Kërko

Vatican News

Papa Françesku e "zemra në shtegtim" drejt Zojës së Lujan-it

Në Argjentinë, katolikët kanë devocion të madh për shën Marinë, që nderohet si “Zoja e Lujan-it” e është Pajtorja e vendit. Në Bazilikën e qytetit, jo larg nga kryeqyteti argjentinas, çdo vit, më 8 maj, shkonte shtegtar edhe ai, që do të bëhej Papa Françesku. Në një letër, në prag të kremtimit, Ati i Shenjtë premton të shkojë në Lujan në një shtegtim shpirtëror, së bashku me gjithë popullin e Zotit.

“I dashur vëlla, 8 maji po afrohet… e zemra ime ‘shtegton’ drejt Lujan-it”. Fillon me këto fjalë, letra e shkruar me dorë nga Papa Françesku, i cili ia dërgon kryeipeshkvit të dioqezës Mercedes Lujan, imzot Jorge Scheinig, siç mësohet nga faqja e internetit e dioqezës, ku është publikuar mesazhi. Duke iu referuar kremtimeve, që çdo vit mbahen në atë datë, në nder të Zojës tejet të nderuar në këtë zonë, por edhe në gjithë Argjentinën, që e ka për Pajtore, Ati i Shenjtë siguron: “Do të jem me ju shpirtërisht, si shtegtar shpirtëror e ‘virtual’. Do ta vështroj [Zojën] edhe një herë e, edhe një herë, do ta lë të më shohë”. Vështrimi i Marisë, nënvizon Papa, është shikimi i nënës, që kujdeset për secilin prej bijve, që “përtërin” e “jep forcë”. E Françesku vëren se nuk do të jetë vetëm në këtë shtegtim nga larg, por “së bashku me popullin shenjt e besnik të Zotit, që e do fort, popull besnik e mëkatar si unë”.

Zojës do t’i lutemi të na mësojë të kërkojmë falje

          Ati i Shenjtë shkruan se Zojës së Lujan-it “do t’i tregojmë për shqetësimet e gëzimet tona”, duke i kërkuar “të kujdeset për ne” e të na ndihmojë të lypim gjithnjë falje, pa u lodhur, me vetëdijen “se Biri i saj nuk lodhet së faluri”. Asaj, vijon Papa duke folur për veten, do t’i premtoj se do të sillem më mirë. E këtu, siç shpjegon më pas, “ia vjedh fjalët” atë Amelio Luis Calori-t, të cilin e quan “meshtari i madh i dioqezës sime të mëparshme”: “Këtë pasdite, o Zojë, premtimi është i sinqertë. Për siguri, mos harro ta lësh çelësin jashtë” derës, i lutet Papa shën Marisë, që edhe pse shpirtërisht e jo fizikisht, të mund të hyjë në shenjtëroren e në zemrën e saj. Do të kthehem në shtëpi, shkruan Papa në fund të këtij shtegtimi virtual, “me sigurinë se kam marrë dhuratë një hir”.

Përshpirtëri e përhapur

          Në kremtimet e 8 majit, në Lujan, marrin pjesë shumë besimtarë, pasi kanë bërë Nëntëshen e Zojës. Zanafilla e devocionit të argjentinasve për Marinë, që njihet si “Zoja e Lujan-it”, daton në shekullin XVII, pas disa ngjarjeve të mrekullueshme. Shtatorja origjinale e Zojës, e veshur me një mantel me ngjyrë të bardhë e të kaltërt – quhet edhe Morenita e Patroncita – ndodhet në Bazilikën e Lujan-it, rreth 70 km në veriperëndim të Buenos Ajresit. Cdo vit, Bazilika pret mesatarisht 9 milion vizitorë, jo vetëm nga Argjentina. Kur ishte ipeshkëv i Buenos Ajresit, Papa Françesku shkonte gjithnjë në shtegtim bashkë me besimtarët e ndalej gjatë në shenjtërore, për rrëfimet.

Historia e Zojës së Lujan-it

          Historia e Zojës së Lujanit ka të bëjë me portugezin Antonio Ferías de Sáa që, në vitin 1629, i kërkoi një shoku të vet t’i sillte nga Brazili një fugure të Zojës së Papërlyer, pasi donte të ngrinte një kapelë për nder të saj. Në një zonë të Cordoba të Tucumán-it, ku portugezi kishte pronat e veta, mbërritën dy shtatore në terrakotë, në dy arka prej druri: njëra pasqyronte Zojën e Papërlyer e është Virgjëra, që aktualisht nderohet në Shenjtëroren e Lujan-it; tjetra pasqyronte Nënën e Zotit e u çua, më pas, në Cordoba.

          Në port, dy arkat ngarkohen në një karvan, që po shkonte në Viejo e në Cordoba. Ishte muaji maj. Pas dy ditësh, karvani ndalet pranë lumit Lujan për të kaluar natën. Në agim, karrocieri lidhi buajt në karrocë e deshi të nisë udhëtimin, por buajt nuk lëvizën nga vendi, pavarësisht nga hosteni, që i shponte vazhdimisht. Menduan se barra ishte tepër e rëndë dhe hoqën arkat. Atëherë, buajt u nisën. I ngarkuan sërish arkat e buajt u ndalën. Ishte e qartë se problemi qëndronte tek ngarkesa. Provuan të hiqnin vetëm një arkë, por buajt nuk lëviznin. Vetëm kur e zëvendësuan arkën me tjetrën, që peshonte pak a shumë njëlloj, buajt u vunë për udhë. Në arkën e mbetur përtokë, ishte pikërisht Zoja e Parpërlyer, që u çua në fermën e Don Rosende-s, bashkë më nje shërbëtor, që quhej Manuel, ndërsa arka tjetër vijonte udhën për Cordoba. Pronari i fermës ndërtoi një kapelë të vogël. Shtatorja mbeti aty për 40 vite me radhë. Bujqve nuk u shkonin mirë punët e autoritetet kishtare akoma nuk mbanin qëndrim për përshpirtërinë rreth kësaj Zoje.

Në vitin 1671, pronarja e një ferme tjetër, Doña Ana de Matos, gjithnjë pranë lumit Lujan, kërkoi ta blinte shtatoren. E mori me vete dhe e vendosi në kapelën e saj, por të nesërmen, shtatorja nuk ndodhej më aty. Ishte kthyer në kapelën e saj të vjetër. Pronarja akuzoi Manuelin, por edhe kur e lidhi për të mos e lënë të lëvizë, shtatorja vijoi të kthehej në kapelën e vjetër, pa e kuptuar njeri si e qysh. Gruaja ua tregoi këtë fakt autoriteteve kishtare, që, në procesion, e çuan sërish në fermën e de Matos. Në tokat e pronares u ndërtua një bazilikë, pas një kapele të dytë, që përfundoi në vitin 1685. Meqë nuk i zinte më shtegtarët e shumtë, në vitin 1754, u hodhën themelet e një kishe më të madhe.

Në dhjetor 1871, u mbajt shtegtimi i parë zyrtar, i organizuar nga Kisha Katolike. Më 8 maj 1887, kurorëzimi i Zojës së Lujanit, me miratimin e Papës Leoni VIII. E më 15 maj të atij viti, u vendos guri i parë i themelit të bazilikës së re. Në vitin 1890 filluan punimet. Ndërkaq, më 1893, Lujan deklarohet qytet. Në vitin 1930, Zoja e Papërlyer e Lujan-it, deklarohet Pajtore e Agjentinës, Uruguajit e Paraguajit.

04 maj 2020, 12:01