Kërko

Vatican News

Veprimtaria javore e Papës Françesku

R.SH. - Vatikan

Dishepujt e Emausit, protagonistët e Ungjillit të sotëm, në qendër të reflektimit të Papës Françesku, gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore, mesditën e sotme. Ati i Shenjtë krahasoi dy rrugët e ndryshme të dishepujve: atë, para se të takoheshin me Krishtin e Ringjallur dhe atë, pas takimit me të.

“Dy rrugët e ndryshme të atyre dishepujve të parë na tregojnë, ne dishepujve të Jezusit sot,  - nënvizoi Papa, gjatë reflektimit të tij - se në jetë kemi përpara dy drejtime të kundërta: kemi rrugën e atyre që, ashtu si ata të dy gjatë udhëtimit për në Emaus, paralizohen nga zhgënjimet e jetës dhe ecin të trishtuar; e kemi edhe rrugën e atyre, që nuk e vendosin veten dhe problemet e tyre në plan të parë, por Jezusin që na viziton, si edhe vëllezërit, që presin vizitën e Tij. Kjo është pika e kthesës: këtu reshtim së rrotulluari rreth vetes, rreth zhgënjimeve të së kaluarës, rreth idealeve të parealizuara dhe ecim, duke ia ngulur sytë realitetit më të madh e më të vërtetë të jetës: Jezusi është i gjallë dhe më do”.

Javës së kaluar, Ati i Shenjtë vijoi meshët e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës, të cilat ndiqen jashtëzakonisht edhe në televizion e në internet, në pamundësi për të shkuar fizikisht në kishë, në këto kohë koronavirusi. Çdo ditë, Ati i Shenjtë i fton besimtarët të adhurojnë të Shenjtnueshmin Sakrament, të bëjnë Kungimin Shpirtëror dhe të thonë, bashkë me të, një lutje për Zojën. Çdo ditë, Papa lutet për një ndjet të veçantë.

 Të hënën, Françesku u lut “për burrat e gratë, që merren me politikë…dhe për partitë politike të vendeve të ndryshme që, në këtë çast pandemie, të kërkojnë së bashku të mirën e vendit, jo të partisë”.

Të martën, Ati i Shenjtë u lut që, në këtë kohë të karakterizuar nga pandemia e nga një heshtje e re, të mësojmë si të dëgjojmë.

Ditën e mërkurë, Ati i Shenjtë kremtoi meshën e mbajti audiencën e përgjithshme, natyrisht, jo në Sheshin e Shën Pjetrit, për shkak të Covid-19. Lutjen e fillimit të meshës ia kushtoi Evropës, që në këtë kohë kur ndjehet fort nevoja e bashkimit ndërmjet kombeve, t’ia dalë mbanësh të ketë unitetin aq të nevojshëm vëllazëror. Ndërsa, katekizmin e audiencës së përgjithshme ia kushtoi mbrojtjes së krijimit, me rastin e 50-vjetorit të Ditës së Tokës.

Gjatë meshës së kremtuar në Shën Martë, ditën e enjte, Papa Françesku u lut për sa e sa familje në krizë, për shkak të koronavirusit. Ka njerëz, që përfitojnë nga situata, denoncoi, duke u kërkuar fajdexhinjve, që i mbysin familjet me borxhe, të kthejnë rrugë sa s’është vonë.

Të premten, Papa Françesku kujtoi, në fillim të meshës së mëngjesit, botën e shkollës, të dëmtuar rëndë nga koronavirusi dhe i ftoi besimtarët të luten pikërisht për nxënësit e mësuesit.

26 prill 2020, 12:19