opinionin publik të ishujve britanikë “mbi kuptimin dhe vlerën e jetës njerëzore në çdo fazë e gjendje të saj”. Dita duhej të kremtohej më 31 maj në Skoci, më 21 qershor në Angli e në Uells dhe më 7 tetor në Irlandë, por, për shkak të emergjencës së koronavirusit, këto data do të shtyhen.

Françesku: të lutemi për ata, që kujdesen për jetën

          Gjithsesi, Papa Françesku e dërgon mesazhin e tij për këtë rast, në të cilin nënvizon se tema e zgjedhur këtë vit përkon bukur me 25-vjetorin e enciklikës së shën Gjon Palit II, “Evangelium Vitae”, mbi vlerën e pacënueshmërisë së jetës njerëzore. Në mesazhin e nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, Papa kërkon lutje për të gjitha ato familje, vullnetarë, punonjës shëndetësorë, të impenjuar, “shpesh, heroikisht”, në kujdesin për të sëmurët nga Covid-19. Ati i Shenjtë nuk harron edhe ata, që, ndërsa vijon “pandemia e varfërisë dhe e luftës”, punojnë “për mbështetjen e vlerës së dinjitetit, dhuruar nga Zoti për çdo njeri”. Mesazhi përfundon me urimin që kriza aktuale shëndetësore t’i bëjë të gjithë ta kuptojnë “detyrën morale për një kulturë jete” të vëmendshme ndaj mbrojtjes dhe promovimit “të mirëqënies së gjithanshme të gjithë bijve të Zotit, duke filluar nga më të brishtët”.

Mirënjohja e imzot Sherrington për fjalët e Papës

          Në emër të ipeshkvijve të Anglisë e të Uellsit, drejtuesi i Departamentit për jetën në Konferencën Ipeshkvnore, imzot John Sherrington, shprehu mirënjohje për fjalët e Papës Françesku. “Mesazhi i tij - pohon ai - na jep shpresë dhe e rinovon angazhimin e punën tonë për instinktin më themelor njerëzor: atë të mbrojtjes së misterit të jetës në çdo fazë”. “Këtë vit - shpjegon ipeshkvi ndihmës i Uestminterit - mesazhi i Ditës së Jetës përqendrohet në kujdesin për fëmijën e posalindur dhe për gratë shtatzëna”, në mënyrë që “mendjet dhe zemrat të hapen për dhuratën dhe mrekullinë e vërtetë, që përmbahet në çdo jetë të re në barkun e nënës”. Prelati shprehu edhe mirënjohjen e ipeshkvijve për njerëzit, që punojnë për të siguruar mbrojtjen e plotë të jetës me ligj.

Mbështetja për nënat dhe fëmijët

          Si çdo vit, Konferenca Ipeshkvnore e Anglisë dhe Uellsit ka vënë në dispozicion materiale të ndryshme në faqen “Day for Life” (Dita për Jetën): lutje, informacion për nënat dhe fëmijët e tyre dhe disa dëshmi të rëndësishme të grave, që kanë abortuar dhe të njerëzve, që janë prekur nga drama e abortit.

28 maj 2020, 09:59