Kërko

Vatican News
 Papa gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore Papa gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore  (Vatican Media)

Lutja e Mbretëreshës Qiellore: jeta ndryshon drejtim e kalon “nga unë, tek Zoti!”.

T’ia hapim zemrën Jezusit, ta dëgjojmë, duke lexuar Ungjillin e duke u lutur, sepse vetëm në Të mund të gjindet rruga e vërtetë! Kështu u shpreh Papa në lutjen e Mbretëreshës Qiellore, përqendruar tek fragmenti i sotëm ungjillor, që flet për dishepujt e Emmaus.

R. SH. - Vatikan

Kujtoi faqen e sotme ungjillore, para lutjes së Mbretëreshës Qiellore Papa. Atë faqe, në të cilën rikthehemi me kujtesë në ditën e Pashkëve, për t’u ritakuar me dy Dishepujt e Emmaus. Histori, që nis e përfundon për udhë.

Dy udhët

 I takojmë dishepujt duke ecur, të trishtuar për fundin e Jezusit, nësa e lënë Jeruzalemin e kthehen në shtëpi, në Emmaus, duke bërë rreth njëmbëdhjetë kilometra rrugë në këmbë. Shtegtojnë ditën, më të  tatëpjetë. Vjen, pastaj shtegtimi i kthimit: njëmbëdhjetë kilometra të tjera, më të rënë të natës, në të përpjetë, pas udhës së shkuarjes. Dy shtegtime: njëri i lehtë, ditën, tjetri i lodhshëm, natën. E pra i pari është i ngarkuar me trishtim, i dyti, me gëzim! Në të parin Zoti ecën pranë tyre, por ata nuk e njohin; në të dytin nuk e shohin më, por e ndjejnë krejt pranë. Në të parin janë të pangushëlluar e pa asnjë shpresë; në të dytin vrapojnë t’ua çojnë edhe të tjerëve lajmin e mirë të takimit me Krishtin e Ngjallur.

Dishepujt e djeshëm e dishepujt e sotëm

Dy udhët e ndryshme të këtyre dishepujve të parë - shpjegoi Papa në lutjen e sotme të Mbretëreshës Qiellore - na kujtojnë ne, dishepujve të sotëm të Jezusit, se në jetë kemi para nesh dy rrugë të kundërta: rrugën e atyre që, si këta dy, më të shkuar, paralizohen nga zhgënjimet e jetës dhe ecin përpara të ngarkuar me trishtim; e rrugën e atyre, të cilët nuk e vënë në vend të parë vetveten e problemet e veta, por Jezusin, që i viziton, e vëllezërit, që e presin vizitën e tyre.

“Ja kthesa: t’i japësh fund rrotullimit rreth vetvetes, zhgënjimeve të së kaluarës, idealeve të parealizuara, e të shkosh përpara,  duke parë realitetin më të madh e më të vërtetë të jetës: ‘Jezusi është gjallë e më do!’”.

Ndërrim i marshit është ky - kujtoi Papa - të kalosh nga mendimet mbi unin tim, në realitetin e Zotit tim: të kalosh - po të vijojmë me një lojë tjetër fjalësh - nga  “nëse”, në “po”. Nga nëse - shpjegoi Papa – domethënë të rrish duke përsëritur  “nëse do të ishte ai, që do të na çlironte; nëse Zoti do të më kishte dëgjuar; nëse jeta do të kish shkuar ashtu si dëshiroja; nëse do të kisha këtë e atë tjetrën…”. Ja, pra nëse-të tona, të ngjashme me ato të dy dishepujve, të cilët kalojmë sakaq nga “nëse”, në “po”:

“Po, Zoti është gjallë. Po! Ecën  me ne! Po, sot, jo nesër, do të nisemi përsëri, do të shtegtojmë për ta kumtuar!”.

Tre hapat

Po si ndërroi kështu, hapi, nga unë tek Zoti, nga nëse, tek po, si ndodhi? - pyeti Papa në vijim të lutjes së Mbretëreshës Qiellore - për t’u pëgjigjur sakaq: “Duke u takuar me Jezusin!”. Dishepujt e Emmausit një herë ia hapin zemrën, pastaj e dëgjojnë duke u shpjeguar Shkrimet e Shenjta e, së fundi, e ftojnë në shtëpi. Janë tre hapa, që mund t’i bëjmë edhe ne, në shtëpitë tona:

“Së pari, t’ia hapim zemrën Jezusit, t’ia besojmë barrët, që na ngarkon jeta mbi kurriz, lodhjet e zhgënjimet e jetës! Së dyti, ta dëgjojmë Jezusin, ta marrim në dorë Ungjillin, ta shfletojmë, ta lexojmë sot këtë fragment, në Kapitullin e 24-t të Ungjillit të Lukës; së treti,  t’i lutemi Jezusit, me të njëjtat fjalë të këtyre dishepujve: ‘Zot, rri me ne!’ (v29), me ne të gjithë, sepse kemi nevojë për Ty, pa Ty nuk mund ta gjejmë rrugën!”.

Të dashur vëllezër e motra - përfundoi Papa - në jetë jemi gjithnjë për udhë. E bëhemi ashtu si udha, drejt së cilës shkojmë. Të zgjedhim udhën e Zotit, jo të vetes, udhën e po-së, jo të “nëse-së”. E do të zbulojmë se nuk ka gjë të paparashikuar, as të përpjetë e as natë, që nuk do të nuk mund ta përballojmë me Jezusin.

Së fundi, lutja drejtuar Zojës së Bekuar:

“Zoja, Nëna e udhës,  që duke e pranuar Fjalën e bëri gjithë jetën e saj një ‘po’ thënë me plot gojën Zotit, na e tregoftë edhe ne udhën e drejtë!”.

26 prill 2020, 13:08