Kërko

 Gjon Pali II dhe Kryqi Gjon Pali II dhe Kryqi 

Kryeipeshkvi i Krakovit: Wojtyla, njeri i shpresës, themeluar mbi Krishtin

Në Vatican News, imzot Marek Jędraszewski, kryeipeshkëv metropolit i Krakovit, rilexon shërbesën e gjatë papnore të Gjon Palit II, duke u ndaluar posaçërisht tek vuajtja. Gjithçka është gati në Poloni, për të përkujtuar njëqind vjetorin e lindjes së Karol Wojtylës

R. SH. - Vatikan

“Prej pritjes së një vendi, gati për të kujtuar njëqind vjetët e kaluara nga lindja e Papës Shenjt, deri tek kujtimi i ditëve të fundit, plot me dhimbje, por edhe me forcën e Kryqit!”. Imzot Marek Jędraszewski, kryeipeshkëv metropolit i Krakovit, e tregon kështu jetën e Gjon Palit II, duke u ndaluar posaçërisht tek “humanizmi i tij i thellë, themeluar mbi Ungjillin e Jezu Krishtit”.

Si po përgatitet kryedioqeza për kremtimin e njëqindvjetorit të lindjes së Gjon Palit II e si po e jeton këtë atmosferë, pa marrë parasysh problemet e krijuara nga pandemia e coronavirusit?

“Projektuam shumë ngjarje për të kremtuar njëqind vjetorin e parë të lindjes së Gjon Palit II; është e vërtetë se u detyruam t’i reduktojmë shumë nisma, por mbetet çka është më e rëndësishme, domethënë, lutja, Lutja, që së pari do të kremtohet të diel, më 17 maj, pikërisht në Wadowice, ku do të çohet dhe Mesha shenjte, e transmetuar përmes televizionit publik në mbarë Poloninë. E pastaj, të nesërmen, më 18 maj, data e lindjes së Papës Wojtyla, në orën 17.00, do të jetë kremtimi në Qendrën Gjon Pali II, në Krakov. U zgjodh kjo orë, sepse Karol Wojtyla lindi pikërisht ndërmjet orës 17.00 e 18.00. E vjen, pastaj, edhe një përkim tjetër: 58 vjet më pas, pikërisht në këtë orë, u zgjodh Papë. Pas Meshës do të ketë një koncert të madh, organizuar nga ne, në bashkëpunim me televizionin publik polak; e pastaj do të ketë edhe një program tjetër, në mbrëmje. Shpresojmë, gjatë këtij koncerti, të dëgjojmë edhe një fjalë nga ana e Papës Françesku. Po presim me besim të plotë. Sidomos të rinjtë polakë, Krakovi e mbarë Polonia”.

Shkëlqesi, çfarë do të thotë për këtë jubile, sapo të nisur, lumnimi i prindërve të Gjon Palit II?

“Është shumë i veçantë, por edhe shumë i bukur, fakti që mund ta kremtojmë 100-vjetorin e lindjes së Gjon Palit II e njëherësh të fillojmë procesin kanonik të prindërve të tij. Shenjë shumë domethënëse, mbasi e dimë se lindi në një familje shumë të bukur, me fe të thellë e me dashuri, që e mbushte përplot jetën e saj. Është shenjë shumë e bukur, posaçërisht tani, kur kultura bashkëkohore e shikon me dyshim martesën e familjen. Pamë se ky burrë me të vërtetë shenjt, Gjon Pali II i Madhi, u rrit në një familje, që e jetonte çdo ditë dashurinë për Zotin e për të afërmin”.

Cilat janë pikat më aktuale të mësimit të madh të Gjon Palit II deri më sot? E edhe për këtë kohë pandmie?

“Duke parë pandeminë, duhet të kujtojmë se vëllai i madh i Gjon Palit II, domethënë i Karolit të vogël, Edmundi, ishte mjek. Kur Karoli ishte vetëm 12 vjeç, në Poloni u përhap pandemia e skarlatinës; asokohe kjo ishte sëmundje vdekjeprurëse. Mjeku i ri u ndodh në një situatë shumë të vështirë, sepse në spital ishte një grua e infektuar nga kjo sëmundje. E prej saj tmerroheshin të gjithë, edhe mjekët e infermieret. Mjeku i ri mbeti vetëm. Ai bëri çmos ta shpëtonte gruan por, për fat të keq, ajo pas disa ditësh vdiq. E pas saj u sëmur edhe mjeku i ri. Iu ngjit sëmundja. Vuajti vetëm katër ditë. Në të katërtën, vdiq.  Për Karol Wojtylën sjellja e të vëllait qe shembull, që e bëri të kuptojë konkretisht ç’do të thotë të flijosh jetën për tjetrin. Mendoj se kjo përvojë personale do ta nxiste Papën e ardhshëm të interesohej fort për njerëzit e sëmurë e të prekej në shpirt nga çdo vuajtje. Që nga fillimi i papnisë e deri në fund të jetës, tregoi vëmendje të posaçme për njerëzit që vuajnë. Ndjeshmëria ndaj vuajtjes së tjetrit është një nga mësimet më të çmuara, që na la trashëgim Gjon Pali II. E kjo për të nuk ishte teori, sepse e kishte provuar shpesh vuajtjen. Posaçërish gjatë viteve të fundit të jetës. Duke i ofruar të gjitha vuajtjet  për Kishën e gjithnjë i bashkuar me Krishtin. Kujtojmë shenjën prekëse të së Premtes së Madhe të vitit 2005 kur, duke mos mundur të marrë pjesë në Udhën e Kryqit, në Koloseum, e ndoqi nga Kapela private, për t’iu afruar, pastaj, Kryqit të Krishtit. Për Arturo Marin, fotografin e tij, fotografia e këtij çasti është simbol i gjithë papnisë së Wojtylës: bashkim i gjithë jetës, i çasteve të bukura, por edhe të vështrira, me Krishtin, që jep forcë e shpresë!”.

Shkëlqesi, një pyetje të fundit: ç’dëshironi t’i thoni dëgjuesve tanë me rastin e Jubileut të lindjes së Gjon Palit II?

 “Kremtimi i njëqindvjetorit  të lindjes së Gjon Palit II është vërtet ngjarje tejet e rëndësishme, jo aq në pikëpamje historike, që natyrisht ka shumë rëndësi, por më shumë për rikujtimin e mesazhit, që i la Kishës, ne, botës. Mesazhi i tij është i pashoq e vë në pah madhështinë e çdo njeriu, që nga çasti i zënies, deri në vdekjen e tij të natyrshme. E ky humanizëm, shumë i bukur, shumë i fortë, por edhe shumë kërkues, duhet themeluar gjithnjë mbi Ungjillin e Jezu Krishtit. Vetëm me këtë kusht mund t’i ofrojmë botës vizionin e njeriut, që nuk është i humbur por që, me gjithë vështirësitë, e edhe me ndryshimet e kohëve, është njeri i shpresës. Shpresë, që na kujton se në fund të gjithë do të takohemi me Krishtin, në shtëpinë e Zotit plot mëshirë. Ky është edhe mesazhi, që na la trashëgim i Madhi Shën Gjon Pali II: mesazh shumë aktual jo vetëm për sot, por edhe për vitet që do të vijnë”.

15 maj 2020, 12:17