Papa: politikanët të kërkojnë të mirën e popullsive, jo të partisë
Pas Meshës së djeshme në Kishën e Shpirtit Shenjt, në Sassia, në të Dielën e Mëshirës Hyjnore, sot, në të hënën e Javës së dytë të Pashkëve, Françesku rifilloi kremtimet e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës. Në hyrje të Meshës ua drejtoi fjalën atyre, që angazhohen në politikë:
“Të lutemi sot për burrat e gratë, që merren me politikë: politika është formë e bamirësisë. E edhe për partitë politike të vendeve të ndryshme që, në këtë çast pandemie, të kërkojnë së bashku të mirën e vendit të tyre, jo të partisë së tyre”.
Në homeli, Papa komentoi Ungjillin e ditës (Gjn 3,1-8), në të cilin Jezusi i thotë Nikodemit, një farizeu, që kishte shkuar tek Zoti natën, se kush nuk lind nga lart, nuk mund ta shikojë mbretërinë e Hyjit. Jo të gjithë farizenjtë ishin të këqij - pohoi Papa - e Nikodemi ishte farize i drejtë, me shpirt të shqetë, gjithnjë në kërkim të Zotit. E kërkonte, po nuk dinte si mund të gjindej. Donte të lindej nga Shpirti Shenjt, por nuk e kuptonte si mund të bëhej kjo, sepse Shpirti Shenjt është i paparashikueshëm. Kush e lë Shpirtin Shenjt t’i prijë, është njeri i bindur e i lirë. I krishteri nuk duhet të mjaftohet kurrë vetëm me zbatimin e urdhërimeve, por duhet ta lërë Shpirtin Shenjt t’i prijë, atje ku dëshiron Ai: duhet ta lërë t’i hyjë në shpirt, Shpirti i Zotit, i cili na prin atje, ku ne nuk e dimë. I krishteri nuk duhet të kënaqet kurrë vetëm me zbatimin e urdhërimeve, por të shkojë tutje, duke hyrë në lirinë e Shpirtit të Zotit. Papa komentoi edhe fragmentin e shkëputur nga Veprat e Apostujve (Vap 4,23-31), në të cilin, pas lirimit të Pjetrit e të Gjonit, dishepujt e Jezusit i lartojnë njëzëri Zotit një lutje, që të jenë të aftë për ta shpallur me gjithë sinqeritetin e mundshëm Fjalën e Tij, pa frikë nga vështirësitë e kërcënimet: e ky guxim - kujtoi Françesku - është fryt i Shpirtit Shenjt.
Mesha vijoi me kungimin shpirtëror e me lutjen e Papës.
Lutja e Papës:
“Tek këmbët tua, o Krishti im, përkulem e të ofroj zemrën e thyer, thellësisht të penduar para pranisë Sate Shenjte. Të adhuroj në Eukaristi, në Sakramentin e dashurisë tënde! Dëshiroj të të marr nën strehën e varfër, që ta ofron zemra ime: në pritje të lumturisë së kungimit sakramentor, dua të të kem në shpirt. Eja tek unë, Jezus, që të mund të vij tek Ti. Dashuria jote e përflaktë gjithë qenien time, për jetë e vdekje. Besoj në Ty! Shpresoj në Ty! Të dua, Zoti im!”.
Para se Françesku të largohej nga kapela, që i kushtohet Shpirtit Shenjt, u këndua antifona mariane “Regina caeli”, tipike për kohën e Pashkëve:
“Regína caeli laetáre, allelúia.
Quia quem merúisti portáre, allelúia.
Resurréxit, sicut dixit, allelúia.
Ora pro nobis Deum, allelúia”.
(Mbretëreshë e qiellit, gëzohu, Aleluja!
– Se ai që e mbarte në kraharor, Aleluja!
U ngjall si pati premtuar, Aleluja!
– Lute për ne Hyjin, Aleluja!)