Kërko

Vatican News
 Lutja e Mbretëreshës Qiellore Lutja e Mbretëreshës Qiellore  (Vatican Media)

Mbretëresha Qiellore, Françesku: të dalësh nga muret mbrojtëse të “çenakujve”

Besimtarët u kthyen përsëri në Sheshin e Shën Pjetrit, për t’u lutur së bashku me Papën, pas lockdown. Françesku foli për Rrëshajët e kujtoi se “duke i falur e duke i mbledhur rreth vetes dishepujt, Jezusi bën prej tyre Kishën e Tij: një bashkësi të pajtuar, gati për mision”.

 Lutjen e Mbretëreshës Qiellore, në Solemnitetin e Rrëshajëve, Papa e nisi, ashtu siç nis edhe vetë historia e shëlbimit: me dikimin e Shpirtit Shenjt mbi bashkësinë e parë të krishterë. Ungjilli i sotëm - kujtoi - na merr për dore e na çon në Çenakull, mbrëmjen e Pashkëve. Aty e takojmë për herë të parë Krishtin e ngjallur. Në mes të apostujve, të fshehur nga  frika e fillimit të persekutimit. E, pikërisht kur presin lajmet më tronditëse, dëgjojnë  zërin e Zotit, që u flet e u uron: “Paqja qoftë me ju!”. E këto janë edhe fjalët e para që thotë i Ngjalluri! Janë diçka më shumë se përshëndetje: me to Krishti tregon se i fal dishepujt, që e braktisën në orën më të zezë të jetës së Tij tokësore. Janë fjalë pajtimi e faljeje:

“Jezusi u ofron paqen pikërisht këtyre dishepujve, që kanë frikë, që nuk arrijnë ta besojnë as atë, që e shikojnë me sytë e tyre,  domethënë, varrin e zbrazur, që e nënvleftësojnë dëshminë e Marisë Magadalenë e të grave të tjera. Jezusi i fal e u ofron paqen miqve të tij”.

E pikërisht  duke i mbledhur rreth vetes dishepujt, Jezusi bën prej tyre Kishën e vet: një bashkësi të pajtuar e të gatshme për mision:

“Takimi i Zotit të ngjallur e kthen përmbys jetën e Apostujve, i shndërron në njerëz guximtarë, i bën dëshmitarë”.

E këtë e tregojnë edhe fjalët që u thotë më pas:

“Ashtu si Ati më dërgoi mua, edhe unë po ju dërgoj ju!”.

Apostujt, të dërguar për mision

Këto fjalë na bëjnë të kuptojmë se Apostujt u dërguan për ta vijuar të njëjtin mision, të cilin Ati ia kishte besuar vetë Jezusit:

“Unë po ju dërgoj ju: nuk është kohë për t’u ngujuar, as kohë për të qarë me lot orët e bukura, të kaluara me mësuesin. Gëzimi i ngjalljes është i madh, por është gëzim, që nuk duhet mbajtur për vete”.

 Në të dielat e kohës së Pashkëve e kemi dëgjuar të njëjtin episod, më pas, edhe në takimin me dishepujt e Emmaus, në atë të Bariut të mirë, në predikimet e lamtumirës dhe në premtimin e Shpirtit Shenjt: gjithçka me synimin për të forcuar fenë e dishepujve - e edhe tonën - lidhur me misionin.

Shpirti Shenjt, dhuratë për forcimin e misionit

E pikërisht për të gjallëruar misionin, Jezusi u dhuron Apostujve Shpirtin e Tij: “Fryu mbi ta e tha: ‘Merreni Shpirtin Shenjt’”:

“Shpirti Shenjt është zjarr, që i djeg mëkatet dhe krijon burra e gra të reja; është zjarr dashurie, me të cilin dishepujt mund ta kallin flakë botën’ domethënë, të përhapin atë dashuri të dhembshur, që do më shumë të vegjlit, të varfërit, të përjashtuarit…”.

Dhurata e Shpirtit Shenjt

Në sakramentin e Pagëzimit e të Krezmimit - vijoi të kujtojë Papa gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore - marrim Shpirtin Shenjt me dhuratat  e Tij: dijen, kuptimin, këshillën, forcën, gjykimin, përshpirtërinë, frikën e Tënzot! Është pikërisht e kundërta e frikës, që paralizonte më parë dishepujt: është dashuria për Zotin, siguria për mëshirën e mirësinë e Tij; është besimi se mund të lëvizësh në drejtimin e treguar prej Tij, me bindjen se nuk do të të mungojë kurrë prania e ndihma e Atit.

Shpirti Shenjt, i pranishëm në shpirtin tonë

Festa e Rrëshajëve na bën të vetëdijshëm se në ne banon prania gallëruese e Shpirti Shenjt. Ai na jep edhe ne guximin për të dalë jashtë mureve mbrojtëse të “çenakujve” tanë, për të mos jetuar në plogështi e për të mos u ngujuar brenda zakoneve shterpe.

Lutja Zojës, për të kërkuar shpirtin misionar

Në fund Papa, si zakonisht, i ftoi besimtarët t’ia drejtojnë lutjen Zojës së Bekuar:

“T’ia lartojmë tani mendimin tonë Marisë, protagoniste, njëheresh me Bashkësinë e përvojës së mahnitshme të Rrëshajëve, e ta lusim të nxjerrë për Kishën, hirin e shpirtit të zjarrtë misionar”.

31 maj 2020, 12:42