Kërko

Vatican News
 Katedralja e San Paolo, Brazil Katedralja e San Paolo, Brazil 

Lutja e Papës për banorët e San Paolo të Brazilit

Papa Françesku e thirri në telefon kardinalin Odilo Pedro Scherer, kryeipeshkëv metropolit i San Paolos të Brazilit, duke i shprehur shqetësimin e tij për shtimin e numrit të të sëmurëve dhe humbjen e jetëve njerëzore në kryedioqezë, për shkak të pandemisë së coronavirusit. Ati i Shenjtë i shprehu të gjithë popullsisë solidaritetin dhe afërsinë e tij,

R. SH. - Vatikan

Kryeipeshkvi i San Paolos të Brazilit, kardinali Odilo Pedro Scherer, njoftoi sot se të shtunën, më 9 maj, në orën 11.50, pati një telefonatë të papritur. Dikush e thirri në telefon. Ishte Papa Françesku. Në një notë, kryeipeshkvi kujton se Ati i Shenjtë e pyeti menjëherë për gjendjen në qytetin e San Paolos, pas njoftimeve që kishte marrë për situatën e rëndë të pandemisë në kryeqendrën braziliane. Papa shprehu shqetësimin e tij të thellë për shtimin e vrullshëm të numrit të të sëmurëve e, sidomos, për humbjen e jetëve njerëzore dhe premtoi se do të lutet për të gjithë.

Deshi të dinte, më pas, diçka edhe për gjendjen e të varfërve, të shumtë në lagjet e jashtme të San Paolos dhe shprehu shqetësimin e tij për kushtet në të cilat po e jetojnë pandeminë, duke e ditur se jo gjithnjë mund t’i vënë në jetë masat parandaluese kundër infektimit me Covid 19. I shprehu, më pas, edhe afërsinë e solidaritetin popullsisë së San Paolos, duke siguruar se lutet vazhdimisht për gjithë popullin brazilian.

Së fundi - shtoi kardinali Scherer - Papa iu lut t’ia transmetonte të gjithëve bekimin e tij apostolik dhe i kërkoi të lutet për të. Hirësia e Tij, në përfundim, e falënderoi Atin e Shenjtë për fjalët e mira, burim ngushëllimi për brazilianët e San Paolos, të cilëve ua përcolli afërsinë e Françeskut dhe bekimin e tij apostolik.

11 maj 2020, 12:05