Kërko

Papa lutet për njerëzit e trishtuar, duke u kujtuar se Krishti është gjithnjë pranë

Gjatë Meshës, kremtuar në Shën Martë, Françesku u lut për ata që janë plot me trishtim, sepse të vetëm e të papunë e nuk e dinë si ta mbajnë familjen, për shkak të pasojave të pandemisë. Në homeli, kujtoi se Jezusi ecën përherë pranë nesh, edhe, e sidomos, në çastet më të errta.

R. SH. - Vatikan

Si çdo mëngjes, Françesku kryesoi, në Shën Martë, Meshën: sot, atë të së Dielës III të Pashkëve. Në hyrje, mendimi i Papës shkoi tek ata, që janë të zhytur në trishtim, me peshën e rëndë të pandemisë mbi shpirtin e strehët  e tyre:

“Të lutemi sot, në këtë Meshë, për njerëzit  e trishtuar, që vuajnë pse janë vetëm, pse nuk e dinë ç’ardhmëri i pret, pse nuk mund ta mbajnë familjen a pse nuk kanë para, mbasi nuk kanë punë. Shumë njerëz janë të trishtuar! Për ta po lutemi sot!”.

Takimi me Krishtin, në homeli

Në homeli, Papa komentoi Ungjillin e sotëm (Lk 24,13-35), që na kujton takimin e Krishtit të ngjallur me dishepujt e Emmausit, të cilët e njohën Zotin në të thyer të bukës. Krishterimi - kujtoi Papa - është takim i vazhdueshëm me Jezusin. E i krishteri, njeri që takohet vazhdimisht me Zotin, që e lë Zotin ta takojë. Jemi të lindur nga fara e shqetësimit, edhe pa e ditur: zemra jonë ka etje për Zotin, e kërkon, ndonëse shpesh në rrugë të gabuara. E edhe Zoti ka etje të na takojë, për të na ndihmuar pikërisht në çastet kur pushtohemi nga trishtimi, shpesh në dukje, i pashpresë. Po shpresa nuk vdes kurrë! Krishti është pranë nesh. Gjithnjë. Në Ungjill   shikojmë se Zoti e respekton udhën tonë, i ndjek kohët tona. Është Zoti i durimit, ecën pranë nesh, e njeh shqetësimin tonë! Jezusit i pëlqen të na dëgjojë, kur flasim. Nuk e shpejton hapin, është durimtar. Na duron. E ecën gjithnjë me hapin e tjetrit, edhe kur është tepër i ngadalshëm. Jezusi dëgjon, pastaj përgjigjet e shpjegon, deri në pikën e duhur. Ne e takojmë Krishtin gjatë gjithë rrugëve tona, edhe, e sidomos, në çastet tona më të errta: na shoqëron, sepse dëshiron të na takojë. Prandaj themi se bërthma e krishterimit është takimi me Krishtin. Disa e takojnë Zotin pa u kujtuar fare për këtë takim. Jeta e hirit nis pikërisht kur e takojmë Jezusin. Zoti - ishte lutja përfundimtare e Papës -  na dhashtë hirin ta takojmë e ta marrim vesh se po ecën pranë nesh në të gjitha çastet e jetës sonë: është shoku  i shtegtimit tonë!

Françesku e përfundoi kremtimin me adhurimin e të Shenjtnueshmit Sakrament dhe me bekimin eukaristik, duke  i ftuar besimtarët të marrin Kungimin shpirtëror. Në përfundim, lutja e Papës:

O Krishti im, unë besoj se je me të vërtetë i pranishëm në të Shenjtnueshmin Sakrament. Të dua mbi gjithçka e të dëshiroj në shpirtin tim. Meqë tani nuk mund të të marr sakramentalisht, eja të paktën shpirtërisht në zemrën time. Të përqafoj njësoj si të kishe ardhur e bashkohem krejtësisht me Ty. Më ndihmo të mos ndahem kurrë prej Teje. Amen!”.

Para se Ati i Shenjtë të largohej nga kapela, që i kushtohet Shpirtit Shenjt, u këndua antifona mariane “Regina caeli”, tipike për kohën e Pashkëve:

“Regína caeli laetáre, allelúia.
Quia quem merúisti portáre, allelúia.
Resurréxit, sicut dixit, allelúia.
Ora pro nobis Deum, allelúia”.

(Mbretëreshë e qiellit, gëzohu, Aleluja!
– Se ai që e mbarte në kraharor, Aleluja! 

U ngjall si pati premtuar, Aleluja!
– Lute për ne Hyjin, Aleluja!)

26 prill 2020, 10:03