Kërko

Vatican News
 Gjon Pali II të Dielën e Larit Gjon Pali II të Dielën e Larit 

25 vjet pas enciklikës “Ut unum sint”, ndërmjet profecisë e kundërshtimeve

Një thirrje e apasionuar, drejtuar të krishterëve, që t’i përgjigjen lutjes së Jezusit për bashkmin e dishepujve të Tij. Enciklika e Papës Wojtyla ndihmon për ta shikuar realitetin e bashkësive të krishtera të kohëve tona me angazhim të ri ekumenik.

R. SH. - Vatikan

Enciklika “Ut unum sint”- “Që të jemi një”  e Shën Gjon Palit II, kushtuar ekumenizmit, u botua më 25 maj 1995: njëzet e pesë vjet më pas, e ruan të pacenuar freskinë dhe  frymëzimin profetik. Me shikimin drejtuar nga e ardhmja, tregon cakun, që duket i largët: bashkimin e të krishterëve! E deshi vetë Jezusi e, para se t’i bënte ballë Mundimeve, iu lut Atit pikërisht për këtë: “që të tijtë të ishin një gjë e vetme!”.

Papa i unitetit

Papa Wojtyla e ndjeu me forcë këtë dëshirë të zjarrtë të Zotit, e bëri të tijën, e ekumenizmi u bë një nga përparësitë e papnisë, sepse ndarja e të krishterëve është shkandulll, që cenon vetë veprën e Krishtit: “Të besosh në Krishtin - shkruan - do të thotë ta dëshirosh unitetin”. Është akt bindjeje, që zgjeron horizontin e zemrës e të mendjes. Por pikërisht Papës së unitetit iu desh të provojë dhimbjen e madhe të skizmës: ka edhe vëllezër që nuk duan ta kuptojnë këtë hop cilësor përpara. Dokumenti arrin shtatë vjet pas shugurimit të paligjshëm ipeshkvnor nga ana e kryeipeshkvit Marcel Lefebvre i cili, më 1988, sanksionon shkëputjen nga Roma.

Gjon Pali II akuzohet për relativizëm nga tradicionalistët

Prelati tradicionalist francez e akuzon Papën polak dhe Koncilin II të Vatikanit për atë, të cilin e quan: “Ekumenizëm i rremë”, që e rrënon fenë e vërtetë, e çon Kishën në shkatërrim e katolikët, në apostazi: thotë edhe se Provania u ka besuar misionin t’i kundërvihen “Romës moderne, të molepsur nga modernizmi”, që “të ribëhet Roma katolike e të rigjejë Traditën e vet dymijëvjeçare”. Sipas tij, ka nisur një “konceptim protestant” i Meshës dhe i sakramenteve. Lefebvre vdiq në vitin 1991. Pasardhësitt e tij  e sulmuan enciklikën e Gjon Palit II sepse - pohuan - jo vetëm që çon në “relativizëm dogmatik”, por edhe e përmban këtë. Qëndrim ky, që bazohet mbi “nocionin kontradiktor e të paplotë të traditës”, pati thënë Wojtyla në Letrën Apostolike “Ecclesia Dei”: të paplotë, mbasi  nuk  pranon se Tradita është e gjallë dhe rritet, duke  kaluar nga breznia në brezni, pa u fiksuar në një datë historike të paravendosur; kontradiktore, sepse Tradita nuk mund të ndahet kurrë nga bashkimi me Papën dhe me barinjtë  e mbarë botës.   

Shprehja e së vërtetës mund të jetë shumëformëshe

Nuk bëhet fjalë “për ta modifikuar depozitën e fesë, e “as për të ndryshuar kuptimin e dogmave” - shpjegon Papa Wojtila, por për të kuptuar se “shprehja e së vërtetës mund të jetë shumëformëshe, sepse doktrina duhet paraqitur në mënyrë, që të jetë e kuptueshme nga ata, të cilëve ua drejtoi vetë Zoti”, pavarësisht nga kultura, së cilës i përkasin, duke shmangur çdo formë “sektarizmi, përjashtimi etnik apo paragjykimi racor”.

Nga dialogu i doktrinës, tek dialogu i dashurisë

Enciklika thekson se është e nevojshme që “mënyra dhe metoda e kumtimit të fesë katolike të mos jetë pengesë për dialogun me vëllezërit, me vetëdijen se ekziston një hierarki në të vërtetën e doktrinës katolike”. Kisha - pohon Gjon Pali II - është e thirrur nga Krishti për reformim të vazhdueshëm, që mund të kërkojë rishikimin e pohimeve e të sjelljeve”. Dialogu - kujton - nuk zhvillohet vetëm rreth doktrinës, por përfshin mbarë njeriun, sepse është edhe dialog dashurie. E pikërisht nga dashuria lind edhe dëshira për unitet. Eshtë udhë, që kërkon punë durimtare e guximtare.

Përparësia e lutjes

Në ekumenizëm - vëren Papa polak - vendin e parë e zë lutja e përbashkët. Të krishterët, duke u lutur së bashku, zbulojnë se çka i bashkon është shumë më e fortë, se çka i ndan. Risimi liturgjik nga ana e Kishës katolike dhe nga ana e bashkësive të tjera kishtare, krijoi kushtet për t’iu drejtuar  Atit me një zemër të vetme. E kush do të mundte vetëm ta mendote këtë, një shekull më parë?”.

Angazhimi i përbashkët për lirinë, drejtësinë, paqen

Ndërmjet hapave përpara në udhën e ekumenizmit, Enciklika thekson bashkëpunimin në rritje të të krishterëve, që u përkasin konfesioneve të ndryshme në fushën e angazhimit për lirinë, drejtësinë, paqen, ardhmërinë e botës”, e vë në dukje se “zëri i përbashkët e i të krishterëve është shumë më i fuqishëm se një zë i vetëm”, në përpjekjen për ngadhënjimin e  respektimit të të drejtave, “posaçërisht për të varfërit e të pambrojturit”.

Të flitet me një gjuhë të re, duke kaluar nga dënimi, në faljen reciproke

Gjon Pali II kërkon ndryshimin e gjuhës e të sjelljeve: duhet shmangur stili agresiv e antagonist i kundërvënieve, “disfatizmi, që synon  ta shikojë gjithçka me sy negativ”, “me syrin që dënon e përbuz”. Duhet kërkuar  ndihma e Zotit për t’i shembur muret, ndarjet e mosbesimin, për t’i kapërcyer pengesat e paragjykimet, duke i zhdukur fjalët e shprehjet, që plagosin e duke zgjedhur rrugën e përvujtërisë, të butësisë e të bujarisë vëllazërore. Kështu, me kalimin e kohës, nuk do të flitet më për heretikë a armiq të fesë, por “për të krishterët e tjerë”, “për të pagëzuarit e tjerë” . E Gjon Pali II kërkon i pari ndjesë për fajet e anëtarëve të Kishës.

Paria e Papës: shërbim dashurie

“Ut unum sint” është sintezë e shkëlqyer e udhës së Kishës gjatë 2 mijë vjetëve të historisë së saj. Është dritë për udhën, që kemi përpara, duke vijuar në drejtimin e atyre, që na paraprinë. Tregon karakterin e gjallë të Traditës që, siç thuhet në  “Dei Verbum”, e ka zanafillën nga Apostujt e përparon në Kishë në praninë e Shpirtit Shenjt. E pikërisht falë Shpirtit të Zotit rritet inteligjenca e fesë. Në këtë udhë - pohon Gjon Pali II, duke cituar Shën Çiprianin - vëllezërit duhet të mësohen të shkojnë të pajtuar në altar, sepse “Zoti nuk e pranon flijen e kujt është në grindje”. “Flija më e madhe, që mund t’i ofrojmë Zotit, është paqja e harmonia jonë vëllazërore, është populli i mbledhur në unitetin e Atit, të Birit e të Shpirtit Shenjt”. E ftesa e fundit e Papës është t’i kërkojmë Zotit hirin e unitetit! Që gjithë të krishterët të jenë një gjë e vetme!

25 maj 2020, 12:28