Kërko

 Mesha në Shën Martë Mesha në Shën Martë 

Lutja e veçantë e Papës për të vdekurit e panjohur të pandemisë

Gjatë Meshës, kremtuar në Shën Martë, mendimi i Françeskut shkoi tek gjithë të vdekurit nga shkaku i Covid-19. E u lut në mënyrë të veçantë për të shuarit pa emër, të varrosur në varre të përbashkëta. Në homeli kujtoi se të kumtosh Jezusin nuk do të thotë të bësh prozelitizëm, por të dëshmosh fenë me jetën tënde e t’i lutesh Atit t’i tërheqë njerëzit drejt Birit.

R. SH. - Vatikan

Françesku kryesoi sot, në Shtëpinë e Shën Martës, Meshën e së enjtes të Javës  III të Pashkëve.

E nisi kremtimin me një lutje tejet prekëse:

“Të lutemi sot për të vdekurit, ata që u shuan nga pandemia e, në mënyrë të posaçme, për të vdekurit - t’i quajmë kështu - e panjohur. Pamë fotografitë e varreve të përbashkëta. Shumë…”.

Në homeli Papa komentoi një fragment shkëputur nga Veprat e Apostujve (Vap 8,26-40) që flet për takimin e Filipit me një eunuk etiop, funksionar i Kandaçes. Eunuku shtegtonte duke lexuar Librin e Izaisë e qe ndaluar pikërisht tek fragmenti, ku profetizohej për vdekjen e Krishtit. Kishte dëshirë të zjarrtë të kuptonte kush ishte ai, që përshkruhej kështu në Librin e Izaisë: “Si dele, atë e çuan në thertore”. Pasi Filipi i shpjegoi se bëhej fjalë për Jezusin, etiopi, i prekur në shpirt, i kërkoi ta pagëzonte.

Është Ati - pohoi Françesku - duke kujtuar fragmentin e sotëm ungjillor – ai që i tërheq njerëzit drejt të Birit, që i ndihmon ta njohin: pa këtë ndërmjetësi, nuk do të mund të njihet misteri i Krishtit. E kjo i ndodhi edhe funksionarit etiop. Duke lexuar Izainë profet, ndjeu shqetësimin, që ia dikoi në zemër Ati. Kjo - kujtoi Papa - vlen edhe për misionin: ne nuk kthejmë askënd në rrugën e Zotit. Është Ati ai, që i tërheq njerëzit, përmes dëshmisë së fesë. Duhet ta lusim Atin t’i tërheqë njerëzit tek Jezusi. E për këtë tërheqje, janë të nevojshme dëshmia e lutja. Kjo është zemra e apostullimit tonë! Ta pyesim veten: a jap dëshmi me stilin e jetës sime? A lutem, që Ati t’i tërheqë njerëzit drejt Jezusit? Të shkosh në mision, nuk do të thotë të bësh prozelitizëm. Do të thotë të dëshmosh. Ne nuk konvertojmë askënd. Eshtë vetë Zoti, që i prek zemrat e njerëzve. T’i kërkojmë Zotit - u lut në përfundim Françeku - hirin ta jetojmë punën tonë me dëshmi e lutje, që Ati të mund t’i tërheqë  njerëzit drejt Jezusit.

Ky është rregulli i madh për apostullimin tonë, kudo, e në mënyrë të posaçme, në misione. Një herë, një zonjë - e mirë, dukej qartë se kishte vullnet të mirë - m’u afrua me dy të rinj, një djalë e një vajzë, e më tha: “Ky djalë, o Atë, ishte protestant. E u kthye: e binda unë. E vajza ishte -animiste a nuk e mbaj mend çka më tha - e unë e ktheva. E zoja ishte e mirë, e mirë. Por gabohej rëndë. Unë e humba paksa durimin e ia ktheva: “Dëgjo, mos Zonjë, ti nuk ke kthyer askënd: ishte Zoti ai, që ua preku zemrat. E mos harro: dëshmi, jo prozelitizëm!”.

Papa  Françesku e përfundoi kremtimin me adhurimin e të Shenjtnueshmit Sakrament dhe me bekimin eukaristik, duke i ftuar besimtarët të marrin Kungimin shpirtëror. Në përfundim, lutja e Papës:

O Krishti im, unë besoj se je me të vërtetë i pranishëm në të Shenjtnueshmin Sakrament. Të dua mbi gjithçka e të dëshiroj në shpirtin tim. Meqë tani nuk mund të të marr sakramentalisht, eja të paktën shpirtërisht në zemrën time. Të përqafoj njësoj si të kishe ardhur e bashkohem krejtësisht me Ty. Më ndihmo të mos ndahem kurrë prej Teje. Amen!”.

Para se Ati i Shenjtë të largohej nga kapela, që i kushtohet Shpirtit Shenjt, u këndua antifona mariane “Regina caeli”, tipike për kohën e Pashkëve:

“Regína caeli laetáre, allelúia.
Quia quem merúisti portáre, allelúia.
Resurréxit, sicut dixit, allelúia.
Ora pro nobis Deum, allelúia”.

(Mbretëreshë e qiellit, gëzohu, Aleluja!
– Se ai që e mbarte në kraharor, Aleluja! 

U ngjall si pati premtuar, Aleluja!
– Lute për ne Hyjin, Aleluja!)

30 prill 2020, 08:43