Kërko

Vatican News

Papa: Zoti i dhashtë maturi popullit, përballë pandemisë

Gjatë Meshës, kremtuar në Shën Martë, Françesku u lut që populli i Zotit t’i respektojë masat për fundin e karantinës, që pandemia të mos rikthehet. Në homeli Papa ftoi të rrimë larg thashethemeve të përditshme, që krijojnë opinione të rreme për njerëzit.

R. SH. - Vatikan

Edhe sot, e marta e javës së tretë të Pashkëve, Françesku kryesoi, si çdo mëngjes, Meshën në Shtëpinë e Shën Martës. Në hyrje, u ndalua tek sjellja e popullit të Zotit përballë fundit të karantinës:

“Në këtë kohë, në të cilën nisin udhëzimet për të dalë nga karantina, ta lusim Zotin t’i japë popullit të vet, ne të gjithëve, hirin e maturisë e të respektimit të masave, që pandemia të mos kthehet përsëri”.

Në homeli, Ati i Shenjtë komentoi fragmentin e shkëputur nga Veprat e Apostujve (Vap 7,51-8,1), në të cilin Shtjefni i flet me guxim popullit, pleqve e skribëve, që e gjykojnë me dëshmi të rreme, e zvarrisin jashtë qytetit dhe e mbysin me gurë. Edhe me Jezusin kështu bënë - pohoi Papa -  duke u përpjekur ta bindin popullin se ishte blasfemues. E është marrëzi -vijoi - të nisesh nga dëshmitë e rreme “për të zbatuar drejtësinë”: lajmet e gënjeshtra, shpifjet, thashethemet, që e tërbojnë popullin, duke e nxitur të bëjë drejtësi, janë linçim i vërtetë.

E kështu e çojnë njeriun para gjykatësit, që t’i japë formë të ligjshme dënimit. E ia beh gjykatësi, që duhet të jetë shumë, tepër i drejtë, për t’iu kundërvënë gjykimit popullor, të parapërgatitur me kujdes të madh, për të arritur doemos tek dënimi. Është rasti i Pilatit: Pilati e shikon qartë se Jezusi është i pafajshëm, po shikon edhe popullin e tërbuar e i lan duart. Është mënyra për të  bërë  jurisprudencë!

“E kjo vijon edhe sot: edhe sot, në disa vende ku përgatiten grushtet e shtetit a kur synohet të nxirret jashtë loje ndonjë politikan, që të mos guxojë të kandidojë për t’u zgjedhur, ia nisin lajmet e rreme, shpifjet, e pastaj arrin puna edhe tek gjykatësi i zgjedhur enkas, e pastaj dhe tek dënimi. Është linçim shoqëror”.  

Kështu bënë me Shtjefnin, duke e përdorur popullin e tërbuar nga gënjeshtrat e tyre. Përballë ortekut të lajmeve të rreme, që krijojnë opinion, nganjëherë nuk mund të bësh asgjë për ta shmangur gjykimin e padrejtë: “Mendoj për Shoah - kujtoi Papa - u krijua opinioni kundër popullit një herë, e pastaj nisi edhe shfarosja. Shfarosja e madhe. Por kemi edhe një linçim tjetër, të vogël, të përditshëm. Prirje për t’i dënuar njerëzit, për t’u nxjerrë namin e keq. E ky është linçim, që krijon opinione! Për të parapërgatitur dënimin!”.

Kështu u shpreh Papa në homeli, duke kujtuar më pas natyrën e së vërtetës:

“E vërteta është e qartë e transparente, është  dëshmi e asaj që mund të vërtetohet, e asaj, në të cilën besohet me gjithë shpirt”

Të mendojmë për gjuhën tonë: shpesh herë i nisim komentet tona me një shpërrallim të tillë! Edhe në institucionet e krishtera kemi vërejtur shumë linçime të përditshme, të lindura nga shpërrallimet. Ta lusim Zotin - tha Papa në përfundim të homelisë - të na ndihmojë të jemi të drejtë në gjykimet tona, të mos e nisim e, sidomos, të mos e ndjekim pas këtë dënim masiv, që shkakton marrja nëpër gojë kot!

Të mendojmë për Shtjefnin, martir: i pari martir pas Krishtit, i pari! Të mendojmë për Apostujt: të gjithë dhanë dëshmi. E të mendojmë për aradhen e martirëve që - edhe sot e kësaj dite - mbyten, pasi u nxirret nami i keq. Nami i keq njëherë, pastaj vrasja! E sidomos, të mendojmë për veten tonë, për gjuhën tonë: shpesh herë ne, me komentet tona, ia nisim linçimit. E në institucionet tona të krishtera kemi parë sa e sa linçime të tilla të përditshme, pasojë e shpërrallimeve:

“Zoti na ndihmoftë të jemi të drejtë në gjykimet tona, të mos rendim pas dënimeve të tilla masive, që e kanë burimin e tyre të turbullt tek thashethemnajat!”.

Françesku e përfundoi kremtimin me adhurimin e të Shenjtnueshmit Sakrament dhe me bekimin eukaristik, duke  i ftuar besimtarët të marrin Kungimin shpirtëror. Në përfundim, lutja e Papës:

O Krishti im, unë besoj se je me të vërtetë i pranishëm në të Shenjtnueshmin Sakrament. Të dua mbi gjithçka e të dëshiroj në shpirtin tim. Meqë tani nuk mund të të marr sakramentalisht, eja të paktën shpirtërisht në zemrën time. Të përqafoj njësoj si të kishe ardhur e bashkohem krejtësisht me Ty. Më ndihmo të mos ndahem kurrë prej Teje. Amen!”.

Para se Ati i Shenjtë të largohej nga kapela, që i kushtohet Shpirtit Shenjt, u këndua antifona mariane “Regina caeli”, tipike për kohën e Pashkëve:

“Regína caeli laetáre, allelúia.
Quia quem merúisti portáre, allelúia.
Resurréxit, sicut dixit, allelúia.
Ora pro nobis Deum, allelúia”.

(Mbretëreshë e qiellit, gëzohu, Aleluja!
– Se ai që e mbarte në kraharor, Aleluja! 

U ngjall si pati premtuar, Aleluja!
– Lute për ne Hyjin, Aleluja!)

28 prill 2020, 09:28