Kërko

Vatican News

Papa Françesku: Zoti është aleati ynë besnik

Në audiencën e përgjithshme, mbajtur përsëri në Bibliotekën e Pallatit Apostolik, Papa reflektoi për karakteristikat e lutjes së krishterë, zë i një “uni” të vogël, në kërkim të një “Tjetri”. Në përshëndetjet përfundimtare, Papa kujtoi 100-vjetorin e lindjes së Gjon Palit II, më 18 maj, dhe përsëriti thirrjen për ditën e nesërme, kushtuar lutjes, agjërimit dhe veprave të bamirësisë.

R. SH. - Vatikan

“Lutja e të krishterit”- kjo ishte tema e katekizmit të audiencës së sotme të përgjithshme, mbajtur nga Papa në në Bibliotekën e Pallatit Apostolik. Ishte hapi  i dytë i udhës kushtuar Lutjes, nisur javën e kaluar.

Lutja - kujtoi në fillim Ati i Shenjtë - u përket të gjithëve: njerëzve të çdo besimi, e ndoshta-ndoshta edhe atyre, që nuk kanë kurrfarë besimi. Të gjithë e ndjejnë nevojën e lutjes, që lind në fshehtësitë e vetvetes, në atë vend, të cilin autorët shpirtërorë e quajnë “zemër” (krh Katekizmi i Kishës Katolike, 2562-2563). Prandaj lutja nuk është diçka e dorës së dytë,  nuk është pa rëndësi.

“Është misteri më intim, që kemi në zemrat tona. Emocionet luten, po nuk mund të themi se lutja është vetëm emocion. Inteligjenca lutet, por të lutesh nuk është vetëm akt intelektual. Trupi lutet, por mund të flitet me Zotin, edhe kur je në kulmin e gjymtimit. Prej këndej, nëse lutet zemra, lutet i gjithë njeriu, me korp e me shpirt”.

Lutja është hov shpirtëror, është thirrje, që shkon përtej vetvetes; është diçka, që lind në thellësitë e shpirtit tonë njerëzor e ndjehet si mall i një takimi. Lutja është zë i një “un”, që  ecën me tahmi,  duke prekur me duar, në kërkim të një “Ti”.

“Krishterimi, fe që kremton pambarimisht  “dukjen” e Zotit

Lutja e të krishterit lind nga një zbulesë: ai “Ti”, që kërkohet, nuk mbeti i mbështjellë në mister - kujtoi Papa në katekizmin e audiencës së sotme të përgjithshme - po hyri në lidhje me ne.

“Krishterimi është fe që kremton pambarimisht “dukjen” e Zotit, epifaninë e Tij. Festat e para të vitit liturgjik janë kremtim i këtij Zoti, që nuk mbetet i fshehur, po ua ofron miqësinë e tij njerëzve. Zoti e dëfton lumninë e tij në varfërinë e Betelehemit, në kundrimin e Mbretërve Dijetarë, në pagëzimin në Jordan, në mrekullinë e Dasmës së Kanës. Ungjilli i Gjonit përfundon me pohimin sintetik, himnin e Prologut: “Zotin nuk e pa kurrë, askush: pikërisht Biri i Tij i vetëm, që është i një natyre me Atin, ai e bëri të njihet” (1,18)”..

Të krishterët i drejtohen Zotit, duke e thirrur Atë

Lutja e të krishterit - kujtoi Papa në vijim të katekizmit të audiencës së përgjithshme - hyn në lidhje me Zotin me fytyrë tejet të butë, që nuk do t’i frikësojë njerëzit. Kjo është karakteristika e parë e lutjes së krishterë. Nëse njerëzit qenë mësuar gjithnjë t’i afrohen Zotit pakëz si të trembur, nëse qenë mësuar ta nderojnë me sjellje plot përulje, të ngjashme me atë të nënshtetasit, që e shikon me respekt të thellë zotërinë, të krishterët, përkundrazi, i afrohen Atij ndryshe. Guxojnë t’i drejtohen në mënyrë miqësore me emrin “Atë”.

Në lidhjen e të krishterit me Zotin nuk ka asnjë shenjë marrëdhënieje  “feudale”. Në trashëgiminë e fesë sonë nuk ka shprehje si “nënshtetësi” “skllavëri” ose “vasalizëm”! Fjalët e fesë sonë janë “besëlidhje”, “miqësi”, “bashkim”.  Në predikimin e tij të gjatë  të lamtumirës, drejtuar dishepujve të vet, Jezusi thotë. “Nuk do t’ju thërras më shërbëtorë, sepse shërbëtori nuk e di çka bën zotëria i tij! Ju quajta miq, sepse ju zbulova gjithçka që dëgjova prej Atit tim. Nuk më zgjodhët ju mua, ju zgjodha unë dhe ju caktova të shkoni e të jepni fryt e fryti uaj të qëndrojë;  e edhe që Ati  t’ju japë  gjithçka kërkoni në emrin tim”(Gjon 15,15-16).

Zoti vijon të na dojë fort

Më pas Papa skicoi me dy fjalë figurën e Zotit. Zoti është mik - kujtoi - Zoti është aleat, është dhëndërr. Në lutje mund të vendoset një lidhje  besimplote me Të. E kjo është aq e vërtetë, sa në “Atynë” Jezusi na mësoi  t’i drejtojmë një sërë pyetjesh. Zotit mund t’i kërkojmë gjithçka, t’i shpjegojmë gjithçka, t’i tregojmë gjithçka.

A është e mundur, që ti di vetëm të duash?

Nuk ka rëndësi se në lidhjen me Zotin ndjehemi fajtorë: nuk jemi miq të mirë, nuk jemi bij mirënjohës, nuk jeni dhëndurë besnikë. Po ai vijon të na dojë fort. E këtë Jezusi na e dëshmon përfundimisht në Darkën e Mbrame - kujtoi Papa në katekizmin e audiencës së përgjithme kushtuar lutjes - kur thotë: “Ky kelk është besëlidhja e re në gjakun tim, që do të derdhet për ju” (Lk 22,20). Me këtë gjest Jezusi përshpejton në çenakull, misterin e Kryqit. Zoti është aleat besnik: edhe nëse njerëzit nuk e duan më, Ai vijon t’i dojë, pa marrë parasysh se kjo dashuri e çon në Kalvar!

Të provojmë të gjithë t’i lutemi kështu - porositi Papa -  duke hyrë në misterin e besëlidhjes. Të lutemi ndër krahët mëshirëplotë të Zotit, ta ndjejmë veten të mbështjellë nga ky mister lumturie, që është jeta e Trinisë, ta ndjejmë veten  si  të dërguar, që nuk e meritonim gjithë këtë nder. E t’i përsërisim Zotit, në mahnitjen e lutjes: “A është e mundur që Ti di vetëm të duash?”. Kjo është bërthama e zjarrtë e çdo lutjeje të krishterë!

13 maj 2020, 12:27