Kërko

Vatican News

Papa uron që Evropa të jetë e bashkuar dhe vëllazërore

Gjatë Meshës, kremtuar si çdo mëngjes në Shën Martë, Françesku, duke kujtuar festën e sotme të Shën Katerinës nga Siena, Pajtore e Kontinetit të Vjetër, u lut për unitetin e Evropës dhe të Bashkimit Evropian, që të gjithë së bashku të mund të shkojmë përpara si vëllezër. Në homeli, ftoi t’i kërkojmë Zotit hirin e thjeshtësisë e të përvujtërisë për t’i rrëfyer mëkatet tona konkrete e për të fituar, kështu, faljen e Zotit.

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku e kryesoi Meshën e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës, në ditën kur Kisha kremton festën e Shën Katerinës së Sienës, virgjër, doktore e Kishës, Pajtore e Italisë dhe e Evropës.

Në  fillim të Meshës  kujtoi përsëri Evropën, ashtu siç ka bërë edhe herë të tjera gjatë këtyre ditëve, kur mbi Kontinentin e Vjetër rëndon tragjedia, në vijim, e Covid-19:

“Sot kremtohet Shën Katerina e Sienës, Doktore e Kishës, Pajtore e Evropës. Të lutemi për Evropën, për unitetin e Evropës, për unitetin e Bashkimit Evropian, që të gjithë së bashku të mund të ecim përpara si vëllezër”.

Në homeli, Papa komentoi Letrën e Parë  të Shën Gjonit (1Gjn 1,5-2,2) në të cilën apostulli pohon se Zoti është dritë ndaj, kur themi se jemi në lidhje me Të, domethënë se jemi në bashkim edhe me njëri-tjetrin. E gjaku i Krishtit na pastron nga çdo njollë mëkati. Këtë thekson apostulli, që më pas qorton: “Kush thotë se është pa mëkat, gënjen vetveten. Por, nëse e rrëfen mëkatin e vet, Zoti e fal dhe e pastron nga çdo mbrapshti. Apostulli - vërejti Papa -  bën thirrje për konkretësi, për vërtetësi. Na kujton se nuk mund të ecim njëherësh në dritë e në errësirë. E edhe më keq është të ecësh në një atmosferë ngjyrë hiri. Kjo ngjyrë është tepër tradhtare. Është e kundërta e konkretësisë, e pranimit konkret të mëkateve tona. Pranim konkret, jo abtsrakt. Ashtu si na mëson Krishti (Mt 11,25-30) që e lumnon Atin, sepse ua fshehu Ungjillin të diturve e të urtëve e ua zbuloi të vegjëlve. Të vegjlit - nënvizoi Papa - i rrëfejnë mëkatet në një mënyrë shumë të thjeshtë, ashtu si të thjeshtë janë edhe vetë. Thonë gjëra konkrete, sepse kanë shpirtin e çiltër, që ua dhuroi vetë Zoti. Edhe ne të gjithë duhet të jemi të thjeshtë e konkretë e t’i rrëfejmë me përvujtëri e me turp mëkatet tona konkrete. E Zoti na fal: duhet t’u japim një emër mëkateve. Nëse jemi abstraktë gjatë rrëfimit, do të thotë se jemi të lëkundur, pa karakter e se do të përfundojmë në errësirë. Ka shumë rëndësi – vijoi të kujtojë Papa - të jesh i lirë për t’ia thënë Zotit gjërat ashtu si janë! Të kesh urtinë e konkretësisë, sepse djalli dëshiron që ne të jetojmë në një atmosferë  shpirtërore gri, as bardh e as zi! Zotit nuk i pëlqejnë njerëzit e vakët! Jeta shpirtërore është e thjeshtë, por ne vetë e ngatërrojmë me gjithfarë ngjyrimesh. T’i kërkojmë Zotit - përfundoi Françesku - hirin e thjeshtësisë, të transparencës, hirin e lirisë. E t’i kërkojmë, sidomos, të na ndihmojë ta njohim veten, ta dimë kush jemi para Zotit.

Papa  Françesku e përfundoi kremtimin me adhurimin e të Shenjtnueshmit Sakrament dhe me bekimin eukaristik, duke  i ftuar besimtarët të marrin Kungimin shpirtëror. Në përfundim, lutja e Papës:

O Krishti im, unë besoj se je me të vërtetë i pranishëm në të Shenjtnueshmin Sakrament. Të dua mbi gjithçka e të dëshiroj në shpirtin tim. Meqë tani nuk mund të të marr sakramentalisht, eja të paktën shpirtërisht në zemrën time. Të përqafoj njësoj si të kishe ardhur e bashkohem krejtësisht me Ty. Më ndihmo të mos ndahem kurrë prej Teje. Amen!”.

Para se Ati i Shenjtë të largohej nga kapela, që i kushtohet Shpirtit Shenjt, u këndua antifona mariane “Regina caeli”, tipike për kohën e Pashkëve:

“Regína caeli laetáre, allelúia.
Quia quem merúisti portáre, allelúia.
Resurréxit, sicut dixit, allelúia.
Ora pro nobis Deum, allelúia”.

(Mbretëreshë e qiellit, gëzohu, Aleluja!
– Se ai që e mbarte në kraharor, Aleluja! 

U ngjall si pati premtuar, Aleluja!
– Lute për ne Hyjin, Aleluja!)

29 prill 2020, 09:16