Kërko

Vatican News

Papa: Shpirti Shenjt e ndihmoftë njerëzimin të dalë më i mirë nga pandemia

R.SH. - Vatikan

I fuqishëm mesazhi i Papës Françesku për Charis (Catholic Charismatic Renewal International Service - Shërbimi Ndërkombëtar i Ripërtëritjes Karizmatike Katolike), me rastin e lutjes së vigjiljes së Rrëshajëve, organizuar në internet, të shtunën, 30 maj, në orën 22. Kujtojmë se Charis është Shërbimi i ri dhe i vetëm i Dikasterit vatikanas për Laikët, Familjen dhe Jetën, themeluar në vitin 2018, për të favorizuar bashkimin dhe komunikimin ndërmjet realiteteve të ndryshme karizmatike katolike.

“Ju uroj të gjithëve në këtë vigjilje, ngushëllimin e Shpirtit Shenjt. Dhe forcën e Shpirtit Shenjt për të dalë nga kjo kohë dhimbjeje, trishtimi e sprove, siç është pandemia; për të dalë më të mirë”.

Kështu u tha Papa mijëra njerëzve nga 100 vende të botës, mbledhur në lutje, në vigjilje të Rrëshajëve, përmes Youtube, Facebook e televizionit. Në videomesazhin e tij, Ati i Shenjtë e vuri në dukje këtë lloj takimi, që dëshmon zhvillimin e teknologjisë dhe u jep mundësinë të gjithëve ta shkurtojnë distancimin e detyruar nga pandemia, për t’u lutur në një bashkësi, që përgatitej të merrte Shpirtin Shenjt, dhuratën e premtuar nga Jezu Krishti për ndjekësit e vet, atë forcë, që, siç nënvizoi Papa, “vjen për të risuar, për të kthyer zemrat, për të shëruar secilin. Vjen të shërojë frikën – sa frikë kemi – pasiguritë; vjen të na shërojë plagët, edhe plagët që i hapim njëri-tjetrit; vjen të na shndërrojë në dishepuj, dishepuj misionarë, dëshmitarë, plot guxim, plot me parrezi apostolike, për të predikuar Ungjillin e Krishtit”. E Papa Françesku shpjegon edhe sa nevojë kemi sot për Shpirtin Shenjt.

“Sot, bota vuan, është e plagosur; jetojmë në një botë tejet të plagosur, që vuan, sidomos në më të varfërit, të cilët mënjanohen. Tani që të gjitha siguritë tona njerëzore janë zhdukur, bota ka nevojë që ne t’i sjellim Jezu Krishtin”.

E këtë dëshmi, thekson Bergoglio, mund ta japim vetëm me ndihmën e Shpirtit Shenjt. Vetëm Ai na bën të kuptojmë se “jemi një familje e vetme njerëzore” e se “askush nuk shpëton i vetëm” nga pandemia, e cila na detyroi ta përjetojmë këtë të vërtetë në mënyrë më dramatike. E kur të dalim prej saj, duhet të ndërtojmë një realitet të ri, duke u mbështetur në fjalën e Zotit, që thotë se Ai “i bën të reja të gjitha gjërat”.

“Kur të dalim nga kjo pandemi – kërkon Ati i Shenjtë – nuk mund të vijojmë si më parë e ashtu siç bënim më parë. Jo, gjithçka do të jetë ndryshe. Gjithë kjo vuajtje nuk do të shërbejë për asgjë, nëse nuk do të ndërtojmë së bashku një shoqëri më të drejtë, më të barabartë, më të krishterë, jo sa për emër, por me fakte, një realitet që të na bëjë të sillemi si të krishterë. Nëse nuk do të punojmë për t’i dhënë fund pandemisë së varfërisë në botë, pandemisë së varfërisë në vendin e secilit prej nesh, në qytetin ku jeton secili prej nesh, kjo kohë do të ketë kaluar kot”.

Nëse nuk do të jetojmë me vetëdijen se do të gjykohemi sipas fjalëve të Jezu Krishtit - “pata uri e më dhatë të ha, isha në burg e erdhët të më shihni, isha i huaj e më përbujtët” –nuk do të bëhemi më të mirë”. Papa i fton anëtarët e Charis, që t’i qëndrojnë besnik thirrjes së Shpirtit Shenjt, përvijuar në dokumentin e Malines, shkruar në vitet ’70 nga kardinali Suenes e nga ipeshkvi Helder Camara, me titull “Ripërtëritja Karizmatike dhe shërbimi për njeriun”, ku përvijohet udha e kësaj lëvizjeje katolike botërore.

Papa e përfundon videomesazhin me fjalët profetike të shën Gjonit XXIII, që, kur shpallte Koncilin II të Vatikanit, trashëgimia e të cilit është bazë për Ripërtëritjen Karizmatike, thoshte: “Denjoftë Shpirti i adhurueshëm i Zotit…ta pranojë këtë lutje, e cila i drejtohet përditë, nga çdo anë e tokës: ‘Përtëriji mrekullitë në këto kohët tona, sikur ato të ishin Rrëshajë të reja, e bëj që e Shenjtja Kishë, duke vijuar udhën me ngulm, në pajtim me Marinë, Nënën e Jezusit, udhëhequr nga Shën Pjetri, ta shtrijë kudo mbretërinë e Shpëtimtarit hyjnor, mbretërinë e së vërtetës dhe të drejtësisë, mbretërinë e dashurisë dhe të paqes’”.

30 maj 2020, 22:35