Kërko

Vatican News
 Imzot Arjan Dodaj, ipeshkëv-ndihmës i Tiranës Imzot Arjan Dodaj, ipeshkëv-ndihmës i Tiranës  (MARKETIN PICI)

Migranti i ri, i edukuar me ateizmin, emërohet ipeshkëv!

Historia e don Arjan Dodajt, ipeshkvit të ri, që erdhi në Itali me barkat e vitit 1993, punoi saldator, zbuloi fenë, me të cilën e kishte edukuar gjyshja, u bë prift e u rikthye në Shqipëri. Pak ditë më parë Papa Françesku e emëroi ipeshkëv-ndihmës të Kryedioqezës së Tiranës.

R. SH. - Vatikan

ANDREA TORNIELLI

Flet nga Tirana! Në telefon dëgjohet një zë, që shpreh çudinë për lajmin e ri të sapodëgjuar! Është emëruar ipeshkëv ndihmës i Tiranës.  Historia e tij është nga ato të voglat - e të mëdhatë njëherësh - me të cilat endet jeta e përditshme e Kishës. Arjan Dodaj, 43 vjeçar, i lindur në Laç të Kurbinit, në bregdetin e Shqipërisë, pati arritur 16 vjeçar në Itali, si migrant, pasi pati kaluar Adriatikun me njërën nga varkat e ngarkuara me bashkatdhetarë. Iku nga vendlindja në një natë të ngrohtë vere, nëpër detin e qetë, nën një qiell, ngarkuar me yje të shtatorit 1993, në kërkim të një ardhmërie më të mirë e, sidomos, të një mundësie të re për ta ndihmuar familjen e vet të varfër. E arriti në bregdetin italian. Nisi menjëherë nga puna. Punoi gjashtëmbëdhjetë orë në ditë si saldator e si kopshtar. Derisa u njoh me një bashkësi, që e priti me krahë hapur, si të ishte në shtëpi të vet. Aty e rizbuloi atë fe të krishterë, të cilën ia kishte pëshpërtitur në vesh e gjyshja, duke e mësuar të këndonte lutjet e këngët e traditës së krishterë. Kështu hyri feja në adn-në e tij. E kush do ta kishte besuar asokohe se do të shugurohej meshtar për Vëllazërinë Meshtarake të Bijve të Kryqit, Bashkësia e Shtëpisë së Marisë, nga dora e një Shenjti: Gjon Palit II! Në vitin 2017 u rikthye në atdhe si prift fidei donum. Më 9 prillin e kaluar Papa Françesku e emëroi ipeshkëv-ndihmës të kryedioqezës së Tiranë-Durrësit:

“Arrita në Itali sapo u shemb komunizmi - tregon ipeshkvi i ri shqiptar - Në ato kohë nuk ishte e mundur të merrej një vizë e rregullt. Kufijtë ishin të mbyllur e rruga e vetme drejt një ardhmërie më të mirë, ishte deti, motoskafet. Niseshin vazhdimisht varkat ngarkuar me njerëz, në kërkim të një fati më të mirë. Niseshin! Po jo të gjitha arrinin në bregun e dëshiruar!”.

Arjani lindi e u rrit në gjirin e një familjeje që jetonte në Shqipërinë komuniste. Prej këndej, u edukua me frymën e ateizmit:

“Linda në një kohë kur, për fat të keq, çdo shenjë që të kujtonte fenë, ishte zhdukur. Vitet e para të jetës sime nuk e dija as se kishte kund Zot! Prindërit nuk guxonin të ma përmendnin. Vetëm gjyshërit i bënin ballë kësaj kohe pa Zot! Vijonin të luteshin. Ishte pikërisht gjyshja, ajo që m’i mësoi uratët e para. E ato fjalë më mbetën të skalitura përgjithmonë në shpirt. Gjyshja s’pyeste fare për  kërcënimet e vijonte të jetonte me fe të gjallë. Në kohën e saj, me që  shumë besimtarë nuk dinin shkrim e këndim, i kishin mësuar lutjet duke i kënduar. E kësisoj e mësonin edhe Doktrinën, me vargje të rimuara, sepse mbahej mend më lehtë. Kështu, kur arrita në Itali, nisa edhe unë të lutesha si gjyshja, që i këndonte lutjet nëpër shtëpi, duke punuar, duke larë e duke gatuar. Këndonte. E më mësoi edhe mua të këndoj lutje. Mësova prej saj pjesën e dytë të Falemimrisë, sepse të parën  e thoshte ajo. Kështu më lidhi me Zotin!”.

Pak kohë pas rënies së komunizmit, Arjani  u largua nga vendi:

“Si shumë djem të tjerë, u përpoqa disa herë të largohesha. Herën e parë anija u mbyt… Sot i falem nderës Zotit që nuk u nisa me të! Nuk e di ç’do të kishte ndodhur me mua. Ishim të gjithë të ndrydhur, si sardelet në kuti. Si në kohën e dyndjes së madhe të izraelitëve nga Egjipti. Pastaj ika me një nga anijet, që niseshin nga bregdeti i qytetit tim, nga ai plazh i mrekullueshëm, ku shkoja shpesh. U nisëm natën e 15 shtatorit 1993. Faleminderës Zotit, deti ishte krejt i qetë e Krishti na ruajti nga çdo rrezik. Më kujtohet mirë ai lundrim, përmes të cilit po emigroja me gjithçka kisha: me jetën time, me historinë. Kështu, duke u shkëputur nga ai breg, nën qiellin e qindisur me yje, atë natë të paharrueshme, e ndjeja në shpirt dhimbjen e këputjes së lidhjeve: me jetën time, me familjen, me vendin tim”.

Ipeshkvi i ri i Tiranës nënvizon:

“Shumë njerëz edhe sot vijnë në Itali me varka. Besoj se duhet të mendojnë mirë për këtë shkëputje, këtë flijim. Këtë largim kaq të dhimbshëm, sepse po të mendonin mirë, sigurisht që nuk do të niseshin”.

Falë miqve të tij emigrantë, në Itali pak para tij, Arjani gjeti strehë në kuneze, në Dronero, ku  mësoi zanatin e saldatorit:

“Saldonim telat e biçikletave, në fillim. Pastaj bëra një mori punësh të tjera, në ndërtim e kopshtari, që të mund ta ndihmoja familjen time, sepse ishim tepër të varfër”.

Kështu, në fillim. Pastaj miqtë nisën ta ftojnë ndër takimet e famullisë:

“Punoja tepër, shpesh më se dhjetë orë në ditë e, prej këndej, në mbrëmje isha i lodhur e i këputur. Nuk kisha shumë miq, kur më thanë se në famulli mblidhej një grup të rinjsh, të organizuar nga don Massimo, që i përkiste Bashkësisë të Shtëpisë së Marisë. E ndjeva veten vërtet mirë! Gjeta familjen, për të cilën kisha aq shumë nevojë në këtë fazë tepër delikate të rinisë sime”.

Arjani u pagëzua e, në vitin 1997, kërkoi të pranohej në Vëllazërinë meshtarake të Bijve të Kryqit, Bashkësia e Shtëpisë së Marisë, në Romë, ku u përgatit për t’u bërë prift, ndonëse nuk e pati të lehtë t’i bindte prindërit. Dhjetë vjet pas lundrimit në kushte aq të rrezikshme drejt Italisë, ndjeu, me emocion të parrëfyeshëm, duart e Papës Vojtila mbi kokë, në Shën Pjetër:

“Në vitin 1993, vit në të cilin arrita në Itali, Shën Gjon Pali II vizitonte Shqipërinë. Vendi sapo kishte dalë nga diktatura e dukej si llogore nën qiellin e hapur. Ndjehej fort varfëria, mjerimi, por edhe dëshira për një jetë të re. Edhe unë, si shumë fëmijë, e shumë të rritur, e kujtoi edhe sot e kësaj dite radhën e pafundme të njerëzve, që shoqëronte makinën e Papës, nga Tirana - në Shkodër. Figura e Papës më shoqëroi gjithnjë, ashtu si figura e Nënë Terezës. Papa, ndërsa dilnim nga diktatura, na solli balsamin e dhembshurisë, të dashurisë, të mirësisë, të shpresës, që dinte t’ua dhuronte gjithë të varfërve, në të katër anët e botës”.

Don Dodaj, pasi punoi në famulli të ndryshme, shërbeu si kapelan i bashkësisë shqiptare të Romës. Në vitin 2017 kryeipeshkvi i Tiranë-Durrësit,  George Anthony Frendo,  kërkoi që don Arjani të shërbente në dioqezin e tij. Eprori i bashkësisë Shtëpia e Marisë, don Giacomo Martinelli, si dhe kardinali mëkëmbës i Romës, Angelo De Donatis, pranuan. Meshtari i ri u rikthye në Atdhe si prift fidei donum. E tani është ipeshkëv-ndihmës. Histori jashtëzakonisht prekëse, që të kujton edhe një herë se “për Zotin nuk ka asgjë të pamundur!”:

“E them me sinqeritet… kurrën e kurrës nuk e kisha  menduar e as nuk e kisha dëshiruar një gjë të tillë. Isha i lum në famulli, në familje, me bashkësinë time, me besimtarët e famullisë, me njerëzit, që m’u besuan. Tani më erdhi kjo thirrje e re, ky emërim i Atit të Shenjtë Françesku. E pranova me besim në Zotit, në Zojën,  e  duke iu bindur zërit të Kishës”.

 

14 prill 2020, 12:52