Kërko

Papa Françesku: videomesazh për “Thy Kingdom come”

“Që të krishterët të jenë thellësisht të bashkuar si ‘dëshmitarë të mëshirës’ për njerëzimin e sprovuar rëndë”: ky, synimi i videomesazhit të Papës Françesku, që u transmetua sot gjatë shërbimit liturgjik të kryeipeshkvit anglikan të Kanterbërit, Justin Welby.

R.SH. - Vatikan

Periudha ndërmjet Festës së të Shëlbuemit dhe asaj të të Rrëshajëve është tradicionalisht kohë lutjesh për bashkimin e të krishterëve. Rrëshajët kremtojnë çastin kur, për dikim të Shpirtit Shenjt, popujt me gjuhë të ndryshme u bashkuan në një, për të dëgjuar dhe pranuar kumtin e parë të ringjalljes së Jezu Krishtit. Në hemisferën jugore, shumë vende kremtojnë, pikërisht në këto ditë, Javën e Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve. Duke promovuar lëvizjen “Thy Kingdom Come” (Ardhtë Mbretëria Jote), kryeipeshkvi anglikan Welby e shndërroi këtë çast në rast të veçantë që të krishterët të bashkohen në lutje për ungjillëzimin e botës.

         Në videomesazhin e tij, Papa Françesku kujton: “Nuk mund t’i kërkojmë njerëzimit të qëndrojë i bashkuar, nëse ne vetë ecim nëpër udhë të ndryshme”. Ati i Shenjtë krahason dy lloj infektimesh: atë të pandemisë, që vijon të shkaktojë vdekje në të gjithë botën dhe, atë të Zotit mbi botën, pikërisht në ditën e Rrëshajëve, kur mbi gjithë ndjekësit e Krishtit zbret Shpirti Shenjt. Papa e quan “Ngushëlluesi”, ajo “afërsi e Hyjit”, që “na jep sigurinë se nuk jemi vetëm”, si edhe “forcë e fisme, që na jep guxim gjithnjë, edhe në dhimbje”.

         Papa lutet për liderët botërorë dhe shpreson që pandemia të shfrytëzohet si rast për të dëgjuar mesazhin ungjillor të pendesës, kumtuar nga shën Pjetri në Rrëshajët e para. Qartë e pa doreza, Ati i Shenjtë nënvizon nevojën për të mos “u anestetizuar para britmës së të harruarve dhe të planetit të plagosur” rëndë, por të zgjohemi e të veprojmë, pasi nuk do të jetë më e mundur të kthehemi në mënyrën e vjetër të jetesës.

         Kjo është hera e dytë që Papa Françesku kontribuon me një videomesazh për “Thy Kingdom Come”. Vitin e kaluar, gjatë ushtrimeve shpirtërore të Papës Françesku dhe të kryeipeshkvit anglikan të Kanterbërit me liderët politikë dhe fetarë të Sudanit të Jugut në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan, vetë kryeipeshkvi i pati kërkuar Atit të Shenjtë të regjistronte një mesazh me telefonin e tij. Pjesëmarrja e Papës Françesku dëshmon përkrahjen e tij për lëvizjen “Thy Kingdom Come”, e cila ndjek lutjen e Krishtit: “të gjithë të jenë një gjë e vetme... që bota të besojë” (Gjn 17,21).

31 maj 2020, 10:35